5. Përtacia në faljen e namazit
Nga cilësitë me të cilat dallohet hipokriti është edhe përtacia dhe dembellëku për kryerjen e obligimeve, e veçanërisht namazit. Kur të vijë koha e kryerjes së namazit, ata ngritën për në namaz me një dembellëk dhe përtesë të madhe. Ata nuk i përgjigjen kryerjes së namazin përzemërsisht, nuk përjetojnë kënaqësinë e shpirtërore të namazit, as nuk pushojnë me namazin, ngase këtë e bëjnë nga syfaqësia e tyre para njerëzve, kurse gjatë faljes së namazit nuk e përmendin Allahun xh.sh., pra nuk lexojnë, vetëm rrallë ndonjë herë. Pra, Allahu xh.sh. na tregon se adhurimet e tyre, namazi i tyre nuk kryhet për shkak bindjes dhe besimit të tyre, andaj edhe bëhet me përtaci dhe dembelizëm. Allahu xh.sh. thotë:
وَمَا مَنَعَهُمْ أَن تُقْبَلَ مِنْهُمْ نَفَقَاتُهُمْ إِلاَّ أَنَّهُمْ كَفَرُواْ بِاللَّهِ وَبِرَسُولِهِ وَلاَ يَأْتُونَ الصَّلاةَ إِلاَّ وَهُمْ كُسَالَى وَلاَ يُنفِقُونَ إِلاَّ وَهُمْ كَارِهُونَ
“Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi tjetër gjë vetëm pse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe namazin e falin vetëm me përtaci, e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urryer”[11]
6. Urrejtja në dhënies së sadekave
Nga faktorët shumë të rëndësishëm që prekë sedrën e hipokritëve është edhe dhënia e sadekave dhe ndihmave tjera materiale me të cilat obligohet besimtari islam. Përderisa besimtari islam ndihet krenar kur i jepet mundësia që të kryejë obligimet e tij materiale apo të ndihmojë dikë, ngase është i vetëdijshëm se për të do të shumëfishohet shpërblimi, te hipokritët është e kundërta e kësaj, ata ndihen të shqetësuar ngase ndihmën e konsiderojnë vetëm si gjobë, andaj kur detyrohet të japin diçka nga pasuria e tyre ndiejnë shqetësim sepse ky shqetësim është cilësi e hipokritëve. Ata veprojnë kështu ngase nuk shpresojnë në shpërblimet e Allahut xh.sh. e as nuk frikohen nga dënimet e Tij.
Pra, dhënia e sadekave të tyre është vetëm për syfaqësi sa për të dëshmuar para të tjerëve, e jo për të arritur kënaqësinë e Allahut xh.sh. e këtë e vërteto ajeti ku Allahu xh.sh. thotë:
“Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi tjetër gjë vetëm pse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe namazin e falin vetëm me përtaci, e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urryer”[12]
Nga kjo nënkuptohet se dhënia e sadekave dhe punëve tjera të mira që konsiderohen ibadete, për të shpresuar shpërblim te Allahu xh.sh. në botën tjetër, kushtëzohet imani-besimi në Allahun xh.sh., përderisa ky besim u mungon atyre, ata nuk do të jenë të shpërblyer te Allahu xh.sh.
7. Frika nga e vërteta
Nga cilësitë permanente të hipokritëve është edhe frika e përhershme e zbulimit të së vërtetës, sepse ata ishin të vetëdijshëm se këtë që e bënin ishte mashtrim dhe krim. Andaj sipas bindjeve të tyre, për shkak të frikës që e kishin, për ta mbajtur të mbuluar krimin dhe realitetin e tyre vazhdimisht detyroheshin të betohen rrejshëm para myslimanëve se edhe ata janë me myslimanët dhe pjesë e tyre. Mirëpo, ata ishin të shqetësuar dhe të frikuar nga myslimanët edhe atëherë kur thjeshtë takoheshin me myslimanët, sepse kishin frikë të mos zbuloheshin. Këtë e vërteton ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:
وَيَحْلِفُونَ بِاللَّهِ إِنَّهُمْ لَمِنكُمْ وَمَا هُم مِّنكُمْ وَلَكِنَّهُمْ قَوْمٌ يَفْرَقُونَ لَوْ يَجِدُونَ مَلْجَأً أَوْ مَغَارَاتٍ أَوْ مُدَّخَلاً لَّوَلَّوْا إِلَيْهِ وَهُمْ يَجْمَحُونَ
“ Ata betohen në Allahun se vërtet janë si ju, por ata nuk janë me ju, por janë popull që frikohen. Sikur të gjenin vendstrehim, ndonjë shpellë a ndonjë vrimë, ata do të shkonin aty me vrapim”[13]
Allahu xh.sh. përmes këtij ajeti na e bënë të qartë se frika që ishte rrënjosur në palcën dhe shpirtat e tyre është cilësi vetëm e hipokritëve, e assesi e myslimanëve, andaj në momentet kur bëheshin thirrjet për luftë në rrugën e Allahut xh.sh ata jo vetëm që nuk ishin të gatshëm ti bashkëngjiten myslimanëve në luftë, por ishin të gatshëm që të ikin diku larg dhe të fshiheshin diku nëpër shpella dhe vrima qofshin edhe nën tokë, vetëm ti shpëtojnë luftës. Krahas kësaj frike ata kishin edhe një frikë tjetër në zemrat e tyre, për të cilën na vërteton ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:
يَحْذَرُ الْمُنَافِقُونَ أَن تُنَزَّلَ عَلَيْهِمْ سُورَةٌ تُنَبِّئُهُمْ بِمَا فِي قُلُوبِهِم قُلِ اسْتَهْزِؤُواْ إِنَّ اللَّهَ مُخْرِجٌ مَّا تَحْذَرُونَ
“Hipokritët kanë dro se do të zbritet ndonjë kaptinë që do të nxjerrë në shesh atë që kanë në zemrat e tyre. Thuaj: “Ani talluni!” Allahu do ta zbulojë atë që i frikësoheni”[14]
Allahau xh.sh. përmes këtij ajeti na e zbulon edhe frikën e tyre se ata ishin të trishtuar se ndoshta mos Allahu do të zbresë ndonjë sure të Kur’anit ku do tua nxjerrë në shesh hipokrizinë e tyre, andaj Allahu xh.sh. i tha Muhamedit a.s.: Thuaju atyre, talluni ju me veten tuaj, se gjithsesi Allahu xh.sh. do të zbulojë sekretin dhe frikën tuaj. Ky ajet edhe më shumë u shtoi atyre frikën sepse tani më edhe ata e kanë të qartë se kjo do të ndodhë gjithsesi.
8. Nënçmimi i drejtësisë
Nga cilësitë evidente të hipokritëve është që ata jo vetëm që nuk e duan të drejtën dhe të drejtit, por i nënçmojnë dhe akuzojnë me padrejtësi dhe zullum. Këtë e vërteton ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:
وَمِنْهُم مَّن يَلْمِزُكَ فِي الصَّدَقَاتِ فَإِنْ أُعْطُواْ مِنْهَا رَضُواْ وَإِن لَّمْ يُعْطَوْا مِنْهَا إِذَا هُمْ يَسْخَطُونَ
“Ka prej tyre që do të bëjnë vërejtje në ndarjen e lëmoshës, nëse u jepet nga ajo, ata mbesin të kënaqur, e nëse nuk u jepet, ata hidhërohen”[15]
Meqë drejtësia është atribut që më së shumti i pengon të padrejtëve, atëherë s’ka dilemë se ajo më së shumti i pengon hipokritëve të cilët gjithnjë tentojnë të shpalosin përçarje dhe fitne mes njerëzve. Sipas tyre, drejtësia ishte nëse ata merrnin sa më shumë pavarësisht se e meritonin apo jo atë që e merrnin, e nëse u ndalohej të marrin për shkak se nuk meritonin, ata menjëherë fillonin me akuza dhe nënçmime ndaj atyre që e ndanin drejtësinë dhe sadekatë mes myslimanëve.
9. Pakënaqësia me atë që ua dhuroi Allahu xh.sh.
Nga cilësitë e besimit dhe besimtarit të vërtetë është që ai gjithnjë të jetë i kënaqur me atë që ia dhuroi dhe përcaktoi Allahu xh.sh. dhe i dërguari i Tij, kurse pakënaqësia me këtë është atribut i hipokritëve. Allahu xh.sh. ka thënë:
وَلَوْ أَنَّهُمْ رَضُواْ مَا آتَاهُمُ اللَّهُ وَرَسُولُهُ وَقَالُواْ حَسْبُنَا اللَّهُ سَيُؤْتِينَا اللَّهُ مِن فَضْلِهِ وَرَسُولُهُ إِنَّا إِلَى اللَّهِ رَاغِبُونَ
“E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha All-llahu dhe i dërguari i Tij, e të thonin: “Neve na mjafton All-llahu, All-llahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i dërguari i Tij, dhe se vetëm te All-llahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta)”[16]
Pakënaqësia e hipokritëve ndaj Allahut xh.sh. shprehet atëherë kur nuk arrijnë të realizojnë interesat e tyre materialiste të kësaj bote, sepse po të ishin të kënaqur atëherë do të falënderonin Allahun xh. sh. ashtu siç vepronin besimtarët islamë, kur u takonte më pak falënderon Allahun xh.sh. dhe thonin: Allahu xh.sh. do të na furnizojë edhe m,e begati tjera dhe do të na japë i Dërguari i Tij më shumë se sa na dha sot. Mirëpo, përderisa hipkritët nuk ishin të kënaqur me Allahun xh.sh. atëherë pakënaqësia ndaj Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) do të ishte edhe më evidente.
Hipokritët shprehën pakënaqësinë e tyre dhe i bënë vërejtje pejgamberit s.a.v.s. në ndarjen e plaçkës së fituar në luftën e Hunejnit. Ata nuk përfillën urdhrin e Allahut sipas të cilit ndante pejgamberi (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) por sa herë që nuk u jepte shumë atyre, ata ankoheshin në drejtësinë e ndarjes. Pra, ata në vend se të jenë falënderues ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, ata ngelnin të pa kënaqur. Ajeti në fjalë na informon edhe për etikën më të vrazhdët dhe më të shëmtuar të hipokritëve kur akuzonin Pejgamberin (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) për interesa të jetës së kësaj bote. Pra, kërkimi i kësaj bote pa botën tjetër është atribut i hipokritëve.
10. Ofendimi ndaj Pejgamberit a.s.
Meqë ata nuk ishin të kënaqur me drejtësinë e Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ata shprehnin edhe ofendime ndaj tij. Allahu xh.sh. thotë:
وَمِنْهُمُ الَّذِينَ يُؤْذُونَ النَّبِيَّ وَيَقُولُونَ هُوَ أُذُنٌ قُلْ أُذُنُ خَيْرٍ لَّكُمْ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَيُؤْمِنُ لِلْمُؤْمِنِينَ وَرَحْمَةٌ لِّلَّذِينَ آمَنُواْ مِنكُمْ وَالَّذِينَ يُؤْذُونَ رَسُولَ اللَّهِ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ
“Ka prej tyre që e ofendojnë Pejgamberin e thonë: “Ai është bërë vesh (beson çka dëgjon)”. Thuaj: “Ai është vesh i të mirës suaj (dëgjon të mirën dhe vepron e jo të keqen), ai beson All-llahun (çka i thotë), u zë besë besimtarëve dhe është mëshirues për ata që besuan nga mesi juaj, e ata që nuk e lënë të qetë të dërguarin e All-llahut, ata kanë dënim të dhembshëm”[17]
Ofendimi dhe nënvlerësimi i të dërguarit të Allahut (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) nga ana e hipokritëve, qoftë përmes fjalëve apo edhe veprimeve konkrete ishte thuajse përditshmëri e tyre. Ata duke keqpërdorur mëshirën dhe butësinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. pretendonin se Pejgamberi a.s. është një njeri i cili dëgjon të gjithë dhe u beson pa u thelluar në realitetin e asaj që dëgjon. Pra, këtë na e bënë të ditur Allahu xh.sh. përmes ajetit kur thotë hipokritët e akuzonin Pejgamberin a.s. se ai ishte bërë vesh i njerëzve dhe beson bë gjithçka që dëgjon. Mirëpo Allahu xh.sh. përmes po këtij ajeti konteston bindjen e tyre duke i dhënë përgjigje ku ua bënë me dije se Muhamedi a.s. është veshi i të mirës që dëgjon të mirën dhe vepron sipas saj, e jo edhe të keqën dhe se ai shumë mirë dinë dhe njeh të vërtetën dhe gënjeshtrën. Mirëpo mos reagimi i tij ndaj fjalëve dhe veprave të hipokritëve, që hipokritët e konsiderojnë paaftësi të tij, dhe mos zbulimi i sekreteve të hipokritëve para shoqërisë islame, është vetëm zbatim dhe implementim i dispozitave të sheriatit islam në fushën e marrëdhënieve me hipokritët.
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti sipas asaj që transmetojnë dijetarët islamë nga Ibni Abbasi r.a., është rasti kur një grup prej hipokritëve, në bisedat e tyre ofendonin dhe nënçmonin të dërguarin e Allahut (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). Dikush prej tyre që ishte në atë grup, ua tërhoqi vërejtjen hipokritëve duke u thënë: mos flisni kështu, sepse kam frikë se dikush do ta informojë Muhamedin për tërë këto që po i thoni, e pastaj do të hetohemi dhe do të marrë masa ndaj nesh! Njëri prej tyre me emrin Xhelas b. Suvejdi tha: Ne flasim çfarë të dëshirojmë, pastaj shkojmë tek ai, e ai na beson për atë që i themi, sepse ai beson për të gjitha çështjet që i thuhen. Në kët rast Allahu xh.sh. i zbriti Muhamedit a.s. ajetin e lartshënuar ku demanton pretendimin tyre.[18]
Në një transmetim tjetër të transmetuar nga Ebu Hatimi, e ky poashtu nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë: Një njeri me emrin Nebtel b. El Harith[19] vinte te Pejgamberi s.a.v.s. ulej në mexhlisin e tij dhe dëgjonte, pastaj fjalët e tij i dërgonte deri te hipokritët, e ky ajet zbriti për rastin e tij.[20]
Kjo cilësi e hipokritëve do të ishte brenda normales së tyre, sepse ata injoronin besimin ndaj Allahut xh.sh. dhe ishin të pa kënaqur me atë që ua dhuronte ai, andaj edhe ofendimi dhe nënçmimi ndaj pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) nuk do të ishte imun. Pra, përderisa ofendimit të hipokritëve nuk i shpëtoi as Pejgamberi a.s., atëherë si do të ishin të mbrojtur prej këtyre ofendimeve besimtarët islamë.
(Vijon pj. 3)
[11] Suretu Et-Teuvbe : 54
[12] Suretu Et-Teuvbe : 54
[13] Suretu Et-Teuvbe : 56-57
[14] Suretu Et-Teuvbe : 64
[15] Suretu Et-Teuvbe : 58
[16] Suretu Et-Teuvbe :59
[17] Suretu Et-Teuvbe : 61
[18] Ez-Zemahsheriju, El Keshaf 2/284.
[19] Nebtel b. El Harithi ishte një njeri shumë i shëmtuar me sy të kuqë, me flokë dhe mjekër të shthurur të trishtonte në shikim. Pejgamberi a.s. për të ka thënë: “Kush dëshiron që ta shohë shejtanin le ta shikon Nebtel b. El Harithin”
[20] Vehbe Zhejli, Et-Tefsirul Munir, 10/282.
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!