Rexhep Ismajli

Historiku i mbytjes (vrasjes) së njeriut

Shkruan: Rexhep Ismajli

(Pjesa e dytë)

Vrasja si fenomen shoqëror dhe individual, shkaqet e tij kanë qenë përherë objekt interesimi që nga paraqitja e shoqërisë njerëzore. Në të gjitha formacionet shoqërore, ekonomike, që nga bijtë e pejgamberit Adem a.s. e deri te rregullimi shoqëror bashkëkohor, individët i kanë sulmuar dhe i sulmojnë vlerat e caktuara shoqërore e individuale.

Sulmet ndaj vlerave të shoqërisë, duke filluar nga më e rënda – vrasje e deri te më të voglat, paraqesin një e keqe për bashkësinë njerëzore, sepse me ato çrregullohen marrëdhëniet shoqërore ekzistuese dhe me atë rast pak a shumë, vihet një pikëpyetje ekzistimi i bashkësisë shoqërore përkatëse. Sigurisht se çdo bashkësi shoqërore është mbrojtur nga sulmet e tilla shkatërruese.

Vrasja si dukuri negative në shoqëri është manifestuar në forma të ndryshme gjatë historisë njerëzore. Meqenëse as bashkësia shoqërore, as individët e lënduar nuk kanë qenë indiferent ndaj sulmeve të tilla, kundër autorëve të sulmeve të tilla janë ndërmarrë masa të ndryshme reagimi.

Historia e vrasjes fillon që nga fillimi i zhvillimit të njeriut të parë në këtë botë, daton me bijtë e Ademit a.s., ngjarje për të cilën më së miri na flasin vetë fjalët e All-llahut xh.sh.:

“Lexoju (Muhamed) atyre (hebrenjve e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbane nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” [1]

Gjithashtu, All-llahu në vazhdim edhe më tej tregon për ngjarjen e bijve të Ademit a.s.:

“Dhe nëse ti e zgjatë te unë dorën tënde për të më mbytur, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të të mbytur; unë i frikësohem All-llahut, Zotit të botëve!” [2]

Pra, shohim se vrasja si fenomen negativ në shoqëri daton që nga bijtë e Ademit a.s., Kabilin dhe Habilin, siç na tregon Kur`ani fisnik për këtë ngjarje, kur Kabili njihet si krimineli i parë, ndërsa Habili njihet si sakrifica e parë në tokë. Në këtë ngjarje të bijve të Ademit a.s. dhe në bazë të shumë ajeteve kur`anore që tregojnë për këtë ngjarje, kuptojmë se vrasja daton që prej kohës së tyre, pastaj kuptojmë se në këtë rast Habili u tregua më bujar dhe më fisnik ndaj vëllait të tij kur ai e zgjati dorën për ta vrarë vëllain e vet pa asnjë lloj frike ndaj All-llahut dhe duke mos treguar dashuri dhe dhembshuri ndaj tij, në të njëjtën kohë shohim se Habili u tregua i butë dhe i sinqertë ndaj urdhrave dhe kishte frikë ndaj All-llahut fuqiplotë. Ai u shpreh ndaj vëllait duke i thënë atij se “nëse ti e zgjatë dorën tënde për të më mbytur, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të të mbytur; unë i frikësohem All-llahut, Zotit të botëve.” Këto ishin fjalët e Habilit me rastin e grindjes mes tyre, mirëpo ai u bë kokëfortë dhe tregoi egoizëm ndaj vëllait të vet dhe e theu ligjin e All-llahut në tokë duke e mbytur atë.

Nga këto thënie kur`anore dhe nga kjo ngjarje e bijve të Ademit a.s. nxjerrim dy gjëra shumë me rëndësi: e para është se prej këtu fillon krimi i vrasjes si fenomen negativ në shoqëri dhe si një cilësi negative të cilën All-llahu e ndalon në Kur`an dhe e konsideron si mëkat të madh, një gjë që nuk ka vlerë dhe që nuk ka dobi te njerëzit në përgjithësi, e dyta është se muslimani duhet të marrë shembull nga kjo ngjarje dhe ta parandalojë veten nga kjo cilësi, të tregojë së pari frikë ndaj All-llahut fuqiplotë dhe të tregojë dashuri dhe vëllazëri ndaj njëri-tjetrit.

-Vazhdon-

Pjesa e parë:
Mbytja (vrasja) e njeriut në Islam

 

____________________
[1]. El  Maide, 27.
[2]. El  Maide, 28.

 

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!