(Pjesa e parë)
Falënderimet i takojnë Allahut, xh.sh., Zotit të të gjitha botëve. Atë e njohim dhe e pranojmë për Zot të vetëm dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkojmë. Selamet dhe salavatet tona ia dedikojmë reformatorit dhe shëmbëlltyrës më perfekte gjatë gjithë historisë së ekzistimi të njerëzimit, Muhammedit, s.a.v.s., po ashtu paqja e Zotit qoftë edhe mbi familjen e të Dërguarit, s.a.v.s., shokët e tij dhe mbi gjithë pasuesit e rrugës së tij, gjersa të ekzistoj kjo botë.
Allahu i Lartësuar në Kur’anin famëlartë thotë:
“Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar për ta sprovuar atë, andaj e bëmë të dëgjojë e të shohë”`[1]
“Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne.”[2]
Njeriu, si krijesë e qëllimshme dhe e rëndësishme në këtë planet, nuk është krijuar që të jetoj në ankande të shfrenuara dhe në liri të pakufizuara. Ekzistenca e tij është e lidhur ngushtë me qëllimin dhe misionin e tij, si dhe me përgjegjësitë. Qëllimin e krijimit të tij dhe sesi duhet të kalojë jetën e kësaj bote, më së miri e tregon udhëzuesi, këshilltari që ka zbritur nga ana e All-llahut, Kur’ani famëlartë, në të cilin Allahu thotë: “A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni ju te Ne?”[3]. Siç shihet në këtë ajet njeriu nuk qenka krijuar kot, pa kurrfarë qëllim. Se cili është qëllimi i krijimit të tij, All-llahu na bën me dije ku thotë: “Unë nuk i krijova njerëzit dhe xhinët për asgjë tjetër vetëm që t’më adhurojnë”[4]. Pra sipas këtij ajeti njeriu qenka krijuar vetëm ta adhurojë All-llahun.[5]
Për njeriun është i pashmangshëm edhe një realitet tjetër, i cili është ligj që askush përpos Zotit nuk mund ta zhvleftësoj, e ai është realiteti i shterjes së tij drejt një përfundimi në këtë botë. Andaj, kur i kemi parasysh këto realitete dhe fakte vërejmë se njeriu jeton në kushte dhe rrethana vigjiluese dhe sprovuese. Madje, liria e tij, vullneti dhe vigjilenca Hyjnore si dhe sprova janë një konglomerat faktorësh të cilët, në bazë të asaj se si do të orientohet njeriu, me anë të mendimeve dhe veprimeve, përcaktojnë edhe të ardhmen e tij në këtë botë dhe botën tjetër. Pra, bota kundrejt njeriut është e mbuluar me sfida dhe sprova nëpërmjet të cilave ai duhet ta dëshmoj vetveten, ose të tregoj vullnet për bamirësi dhe durim.
Të shohim në vijim se çka është qëllimi dhe rëndësia e sprovës në këtë botë. A është ajo një farë lloj provimi i njeriut, me anë të të cilit ia rregullon vetes shtratin e mirësive në botën tjetër, apo është shkak që nëpërmjet të cilit ai vetes ia rregullon një vend të dështuar.
Domethënia dhe urtësia e sprovës
Sprovat luajnë një rol interesant dhe shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut. Ato luajnë rolin e një pasqyre që shfaq një të vërtetë e cila më parë ka qenë e panjohur dhe sekrete. Atë e ka ditur vetëm Zoti. Sprovat tregojnë për dijen e pakufizuar të Allahut dhe përcaktimin e tij. Në bazë të mësimeve kur’anore dhe traditës profetike kuptojmë se Allahu, xh.sh, gjerat i ka caktuar edhe para se t’i krijoj qiejt dhe tokën, kurse me anë të sprovave verifikohet ajo që Ai e dinte më parë. Ato, pra, janë test për njeriun.
Zanafilla e sprovës është e hershme, aq sa edhe njeriu. Sprova është ajo e cila u bë shkaktare që njeriu i parë, Ademi, a.s., të ndërroj qëndrimin nga xheneti në dynja. Sprova është ajo e cila e dalloi të vërtetën nga e pavërteta, njeriun dhe djallin, të mirën dhe të keqen. Ajo, në këtë botë, është një faktor vendimtar për justifikimin e proceseve. Vetë jeta në këtë botë, në një farë mënyre, është sprovë për njeriun. Format dhe ngjyrat e jetës, përcaktimet shpirtërore, ideore, racore, etnike dhe materiale, përkohshmëria dhe jetëgjatësia, gëzimet dhe pikëllimet, familja dhe puna, detyrat dhe sfidat që rrjedhin prej saj, të gjithë këto janë sprova të pashmangshme që e përcjellin njeriun nga lindja gjer në vdekje.
Me të filluar të kuptoj njeriu fillon të mendoj rreth ardhjes, ekzistimit dhe përfundimit të tij në këtë botë. Përse dhe nga erdhi? Përse ekziston dhe pse i duhet të jetoj? Dhe në fund, përse dhe ku duhet të shkoj? Këtyre pyetjeve, njeriu gjatë jetës hulumton dhe kërkon që t’ju gjej përgjigje të kënaqshme dhe adekuate. Harxhon mund dhe sakrifica për të arritur në përfundime të arsyeshme të cilat do ta dëshmojnë realitetin e ardhjes dhe të kalimit të tij nga njëra botë në tjetrën, për të, paraprakisht, të pa shijuara. Mirëpo, ai në shumë raste mbeti pa përgjigje, gjersa Zoti nuk ia mësoi ato.
Në bazë të asaj që gjendet në Kur’an mund të thuhet se sprova është shans i favorshëm për besimtarin dhe zhgënjim për jobesimtarin.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Mos u tregoni të dobët në ndjekjen e armikut, pse nëse ndjeni dhembje edhe ata ndjejnë dhembje sikurse ju, e ju shpresoni nga Allahu çka ata nuk shpresojnë. Allahu është i Dijshëm, Ligjvënës i Matur.”[6]
Besimtarët, të cilët sinqerisht besojnë në Allahun, xh.sh., janë të kënaqur me atë që i ka goditur, kurse për durimin e tyre padyshim se do të shpërblehen, ndërsa kjo më së miri vërehet në ajetin tjetër kur’anor:
“Dhe përgëzoi durimtarët. Ata të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: ‘Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.’ Ata te Zoti i tyre i pret falja e mëkateve dhe mëshira, të tillët janë në rrugë të drejtë.”[7]
Pra, nga këto dy ajete kuptojmë se njerëzimi të përbashkët e ka vetëm dhembjen, mirëpo fundi është ai që i dallon njërin prej tjetrit. Besimtarët shpresojnë dhe presin shpërblimin, për të cilin duruan dhe vepruan në përputhje me mundësitë, duke iu shmangur dështimit dhe pashpresës, mbase kjo ua lehtëson barrën e sprovës dhe të fatkeqësive[8], ndërsa pabesimtarët, ashtu të pashpresë dhe të zhgënyer, do të ngelin edhe në botën tjetër, në Fundin Vendimtar. Pra, si sprovë për pabesimtarët, krahas gjithë atyre që u përmendën, është edhe lajthitja e tyre dhe asgjësimi i të gjitha të arriturave të tyre në dunja.
“Ata që nuk besuan dhe vdiqën si mosbesimtarë, asnjërit prej tyre nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe plotë faqen e dheut ari. Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë.”[9]
Po ashtu këtë e thekson edhe i dashuri ynë, drita e pashuar, Muhammedi, s.a.v.s., i cili thotë: ““E çuditshme është çështja (gjendja) e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për askënd tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (Allahun), e kjo i sjell dobi. E kur e godet e keqja, ai është durimtarë andaj kjo i sjell dobi (shpërblim)”.[10]
Së këndejmi, dijetari i shquar Ibn Kajjim el-Xhevziu pohon se “sprova për besimtarin është sikur ilaçi i cili e mënjanon sëmundjen”[11], duke vazhduar të thotë se “fatkeqësitë dhe sprovat shkaktojnë largimin e sëmundjeve nga besimtari”.[12]
Sprovat, mundësojnë që besimtarin ta pastrojnë nga mëkatet e bëra më parë. Kush mund të thotë se nuk ka nevojë për falje nga mëkatet, e veçanërisht kur është në pyetje Dita e Llogarisë, kur të dalim përpara Zotit? Andaj, sprova në këtë rast paraqitet si mëshirë nga Allahu, xh.sh., për tu pastruar nga lëshimet që janë bërë me vetëdije ose pavetëdije. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në një hadith të cilin e transmeton Buhariu, thotë: “Sprova do ta ndjek njeriun, gjersa, duke ecur ai mbi Tokë, të bëhet i pagabueshëm.”[13] Gjithashtu thotë: “Allahu i Lartësuar besimtarin e Tij të devotshëm do ta sprovoj me sëmundje, që ta pastroj nga çdo mëkat.”[14] Gjithashtu, sprovat për njeriun janë edhe si alarmim ndaj asaj që njeriu e shpërfilli dhe e harroi, sepse vetë fjala insan (njeri) do të thotë krijesë që harron. Si harron njeriu? Ja për shembull, do ta marrim një njeri i cili në fillet e para të shijimit të jetës së tij nuk ishte edhe aq i kënaqur me pasurinë dhe begatitë që ia kishte falë Zoti. Kështu që, për ta plotësuar atë shprazëtirë që e ndjente, filloi të punojë me orare të gjata dhe me lutje të mëdha drejtuar Allahut që t’ia shtojë të mirat dhe begatitë. Allahu, xh.sh., për një kohë shumë të shkurtër ia hapi rrugët e mirësive dhe dhuntive. Ai u bë pasaniku më i madh i rrethit ku jetonte, po edhe më gjerë. Filluan nga të gjitha anët të vinin tek ai dhe të kërkonin ndihmë. Ai në fillim ishte shumë bujar dhe ndihmonte pa hesap. Mirëpo, kur Allahu deshi ta vë në sprovë, ai u bë injorant. I harroi të mirat që ia fali Zoti. Kjo ndodhi kështu, pasi që atij iu shtua shumë puna. Nga kalimi i orëve të gjata në punë, ai fillo të tregohet neglizhent në zbatimin e urdhrave të Allahut. Së pari e refuzoi zekatin dhe më pas edhe namazin dhe kështu u bë prej harrestarëve dhe koprracëve më të mëdhenj. Ai harroi se Zoti e ngriti, me pasurinë që i fali, dhe përsëri, Ai e rrëzon më fuqinë e Tij. Allahu, xh.sh., atij i çoi një sprovë të rëndë, ashtu që, ia humbi pasurinë, familjen dhe gjithçka që kishte. Së pari iu ndal puna dhe biznesi, pastaj i shiti edhe disa gjëra të vlefshme, që i kishte në disponim dhe i rruante për raste kritike, duke dashur që ta ngrit përsëri fitimin; mirëpo tani pa ndihmën e Zotit; ai edhe më shumë u varfërua dhe u katandis. Nga kjo katandisje filloi të sillet keq me të familjes dhe t’i shqetësoj edhe banorët e lagjes ku jetonte. Sprova për të u bë edhe më e rëndë. E maltretoi dhe e shkurorëzoi bashkëshorten pas njëzet viteve martesë, me të cilën Zoti ia kishte falur dy vajza. Ai tani jeton rrugëve dhe i pashpresë. Ai e harroi Zotin dhe falënderimin ndaj begative dhe pastaj Zoti e “harroi” atë, duke ia kthyer jetën në jetesë gërmadhash.[15]
Urtësia e sprovës vërehet edhe në aspekte të tjera. Ajo, besimin dhe dashurinë ndaj Allahut, xh.sh., e vendon në provë dhe mat besnikërinë e robit ndaj Zotit. Nëpërmjet sprovave dallohen zemrat e devotshme dhe burrërore, shfaqet drita e imanit dhe guximi për të qenë në grupin e të durueshmëve. Pra, me fjalë të tjera, sprova për njeriun është sikur antibiotiku, që robin e Zotit e pastron dhe e bën të kthjellët shpirtërisht dhe fizikisht. E mban gjallë. E bën të vullnetshëm dhe më trim.
Sprova, pra, në esencë nuk është e keqe. Ajo për nga natyra mund të krahasohet me një shembull nga vetë praktika e jetesës sonë. Sprova i ngjan llojit të provimit që i nënshtrohet studenti. Studenti i cili është i përgatitur për provim s’do mend se do të fitoj rezultate të kënaqshme gjatë demonstrimit të përgatitjes së tij, ndërsa ai që nuk është i përgatitur do të përballet me dështimin e padëshiruar. Andaj, kur Allahu, xh.sh., thotë: “Ju patjetër do të sprovoheni!”, është njëjtë sikur profesori t’i thotë studentit: “Ju në fund do t’i nënshtroheni provimit!”, çfarë dëshmon se sprova për nga natyra e saj nuk ka karakter negativ.[16]
-Vazhdon-
Shkruan: Mehas Alija
___________________________
[1] Insan, 2.
[2] Enbija, 35.
[3] Mu’minun, 115.
[4] Dharijatë, 56)
[5] Harun Jahja, Fshehtësia e sprovës. (Marrë nga internet faqeja e Harun Jahjasë në shqip)
[6] En-Nisa, 104.
[7] El-Bekare, 155-157.
[8] Ibn Kajjim El-Xhevzie, Urtësia e sprovës, Dëshmia, 2007.
[9] Ali Imran, 91.
[10] Transmeton Muslimi në Sahih, Imam Ahmedi në Musned dhe të tjerë.
[11] Ibn Kajjim El-Xhevzije, op.cit., fq., 60.
[12] Ibid. fq. 60.
[13] Jakub Memiq, Hadithe të zgjedhura të Pejgamberit alejhisselam, fq, 23.
[14] Ibid. fq., 111.
[15] Këtu autori mbështetet kryesisht në fatin e një personi që e njehë personalisht.
[16] Dituria islame, viti XIX., nr., 200., mars 2007./ rebiul-evel 1428. Artikulli: “Fundi i krijesave dhe sprovimi i besimtarëve në këtë botë”, nga Mr. Adnan Simnica, fq. 24.
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!