Një fshatar i varfër kalonte rrugës për në pazar duke tërhequr për litari lopën e vetme që kishte. Ai kishte vendosur ta shiste lopën dhe me paratë do të blinte një dhi për qumësht për fëmijët, bukë dhe do të paguante shkollën e djalit, i cili ëndërronte të bëhej i ditur dhe t’i shërbente Allahut (i Madhëruar qoftë Ai!). Që larg e pa pasaniku i fshatit, i cili i kishte pronë të vetën të gjitha tokat e edhe rrugën ku po kalonte fshatari me lopën për dore. Lopa e uritur e tërhoqi me forcë litarin dhe e rrëzoi fshatarin dhe këputi një gojë grurë. Kaq iu desh pasanikut zemërgur dhe dërgoi njerëzit e vet. Ata e ndaluan fshatarin e varfër dhe e shpunë para pronarit.
-Hë, si të duket gruri im, – i tha me inat pasaniku fshatarit të varfër?
-I mirë dhe Allahu (i Madhëruar qoftë Ai!) ta shtoftë, – tha fshatari.
-Po ku të lë ti dhe lopa jote të shtohet, -tha pasaniku.
-Të kërkoj ndjesë, – iu lut fshatari, – por të më besosh që nuk kisha mundësi ta mbaja lopën; megjithatë jam gati ta paguaj dëmin.
-Mirë, – i tha pasaniku, – lëre peng lopën sa të më sjellësh paratë. Fshatari i varfër iu lut me lot në sy që të mos ia merrte lopën, por e siguroi duke iu betuar se sapo ta shiste në pazar lopën e vetme, do t’ia sillte paratë. Pasaniku nuk e dëgjoi, urdhëroi njerëzit e vet ta merrnin lopën dhe ta lidhnin në trojet e tij.
Fshatari, i dëshpëruar dhe me sy të përlotur la lopën dhe u kthye duarbosh në shtëpi, ku e prisnin fëmijët e uritur.
Pasaniku nuk e njihte fshatarin dhe as emrin nuk ia mësoi. Kur fshatari i varfër mbërriti me këmbë në shtëpi, pa se lopa kishte shkulur hurin ku kishte qenë lidhur dhe kulloste bar para shtëpisë! Fshatari, i gëzuar e përkëdheli lopën dhe nisi të qante. Diku nga lart, iu bë se dikush i tha: “Mos u shqetëso, o njeri i mirë, padrejtësia paguhet…!”
Tregim nga Sami Frashëri
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!