Nacionale

Përurohet ‘Rruga e Kombit’

38 kilomtrat e parë të autostradës  Vermicë-Merdarë, janë inauguruar sot me pjesëmarrjen e  drejtuesve të më të lartë të Kosovës, Shqipërisë dhe zyrtarëve amerikan kongresmenit, Eliot Engel dhe ambasadorit amerikan Dell. Presidentja Atifete Jahjaga deklaroi se “rruga e kombit” është një ëndërr që bëhet realitet.
“Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe shteteve. Është lidhja jonë me korridoret e rëndësishme europiane. Politikat e koordinuara do të na bëjnë anëtarë të lirë e të barabartë të Bashkimit Europian”, deklaroi Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se ndërtimi i autostradës është një investim strategjik për zhvillimin e Kosovës. Thaçi e cilësoi autostradën që mban emrin e Ibrahim Rugovës si projektin më të madh dhe më modern në historinë e vendit. Sipas tij, Rruga e Kombit është civilizim dhe emancipim që ndan botën e re nga e vjetra.
“Ka kaluar një dekadë që kur kemi kaluar mbi tela me gjemba e kufij të ndarë dhe për këtë ditë që shohim sot është bërë luftë e gjatë, por sot ëndrra po bëhet realitet. Kjo është autostrada e jetës së re dhe e qytetarëve që hap kufijtë dhe thyhen barrierat e së shkuarës, duke hapur një horizont më shumë për qytetarët”, u shpreh Thaçi.
Ndërkohë Kryeministri Berisha e cilësoi “Rrugën e Kombit” si një agim të ri politik, ekonomik dhe social për Kosovën. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Berisha theksoi se rruga mundëson bashkimin e shqiptarëve më shumë se kurrë.
“Kosova në më pak se 3 vjet i dhuron qytetarëve te saj, kombit, rajonit dhe Europës një kryevepër të punëve publike. Kjo është një rrugë me domethënie të madhe për shqiptarët. Është rruga e zhvillimit të shpejtë, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj. Përmes kësaj rrugë, Kosova kontribuon për paqen stabilitetin dhe integritetin rajonal”, u shpreh Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë.
Autostrada  me një gjatësi prej 117 kilometra sipas projektit do kalojë gjithë Kosovën, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë deri në Merdare – kufiri me Serbinë, që  është vazhdimësi  e Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë. Ndërtimi i 38 kilometrave të parë të autostradës Morinë-Merdar ka kushtuar 330 milionë euro ndërsa kostoja e përgjithshme e projektit arrinë në afro 800 milionë euro. /alsat/

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!