Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha gjatë vizitës së tij në Shkup pati një agjendë të ngjeshur takimesh me krerët e shtetit maqedonas dhe me liderët e partive politike. Ardhmëria e Maqedonisë dhe Shqipërisë është në NATO dhe BE, deklaruan dy kryeministrat pas takimit që kishin në Qeveri. “Vendet tona kanë ardhmëri të përbashkët në NATO dhe BE. Shqipëria e përgëzon përparimin e madh që ka arritur Maqedonia duke plotësuar kushtet për anëtarësim në NATO. Por, duhet të zgjidhet kontesti i emrit me fqiun jugor, me qëllim që vendi juaj të ketë vendin e merituar”, tha kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i cili u prit me një ceremoni të veçantë nga ana e homologut të tij Gruevski. Ai pret që në një hark kohor 2 vjeçar distanca mes Shkupit dhe Tiranës të shkurtohet për 100 kilometra. “Me aksin Shkup-Dibër-Tiranë distanca do të zvogëlohet me 102 kilometra, në aksin tjetër Shkup-Strugë-Tiranë së paku me një orë. Jemi duke ndërtuar një lidhje të tretë ndërkombëtare, një aks kombëtar do të shtrohet në ndërkombëtar pasi që ka vetëm 7 kilometra nga kufiri me Maqedoninë nga Trebishta dhe qeveria shqiptare është e vendosur të ndërtojë çdo rrugë që lidh banorët tonë” deklaroi Berisha. Dy kryeministrat theksuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë miqësore, të përcjella me dialog politik intensiv dhe të nivelit të lartë, dhe me bashkëpunimin e mirë në të gjitha fushat të interesit të përbashkët. Kryeministri Gruevski theksoi se marrëdhëniet mund të zhvillohen në të gjitha fushat, sidomos në planin ekonomik, ndërsa bashkëpunimi i mirë do të jetë edhe në projektet e përbashkëta infrastrukturore me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja. “Maqedonia mbetet në mënyrë aktive e angazhuar për përparimin e marrëdhënieve me të gjithë fqinjët në sferën e bashkëpunimit rajonal. Të gjitha çështjet e hapura mund të tejkalohen me konstruktivitet të ndërsjellët dhe dialog në frymën e bashkëpunimit dhe bashkë-fqinjësisë”, theksoi Gruevski. Berisha paralajmëroi se së shpejti do të firmoset marrëveshja për qarkullim të qytetarëve të tyre nëpër të dy territoret vetëm me letërnjoftime (biometrike) pa pasur nevojë për pasaporta. Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Shkup, së pari u takua me Liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmetin, pastaj me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thashin. Gjatë vizitës së tij në Shkup, kreu i shtetit shqiptar pati takim edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, krye-parlamentarin Trajko Veljanovski, me kreun e komunës, Sadi Bexheti, si dhe vizitoi Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Berisha i gatshëm të ndihmojë shqiptarët e Maqedonisë
Pas takimit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, Berisha tha se pas luftës së vitit 2001 të drejtat e shqiptarëve janë përmirësuar dukshëm në Maqedoni. Ahmeti dhe Berisha u pajtuan rreth formimit të një këshilli koordinues për shënimin e vitit të shqiptarëve, gjegjësisht 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë si festë e të gjithë shqiptarëve. Berisha gjithashtu ofroi ndihmën e shtetit shqiptar në të gjitha fushat për shqiptarët e Maqedonisë, në veçanti arsimin dhe edukimin e oficerëve shqiptar nga Maqedonia në Akademinë Ushtarake të Shqipërisë.
Kryeministri vlerëson qëndrimin konstruktiv të PDSH-së
Kryeministri shqiptar Sali Berisha vlerëson lartë qëndrimin konstruktiv të liderit të PDSH-së, Menduh ThaçI dhe të partisë që ai udhëheq në mbështetje të të gjitha proceseve integruese, avokatinë që kjo parti bën si parti opozitare në parlamentin e Maqedonisë. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se pas takimit me kryeministrin shqiptar ka marr energji për të ecur përpara. “E sigurova kryeministrin Berisha se Partia Demokratike Shqiptare do të jep kontributin e saj në zhbllokimin e proceseve integruese, por edhe se do të vazhdojë të mos lëshojë pe në kërkesat me interes të shqiptarëve”, tha Thaçi.
Berisha: Kuzhina e Millosheviçit gatuan ndarje të Kosovës
Kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar idetë për ndarjen eventuale të Kosovës, duke deklaruar se ato ide vijnë nga kuzhina e Milosheviçit. “Dua t’ju kujtoj këtu se në fillim të viteve nëntëdhjetë, mesazherë të ndryshëm qarkullonin me harta në xhep për ndarje të Kosovës. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik, më i mirë, absolutisht, i të gjitha vendeve të këtij rajoni që nuk duan të përdorin gjyzlykët e kasapit të Ballkanit për rajonin dhe të ardhmen e tij. Tre komuna serbe, homogjene, pothuajse pa asnjë shqiptar, janë në veri të Kosovës dhe duan të tregojnë që nuk duan të jetojnë dot me shqiptarët, ndërkohë që shumica e serbëve jetojnë ndër Ibër dhe janë në paqe e harmoni me shqiptarët. Ideja për ndarje është një embrion i ëndrrës që i krijoi Ballkanit të gjitha ato drama dhe tragjedi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi. Asgjë tjetër,” tha Berisha.
Kryeministër i shqiptarisë
Qindra qytetarë të Tetovës kanë pritur pasditen e së mërkurës kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Të entuziazmuar ata e kanë pritur si hero kryeministrin e gjithë shqiptarëve, siç e quajnë ata. “Ai është kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Jam shumë i lumtur që arrita ta shoh Berishën këtu”, tha një plak 83 vjeç nga Tetova. “Berisha ndërtoi rrugën e kombit, ka nisur të ndërtojë rrugën e Arbrit. Ai është kryeministër i të gjithëve”, thotë një qytetar tjetër.
(Lajm)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!