Kongresi i Manastirit

103 vjet shkronja shqipe

Në kujtim të 103 vjetorit të Kongresit të Manastirit, me manifestime dhe tribuna të shumta ka filluar shënimi i Ditës së Alfabetit. Historianët dhe gjuhëtarët kanë debatuar në Shkup dhe Tetovë, kurse zëvendëskryeministri Musa Xhaferi nga Manastiri premtoi rimëkëmbjen e Shtëpisë së Alfabetit. ”Ne e kemi bërë traditë që një ditë para ta vizitojmë Muzeun e Alfabetit, në mënyrë simbolike ndërtesën, si përkujdesje dhe si respekt për këtë ndërtesë ku më 1908 është unifikuar Alfabeti shqiptar. Një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët në përgjithësi”, tha Xhaferi. Zëvendëskryeministri Xhaferi tha se gjatë kësaj vizite është biseduar për një projekt kushtuar Muzeut të Alfabetit. “Është një ide që të ketë një këshill i cili do t’i grumbullon të gjitha të dhënat që mund ti ketë popullata këtu në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, të cilat janë pjesë e këtij objekti, gjegjësisht janë pjesë e historisë së Kongresit të Alfabetit, duke filluar nga fotografitë e pjesëmarrësve, nga dorëshkrimet, nga aktivitetet e shoqatave të atëhershme, të cilat kanë vepruar këtu në Manastir, që të mund të ekspozohen këtu dhe të ruhen. Besoj se në të ardhmen ne do ta kompletojmë me të gjitha këto materiale”, tha Xhaferi. Ai për së afërmi u njoftua me gjendjen e mjerueshme të këtij objekti me vlera të larta kombëtare për popullin shqiptar.

“Është e vërtetë që deri tash ka munguar dhe nuk është institucionalizuar, nuk është i rinovuar, ne jemi vetë dëshmitarë të historisë së kësaj ndërtese dhe normalisht të gjitha kohërat kanë ndikuar që të mbetet në këtë gjendje. Por ne e kemi për borxh, jo vetëm nga aspekti institucional, por edhe kështu individual si shqiptar që të përkujdesemi. Me këtë rast u bëj thirrje të gjithëve që të përkujdesen dhe të ndihmojnë në mënyrë të ndryshme që të kompletohet Muzeu i Alfabetit, që është një prej ndërtesave apo simbolikave qendrore të kulturës tonë nacionale në përgjithësi”, tha zëvendëskryeministri Musa Xhaferi në Manastir.

Edhe Fakulteti Filozofik i USHT-së organizoi Akademi solemne, për ta shënuar këtë datë të rëndësishme të historisë shqiptare.

Ndërkohë, Kongresi i Manastirit të hënën ka qenë temë e tryezës së rrumbullakët e cila është organizuar në Tetovë nga shtëpia botuese “Çabej”, më përkrahje financiare të komunës së Tetovës. Në tribunë me fjalimet e tyre u paraqitën, historian Nebi Dervishi, shkrimtari Rami Kamberi, dekani i Fakultetit Filozofik të USHT-së Fahari Ra madani dhe të tjerë.

103 vjet më parë klubi “Bashkimi” i qytetit të Manastirit mori nismën për thirrjen e një kuvendi mbarëshqiptar që vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit të XX, kongresin për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor të vitit 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor, me pjesëmarrjen e 50 delegatëve nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.

Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, vendimi i Kongresit të Manastirit për “përdorimin e dy alfabeteve, të Stambollit e me të bashkë edhe një abece thjesht latine, që të përdoreshin e të mësoheshin bashkërisht në mes të shqiptarëve”, ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy, edhe këta bashkërisht.

(Q.H./KOHA)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!