Figurat e dalluara emblematike, gjithmonë lënë boshlleqet në shoqëri dhe në rajonet ku kanë jetuar e vepruar.
Një figurë e tillë ishte edhe Kadri ef.Pollozhani në Ohër, që e shënoi epokën e tij me personalitetin, dinjitetin, burrërinë, përkushtimin, besimin në të Madhin Zot dhe mospëruljen para asnjë pushteti, duke konsideruar se vetëm Zoti është i gjithpushtetshëm.
Veprimtaria e tij, ka lënë gjurmë të thella jo vetëm për kohën e kaluar dhe të tashme, por edhe për gjeneratat që do të vijnë, për mesazhin e tij se pa sakrifica nuk mund të mbrohet dinjiteti kombëtar e fetar.
Është shquar për urtësi, mençuri, mendjempreftësi, solidaritet dhe mjaft komunikativ.
Tërë jetën e tij në Ohër, ka zhvilluar një “luftë” për kulm mbi krye- ai ndërto shtëpinë, pushteti prish, sa që edhe ua ka uzurpuar pjesën e oborrit që ka pas ku shteti ka ndëruar objekte banimi, e atij nuk i është dhënë leja për ndërtimin e shtëpisë, për ta gëzuar më familje.
Këtë të drejtë qytetare dhe njerezore, përfundimisht e gëzon viteve të fundit të jetës së tij. Skajshmërisht ka qënë në shënjestër të pushtetmbajtësve gjatë gjithë kohës së ish sistemit. Nuk e ka pasë shprehi të flasë “në veten e parë” (unë dhe vetëm unë…), por, gjithnjë çdo arritje, ka dashur që tia përshkruaj kohës dhe zhvillimeve pozitive.
Ishte një luftëtar i paepur për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe fetar, ishte lajmëtar i denjë i një ardhmërie të mbarë. Ishte një nga simbolet e rezistencës, figurë emblematike e rezistencës në kontinuitet, sepse ishte pjestar i një familje me tradita dhe taban kombëtar dhe fetar. Dinte në mënyrën më të mirë të afirmojë vlerat kombëtare dhe fetare, por njëherit dinte të rezistojë dhe të kundërvihet ashpër në mbrojtje tëp o atyre vlerave.
Jeta e tij u shuna, ndërroi jetë ditëve të festës së Kurban Bajramit. Ishte besimtar i devotshëm udhëhequr nga thënjet e Kur’anit famëlartë, i bindur se Krijuesi e gëzon të drejtën që sipas një ajeti Kur’anor që thot: “inna lilahi ve inna ilejhi raxhiun” që do të thot; Ne jemi të Allahut dhe te Ai do të kthehemi.
Dihet se Allahu i ka sihariqëzuar këta njerëz me fjalët e tija duke u thënë: “O shpirt i qetësuar. Kthehu tek Krijuesi Yt, i kënaqur me ty dhe ti i kënaqur me Ate. Hyr në radhën e robërve të zgjedhur (të mirë), hyr në Xhennetin tim”.
H. Kadri ef. Pollozhani, ndërroi jetë më 9 nëntor të këtij viti, ndërsa u varros me nderime fetare në varrezat muslimane në Ohër. Në rrugëtimin e tij të fundit, morën pjesë shumë qytetar nga Ohri, Struga e rrethina, duke i thënë lamtumirën e fundit dhe njëherit faleminderit për ate që na dhurove, për ate që na mësove, për ate që na udhëzove, për ate që na këshillove, ndaj prehu në amshim H.Kadri ef. Pollozhani.
H. Kadri ef. Pollozhani, ose siç e njohin në këto vise Kadri Hoxha, ka lindur në Livadhi, më 4 qershor të vitit 1932, në një familje atdhedashëse dhe arsimdashëse, me taban të fortë kombëtar e fetar.
Me hapjen e shkollave të para shqipe, në vitin 1941, Kadri Hoxha është një nga nxënësit e parë të shkollës së parë shqipe në Livadhi, me mësues Enver Palluqin.
Duke qënë i etshëm për njohuri, pas kryerjes së shkollës fillore, Kadri Hoxha vazhdon shkollimin në Medresenë e Sarajevës së largët.
As shkollimi i tij në Sarajëvë, e as rinia e tij nuk kaloi pa sfida të regjimit famëkeq antishqiptar komunist të pasluftës. Ndjenjat e atdhedashusrisë, traditës kombëtare e fetare i trashëgoi dhe u brumos nga babai i tij Aziz Pollozhani, i cili më vitin 1949, është burgosur nga pushteti komunist, si rezistues, dhe është dënuar me burgim. Ai-Aziz Pollozhani- babai i Kadri Hoxhës (Pollozhanit), vdes në burg në vitin 1952, në rrethana edhe sot e kësaj dite të pasqaruara dhe të pandriçuara.
Kjo ngjarje, Kadri Pollozhanin e bën edhe më këmbëngulës në vazhdimin e rezistencës ndaj pushtetit, që e manifestoi gjatë tërë jetës së tij, deri në vdekje, më 9 nëntor të këtij viti.
Pas vdekjes së babait, ai filloi të ushtrojë misionin e tij si imam në Ohër, duke shpërndarë dhe rrezatuar mesazhet më të çmuara të njerëzimit. Ka qënë gjithnjë në krye të nismave dhe inisiativave për afirmimin dhe emancipimin sa më të madh të shqiptarëve në Ohër, Strugë dhe më gjërë, e sidomos nga viti 1961, kur edhe zytarisht jeton në Ohër.
Arsimimi i shqiptarëve në Ohër, ka qënë një nga synimet dhe preokupimet e tij, ndaj dhe ka qënë nismëtar dhe activist i palodhur në kërkesat për hapjen e shkollës së mesme në gjuhën shqipe në Ohër, duke mos lënë anash as aspektin e jetës dhe emancipimit fetar.
Kjo sjellje e Kadri Pollozhanit, nuk ka kalua pa u ra në sy shërbimeve famëkeqe të sigurimit-UDB-së famëkeqe, sidomos pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë.
Pikërisht, ashtu si herave tjera kur gjithnjë gjindej në radhët e para të nismave të ndryshme, edhe kësaj radhe, ai u radhit në anën e vijën e kundërshtarëve të sistemit dhe pushtetit antishqiptar, që e burgosi me motivacionin e mirënjohur për propagandë armiqësore kundër shtetit, me atë nenin e “famshëm 133” të Kodit Penal të ish Jugosllavisë.
As kjo nuk mjaftoi, sepse Kadri Pollozhanit iu ndalua të ushtrojë misionin e tij si hoxhë në Ohër e kjo nënkupton edhe në tërë teritorin e ish Jugosllavisë, duke e konsideruar gjithnjë të rrezikshëm për pushtetin. Për të mbajtur familjen dhe për të mbijetuar, nga dalja nga burgu, është marrë me bijqësi, por gjithnjë duke qënë kryelartë dhe krenar për veprimet e tija, pa u përulur kurrë. Kjo periudhë e rëndë për Kadri Pollozhanin që pushteti deshi ta përulë, zgjati deri në vitet e erërave të ndryshimeve të mëdha të viteve “90-ta.
Me fillimin e ndryshimeve politike dhe strukturore, Kadri Pollozhani, u bë nismëtar dhe strumbullar i themelimit dhe formimit të strukturave të subjekteve politike shqiptare në atë kohë dhe si i tillë u zgjodh edhe këshilltar në Kuvendin e komunës së Ohrit në mandatin 1991-1996.
Poashtu, ka ushtruar edhe detyrën e Myftiut në Myftininë e Ohrit.
Prehu në amshim H.Kadri ef. Pollozhani.
(Mehmet Latifi-INA)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!
Ngushellime familjes Pollozhani dhe te afermve dhe miqve prej familjes Haxhihasani nga Tetova.
Allahu xh.sh ia falte xheneti hafez Kadriut per punene e ti te pa lodhshme