Behaudin Gashi
Rrëmujë, hije që ulërijnë,
makina, njerëz shkojnë dhe vijnë!
Dhunë, gjakderdhje e klithma plot,
një mal urretje që s’e ndal dot!
Revolucion shkencor, luftra, zhvillim,
një konkurencë që të shtyn në krim!
Kurthe, vdekje, teknologji,
krimi flet dhe në shtëpi!…
Ditë që ikin, thahen, veniten,
përpara syve fëmijët rriten!
Ti, i hutuar, vjen rreth e rrotull,
pa shpresë, pa ditur, si një vorbull!
Një të shtyn djathtas, një tjetër majtas,
dikush të fshihet e dikush haptas!
Shpeshherë, ndër këmbë, e gjithë bota,
diku zë thyesh, të zien koka!
Dhe toka tundet nën këmbët e tua,
s’ka vend në të, për ty e mua!…
Ç’je duke bërë, s’e di akoma,
nuk e vret mendjen, kredhur në koma!
Je i trullosur, krejt i hutuar,
cinik, tekanjoz, i paduruar!
I lumtur qesh, harron për ç’ë,
shpesh të mërzitet m’e vogla gjë!
Dhe kur t’bjerret shikimi,
ti rend pas syzesh si mjet shpëtimi!…
Dhëmbët të bien, zhveshur ngel goja,
ti vë të tjerë dhe t’çelet goja!…
Gjunjëkëputur mbahesh në shkop,
e respekton si më të dashurin shok!
Ngjyrat e tij flasin vetë,
ai të jep vlerë, personalitet!
Doktorët recetat pa fjalë i stisin,
kutitë e ilaçeve tash të mahnisin!…
Sa keq për ty, o rob i shkretë,
s’e ke kuptuar se ç’po të ngjet?
Po mbarojnë çastet e qejfit, gëzimit,
po bien sirenat e fundit, mbarimit!
Je i dëshiruar për dritë, për paqe,
nga libri i jetës t’kanë ngelë pak faqe!…
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!