Merr fund kriza politike në Shqipëri, pajtohen PD-PS

Politika shqiptare gjen më në fund gjuhën për t’i dhënë fund krizës, që po mban pezull reformat prej më shumë se dy vjetësh.

Në një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, shumica në Kuvendin e Shqipërisë dhe opozita arritën një marrëveshje politike, e cila parashikon krijimin e Komisionit për reformën zgjedhore, krijimin e një grupi pune për rishikimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave dhe për herë të pare në seancën plenare të ditës së enjte, opozita do të votojë disa projektligje, por që nuk lidhen me paktin e drejtësisë.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura palët ranë dakord për ngritjen e komisioneve parlamentare, që janë, komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe komisioni për ligjet me shumicë të miratuar ose ndryshe ligjet me 3/5 e votave.

Në këtë mbledhje kryesisht u diskutua për Reformën zgjedhore. Të dyja palët, si shumica dhe opozita, kanë rënë dakord që komisioni për Reformën Zgjedhore do të përbëhet nga 5 anëtarë të shumicës dhe 5 të opozitës të cilët do të nisin nga puna për ndryshimet në kodin zgjedhore.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes shumicës dhe opozitës. Në një konferencë për shtyp, Topalli përgëzoi dy forcat politike të cilat sipas saj morën përgjegjësinë e tyre duke miratuar ngritjen e komisioneve.

“Dua të harroj debatin e 2 viteve dhe të përgëzoj palët që arritën të marrin përgjegjësitë e tyre dhe shpresoj që ligjet me 3/5 të shqyrtohen dhe të miratohen në kohën e duhur. Shpresoj që mirëkuptimi që është arritur sot do të jenë në themel të këtij komisioni” ka theksuar Topalli.

Topalli theksoi më tej se aktet e miratuara në Konferencën e Kryetarëve janë një sinjal i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar.

Edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, deklaroi për mediat se “miratuam me konsensus ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe një agjendë diskutimesh për një pjesë të projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave”.

Konsensusi në mesditë u arrit pas negociatave të disa ditëve më parë të përfaqësuesve të opozitës dhe shumicës për arritjen e një pakti për reformën zgjedhore.

Po ashtu palët kanë miratuar edhe draftin e opozitës duke vendosur edhe për ngritjen e një komisioni ad-hoc për shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave dhe të komisionit për rregulloren e parlamentit, i kërkuar po nga opozita.

Përmbushja e reformës zgjedhore ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar, i cili në vijimësi ka apeluar për ta kryer atë me përgjegjësi dhe në një kohë sa më të shpejtë. /Zëri/

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!