Presidenti, Ali Abdullah Saleh, u kthye në Jemen pas tre muajsh shërimi në Arabinë Saudite. U kthye prapa tinëzisht, pa fanfare dhe pa paralajmërim , në mëngjesin e hershëm të 23 shtatorit.
Diplomatët, madje edhe anëtarët e lartë të partisë së tij, ishin zënën në befasi. Shumë nga ta ende pyeten se çfarë nënkupton kjo gjë, dhe përse ai u kthye pikërisht tani.
Kjo për të mund të ketë qenë mundësia e parë, në kuptimin mjekësor, për kthim. Deri në takimin e tij me mbretin saudit Abdullah, javën e kaluar, Saleh ende i kishte duart e mbështjella me këllëfe mjekësore – mbase si rezultat i djegieve thella pas sulmit ndaj pallatit presidencial në muajin qershor. Shërimi i tij që nga atëherë duket qartë. Përparimi mjekësor i Saleh përputhet me demonstratat në rritje të të rinjve në gjithë Jemenin – dhe me përpjekjet brutale për shuarjen e tyre. Përderisa Forcat Revolucionare të Këshillit Kombëtar kanë njoftuar synimin për eskalim të protestave, pati edhe sugjerime shtimi i aktiviteteve pjesërisht ishte kurdisur nga ish-këlyshi i Saleh, i shndërruar në rival të tij, Ali Muhsin, një gjeneral ky i fuqishëm që iu bashkua protestuesve. Rritja e sigurisë në vetvete e lëvizjes së të rinjve koincidon edhe me valën në rritje të aktiviteteve fisnore. Ka shumë të ngjarë që kjo ishte një përpjekje e qartë për dëbimin e djemve dhe nipave të presidentit nga pallati luksoz, ku ata qëndrojnë, por edhe pamundësimin e kthimit të presidentit.
Përderisa Perëndimi fokusohet pothuajse ekskluzivisht në aktivitetet e Al- Qaeda’s në Jemen, Saleh nuk brengoset fare për këtë gjë – në fakt, ka dëshmi të shumta se ai ka orkestruar të paktën një pjesë të rrjetit, dhe se, me gjasë, mund ta rimarrë nën kontroll relativisht lehtë. Megjithatë, është e mundur që Saleh të jetë i shqetësuar me brutalitetin e djalit të tij të madh, Ahmed, të përdorur për shuarjen e marsheve protestuese paqësore drejt pallatit presidencial, e që eliminoi çfarëdo mundësie për një “legjitimitet” demokratik të regjimit kleptokratik së tij: sulmet e 18 marsit tashmë kanë shkaktuar përçarje të mëdha në vend, duke nxitur befasisht edhe dënimin e ashpër ndërkombëtar.
Kthimi i presidentit, dhe i fuqive të tij presidenciale, mund të jetë edhe pjesë e strategjisë së tij për zgjatjen e dialogut të padobishëm me opozitën politike, të ndërmjetësuar nga Këshilli i Gjirit për Bashkëpunim (GCC). Pa dyshim që presidenti do të vazhdojë me vonesa dhe turbullime: duke i rifilluar negociatat ose duke insistuar në parakushtet e tij të papranueshme. Apeli për zgjedhje, që u dëgjua të fjalimin e tij të së dielës, e përçon pikërisht këtë mesazh. Mirëpo, ende mbetet e habitshme nevoja për kthimin fizik të Saleh, meqë mungesa e tij e izoloi atë nga presioni i drejtpërdrejt politik. Mund të ndodhë që ai përfshirjen në konflikt e sheh si një avantazh më të madh politik – duke konsideruar se ky është një moment vendimtar për rifutjen e tij në politikën jemenase dhe për pozicionimin e vetvetes si njeri të vetëm që mund të kthej rendin. Nëse Saleh dhe miqtë e tij mendojnë të jetojnë një pensionim të qetë dhe të begatë, ata duhet të sigurojnë dorëzimin e pushtetit në duart e të tjerëve, po ashtu të përfshirë në krime kundër jemenasve. Çështja e imunitetit ndaj ndjekjes penale ende duhet të definohet nga GCC: disa vartës të regjimit sigurisht që s’do të mbrohen nga ai.
Fakti që sauditët lejuan kthimin e Saleh është po ashtu me rëndësi. Raportet e mëhershme theksonin se luksi i pallatit në të cilin u shërua Saleh kishte për qëllim inkurajimin e tij për të qëndruar atje: sauditët kanë një histori të gjatë të mikpritjes së disidentëve ose politikanëve në ekzil, me qëllim të kërcënimit ose shpërblimit të shteteve fqinje. Lejimi i kthimit të tij sugjeron se sauditët janë të brengosur me situatën në Jemen, dhe se më me dëshirë do të shihnin që të kenë dikë që kontrollon diçka atje, se sa askënd. Nëse është kështu, ka të ngjarë që Liga Arabe dhe GCC të vazhdojnë me shmangien e hetimeve ose të veprimeve lidhur me çështjen e konfliktin me lëvizjet e të rinjve të Jemenit. Kthimi i Saleh gjithashtu sugjeron se sauditët nuk kanë ndonjë kandidat tjetër alternativ për trashëgimin e tij, me të cilin do të pajtoheshin të gjitha fraksionet e familjes mbretërore. Megjithëse sauditët nuk dëshirojnë të kenë një kaos afër kufijve të tyre, ata nuk e dëshirojnë as një Jemen stabil: ngase demografia e tij paraqet kërcënim për Mbretërinë, njësoj sikurse edhe potenciali demokratik.
Prandaj, për sauditët Saleh përfaqëson një opsion më pak të keq. Kjo e vendosë Arabinë Saudite në pozitë të ngjashme me Perëndimin (edhe pse brengat e Perëndimit janë afatshkurtra, dhe lidhen vetëm me kundërterrorizmin). Këta dy elementë të jashtëm mund të jenë të gatshëm që edhe njëherë të qëndrojnë pas Saleh, veçanërisht nëse ai ka mundësi të kthej një pjesë të rendit publik, ose që të prodhojë efekte kundërterroriste. Përderisa fillimisht presidenti mund të ketë besuar që mund t’i shuaj protestat, presioni vetëm sa është shtuar javëve të fundit. Nëse ato shndërrohen në luftë qytetare, Saleh do të ketë mundësi që të komandojë me forcat e tij të armatosura, duke e shndërruar gjendjen kështu në një finale katastrofale të presidencës së tij. (The Guardian)
P.S. Rubrika "Shtypi" është krijuar për të sjellë tekstet që publikohen në mediumet e ndryshme, të cilat prekin çështjet e Islamit dhe të myslimanëve në përgjithësi. Redaksia e portalit "Breziiri.com" nuk qëndron prapa këtyre teksteve dhe jo çdo herë pajtohet me përmbajtjen e tyre.
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!