Vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në Egjipt, në selinë e Ligës Arabe në Kajro, tregon për ofensivën diplomatike të diplomacisë kosovare që ka ndërmarrë sipas strategjisë më të re për lobim, zbatimi i së cilës ka filluar kohë më parë.
Se vizita në fjalë ishte e një rëndësie të madhe jo vetëm për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Egjiptit, por edhe vendeve të tjera anëtare të Ligës Arabe, më së miri e argumenton jehona që vizita pati në të gjitha mediet egjiptiane, duke filluar me shkrimin redaksional të botuar në ditën e dytë të vizitës në të përditshmen autoritative të Kajros “Al-Ahram” e deri te intervistat e shumta për kanalet e ndryshme televizive egjiptiane dhe arabe, që pati kryediplomati kosovar.
Në bazë të asaj që shihej në medie, Hoxhaj, gjatë qëndrimit treditor në Kajro, pati një agjendë shumë të ngjeshur takimesh, duke filluar me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Nebil el-Arabi, i cili në këtë post është nga 1 korriku i këtij, në të cilin zëvendëson Amr Musan, që është kandidat potencial për kryetar të Egjiptit. Siç dihet, nikoqiri i premtoi ministrit Hoxhaj se “vendet arabe, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk kanë çka të presin më”.
Një takim me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet Kosovë-Egjipt ishte organizuar në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit me ndihmësministrin për Evropë, i cili i kishte premtuar mysafirit nga Kosova se Egjipti shumë shpejt do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky ndryshim i qëndrimit të Egjiptit ndaj çështjes së Kosovës është rezultat i revolucionit të 25 janarit të këtij viti.
Takimet tjera me rëndësi, gjithnjë sipas medieve egjiptiane, ishin ato me kandidatët e mundshëm për president të Egjiptit, siç ishte takimi me Amr Musan, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ligës Arabe, i cili është i njohur me çështjen e Kosovës nga pozita e tij e mëhershme.
Musa premtoi se çështja e Kosovës është një kauzë e drejtë për të cilën të gjitha vendet e Ligës Arabe duhet të kenë një qëndrim të përbashkët për njohjen e pavarësisë së saj, ofrimin e ndihmave të domosdoshme në fillimin e ndërtimit të shtetit më të ri në Evropë.
Në mesin e takimeve me partitë opozitare, vlen të përmendim takimin me Ejmen Nur, kryetar i organizatës joqeveritare “Mjaft”, e cila ishte shumë aktive kundër regjimit të Hosni Mubarakut, gjatë kohës sa ai ishte në pushtet. Sot kjo lëvizje është kthyer në parti politike me emrin “E nesërmja”, ndërkohë që kryetari i saj është në mesin e personaliteteve potenciale për kryetar të Egjiptit.
Ejmen Nur u deklarua se në aspektin partiak, Kosova është shtet i pranuar dhe i bëri apel komitetit ushtarak, që faktikisht po udhëheq Egjiptin dhe qeverisë egjiptiane në krye me Isam Sheref, të ndërmarrin të gjitha masat për pranimin e pavarësisë së Kosovës, hapave të të cilit do të shkonin edhe vendet e tjera arabe, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin më të ri në Evropë.
Ndër takimet me rëndësi që pati kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, e që është risi në diplomacinë e re kosovare, pa mëdyshje ishin takimet e tij me dy liderët shpirtërorë të Egjiptit. I pari ishte takimi me myftiun e Egjiptit, dr. Ali Xhuma.
Kurse, takimi tjetër me imamin e Madh dhe shehun e Universitetit të “Al-Az-harit”, dr. Ahmad Tajib, i cili në hierarkinë shtetërore të Egjiptit është zëvendëskryeministër, ndërkohë që në botën islame konsiderohet personi më kompetent për komentimin e islamit.
“Al-Az-hari” është universiteti më i vjetër në botën islame, është themeluar në vitin 971. Në të, që nga fillimi i shekullit njëzet e deri në ditët tona, ka studiuar një numër i konsiderueshëm i studentëve shqiptarë. Është i njohur për kultivimin e metodës së islamit të moderuar, për çka edhe atij ia mësyjnë studentë nga të katër anët e botës islame.
Vizita e shefit të diplomacisë së Kosovës, këtij personaliteti të lartë shpirtëror të botës islame, ishte një shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin që ky institucion i lartë edukativo-arsimor ka dhënë për arsimimin e shqiptarëve në aspektin islam, duke nënkuptuar edhe lidhjet shpirtërore në mes popullit egjiptian dhe atij shqiptar.
Kjo bëri që i pari i “Al-Az-harit” t’u drejtohet me një apel të veçantë të gjitha shteteve arabe dhe islame, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që këtë ta bëjnë sa më parë, që ky shtet i ri të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)
P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!