Atributet e hipokritëve në suren Et-Teuvbe (pj. 1)

Shkruan: Mr. Taxhedin Bislimi

Mr. Taxhedin Bislimi

Hipokritët (mynafikët) janë një kategori e çuditshme e njerëzve që nga të tjerët dallojnë përmes atributeve që karakterizojnë personalitetin e tyre të dobët. Meqë hipokritët është vështirë të dallohen në shikim të parë nga njerëzit tjerë, për shkak të maskave e tyre janë të shumta dhe të llojllojshme, ata mund ti dallojmë vetëm përmes atributeve dhe karakteristikave të veçanta që i posedojnë hipokritët. Në kontekst të kësaj All-llahu xh.sh. për ti informuar besimtarët islamë, që të jenë të kujdesshëm prej veprimtarisë së tyre dhe që të mos lakmojnë ato atribute, përmes Kur’anif famëlartë përmendi shumë atribute të tyre, nëpër shumë sure të Kur’anit Fisnik, por shumicën e tyre i përfshiu në suren Et-teuvbe. Andaj ne në vazhdim, do të përmendim atributet e hipokritëve që All-llahu xh.sh. i përmendi në këtë sure e që janë:

1. Betimi i rrejshëm në All-llahun xh.sh.

All-llahu xh.sh. është Ai i cili di jo vetëm veprat por edhe fshehtësitë e njeriut, andaj kur shtjellon çështjen e hipokritëve demaskon qëllimet e tyre. Në lidhje me këtë çështje All-llahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik thotë:

 لَوْ كَانَ عَرَضًا قَرِيبًا وَسَفَرًا قَاصِدًا لاَّتَّبَعُوكَ وَلَكِن بَعُدَتْ عَلَيْهِمُ الشُّقَّةُ وَسَيَحْلِفُونَ بِاللَّهِ لَوِ اسْتَطَعْنَا لَخَرَجْنَا مَعَكُمْ يُهْلِكُونَ أَنفُسَهُمْ وَاللَّهُ يَعْلَمُ إِنَّهُمْ لَكَاذِبُونَ

“Sikur të ishte fitim i afërt dhe udhëtim mesatar, ata (hipokritët) do të vinin pas teje, por për ta ishte largësi e vështirë. Ata do të betohen në All-llahun: “sikur të kishin pasur mundësi, do të dilnin me ju”. E shkatërrojnë veten e tyre, All-llahu e di se ata janë rrenacak”[1]

Meqë ngjarja ka të bëjë me betejën e Tebukit[2], që u zhvillua në një kohë të vështirë për shoqërinë islame marrë parasysh kushtet dhe rrethanat që kalonte shoqëria islame në atë periudhë, si dhe të nxehtit dhe vapa e madhe që mbretëronte, hipokritët filluan të mendojnë për justifikimet e tyre që të mos i bashkëngjiten ushtrisë së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Sipas tyre, kjo do të ishte aftësi, që edhe të i shpëtosh rrezikut të luftës, edhe sërish përmes arsyetimeve banale të ngelin si pjesë e shoqërisë islame. All-llahu xh.sh përmes këtij ajeti i sqaron Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe myslimanëve se, sikur udhëtimi të ishte më i afërt, apo edhe mesatar, dhe se ai udhëtim të kishte karakter të grumbullimit të pasurisë, atëherë sigurisht se do ti bashkëngjiteshin ushtrisë islame. Nga ky ajet përfitojmë një segment shumë të rëndësishëm për jetën e besimtarit islam që është, lehtësimi në vështirësi që fitohet përmes bindjes së fortë të besimit në All-llahun xh.sh. Ky ishte faktori kryesor që myslimanët fare nuk ngurruan as nuk u hamendën për asnjë moment për t’iu përgjigjur ftesës së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme për përgatitje për betejën e Tebukit. Për derisa kjo bindje dhe ky faktor mungonte te hipokritët, ata imagjinonin dhe hiperbolizonin vështirësi të mëdha saqë vështirë se do ti përballonin këtij udhëtimi. Mirëpo, për të paraqitur këtë realitet që e mbanin në kokat, zemrat dhe shpirtat e tyre nuk kishin guxim sepse jetonin të privilegjuar në shoqërinë islame, ngase shtireshin se janë mysliman, andaj u detyruan që qëllimin e tyre esencial ta fshehin kurse mospjesëmarrjen ta arsyetojnë me arsyetime banale.

Ata shkuan edhe më larg se kjo, duke e satanizuar veten, filluan që arsyetimet e tyre që ata në realitet e dinin se janë arsyetime të rrejshme, ti përforcojnë me betime të rrejshme në All-llahun xh.sh. se arsyetimet e tyre janë të vërteta. Ata filluan të betohen duke thënë: Pasha All-llahun, sikur të kishim pasur mundësi fizike dhe ekonomike, edhe ne do të dilnim me ju në luftë, por ja që nuk na lejuan mundësitë! Me këtë akt ata përmes hipokrizisë së tyre shprehnin keqardhje, edhe pse realiteti ishte krejt diçka tjetër, sepse as myslimanët nuk ishin në gjendje më të mirë se ata, por ajo që i nxori në luftë ishte bindja e tyre e brendshme që i mungonte hipokritëve. All-llahu xh.sh. përmes këtij ajeti informon pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe myslimanët se hipokritët përmes betimit të tyre të rrejshëm, nuk mund të arrijnë qëllimin e tyre, por vetëm mund të shkatërrojnë veten e tyre, sepse betohen rrejshëm. Të betuarit rrejshëm sipas parimeve të Islamit konsiderohet mëkat prej mëkateve të mëdha. Këtë e vërteton rasti kur një arab kishte ardhur te i dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe e kishte pyetur; cilat janë mëkatet e mëdha o i dërguari i All-llahut? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Të përshkruarit shok All-llahut xh.sh., pastaj cilat janë: Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: “Mosrespektimi i prindërve”, Pastaj cilat o i dërguari i All-llahut. Pejgamberi a.s. tha : “Betimi i rrejshëm fundosës” Të pranishmit e pyetën pejgamberin (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme): O i dërguari i All-llahut, çka është betimi fundosës? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: Betimi i cili e fundos pronarin e saj në zjarr të xhehenemit” [3]

2. Shpërndarja e fitnes

Pasi që All-llahu xh.sh. demaskoi se betimi i tyre është i rrejshëm, dhe se me këtë veprim, ata vetëm mund të dëmtojnë vetët e tyre, besimtarët islamë i inkurajoi që të qëndrojnë besnik edhe më tutje besimit të tyre. Në ajetin vijues All-llahu xh.sh. zbulon orekset dhe qëllimet e tyre, andaj All-llahu xh.sh. thotë:

لَوْ خَرَجُواْ فِيكُم مَّا زَادُوكُمْ إِلاَّ خَبَالاً ولأَوْضَعُواْ خِلالَكُمْ يَبْغُونَكُمُ الْفِتْنَةَ وَفِيكُمْ سَمَّاعُونَ لَهُمْ وَاللَّهُ عَلِيمٌ بِالظَّالِمِينَ لَقَدِ ابْتَغَوُاْ الْفِتْنَةَ مِن قَبْلُ وَقَلَّبُواْ لَكَ الأُمُورَ حَتَّى جَاءَ الْحَقُّ وَظَهَرَ أَمْرُ اللَّهِ وَهُمْ كَارِهُونَ

Edhe sikur të dilnin me ju, ata nuk do t’ju shtonin tjetër pos ngatërresës dhe shumë shpejt do të përçanin mesin tuaj, duke kërkuar t’ju turbullojnë. E ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata. All-llahu i di shumë mirë hipokritët. Ata edhe më parë tentuan përçarjen tuaj, t’i ngatërruan ty çështjet derisa të erdhi e vërteta dhe ngadhënjeu vendimi i All-llahut, përkundër asaj që ata e urrenin”[4]

Nga ajeti na bëhet e qartë se një nga cilësitë permanente të hipokritëve është konfuzioni dhe përçarja mes myslimanëve, andaj All-llahu xh.sh. na tregon se prej hipokritëve nuk pritej ndonjë e mirë për myslimanët, bile sikur ata ti përgjigjeshin pozitivisht ftesës së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. për në luftën e Tebukit dhe të shkonin në luftë, ata me intrigat e tyre më shumë do ti sillnin kokëçarje muslimanëve se sa të mira. Ata me intrigat dhe përçarjet e tyre do të shkaktonin një dozë të përçarje mes myslimanëve që ju në vend se të merreni me çështjet jetësore duhej të merreni me grindjet mes veti, sepse ata gjithnjë do ti rrinin gati ndezjes së fitnes mes myslimanëve. Sigurisht se do të ishte kështu ngase në mesin e myslimanëve sigurisht se do të gjenin njerëz ku do të plasonin intrigat e tyre, e  kjo do të dobësonte radhët e myslimanëve, andaj nga mëshira e All-llahut xh.sh. ishte që ata të mos jenë pjesëmarrës në radhët e ushtrisë islame, edhe pse në shikimin e parë dukej se kjo gjendje numerikisht dobësonte ushtrinë islame, në realitet ishte përforcim i radhëve të tyre.

Përçarja dhe fitneja si atribute të hipokrizisë dhe hipokritëve nuk u ekspozuan në sipërfaqe për herë të parë, e as që do të përfundoj me këtë rast, sepse ajo ishte evidente edhe më herët dhe do ti shoqërojë hipokritët deri ditën e kiametit. Pastaj për ta faktuar praktikisht gjendjen dhe ekzistimin e këtij atributi te hipokritët, e përkujton Muhamedin a.s. dhe myslimanët se ata një përçarje të tillë kishin provuar edhe më herët në rastin e betejës së Uhudit në të kaluarën. Rasti i Uhudit dihet fare mirë që ishte sprovuar përçarja e myslimanëve nga lideri i hipokritëve Abdullah b. Seluli i cili me veprimtarinë e tij hipokrite u solli kokëçarje myslimanëve kur nga gjysma e rrugës, respektivisht nga vendi i quajtur Eshevt, e copëtoi një të tretën e ushtrisë dhe e ktheu prapë në Medine duke u thënë: Pejgamberit iu kanë bashkëngjitur fëmijët dhe ata që nuk dinë të mendojnë me kokat e tyre, ne nuk kemi pse të vritemi! Pra ata kishin planifikuar kurthe për islamin dhe myslimanët, porse All-llahu xh.sh. e ndihmoi këtë fe me ndihmën e Tij.

Disa nga hipokritët e Medinës nga Muhamedi a.s. kërkonin leje paraprake duke i thënë: O Muhamed, na lejo neve që të zbatojmë kontratat tona dhe të mos marrim pjesë në luftë dhe të mos bien në sprovë. Kërkesat e tyre për mospjesëmarrje në luftë, i kontestoi All-llahu xh.sh. përmes shpalljes duke zbritur ajetin kur’anor ku thotë:

وَمِنْهُم مَّن يَقُولُ ائْذَن لِّي وَلاَ تَفْتِنِّي أَلاَ فِي الْفِتْنَةِ سَقَطُواْ وَإِنَّ جَهَنَّمَ لَمُحِيطَةٌ بِالْكَافِرِينَ

“ Dhe prej tyre ka të tillë që thonë: ”më lejo mua (të mos shkoj në luftë) e mos më vë në sprovë!” Ja, ata mu në sprovë kanë rënë (më parë). Xhehenemi gjithsesi i përfshin nga të gjitha anët jobesimtarët”[5]

Përmes këtij ajeti, All-llahu xh.sh. tregon se kërkesa e tyre që të lirohen nga pjesëmarrja në luftë dhe të mos bien në sprovë është e palogjikshme dhe e rrejshme sepse ata, tani më veç kishin rënë në sprovë, por nuk e kuptonin. Sprova e tyre ishte pikërisht në momentin kur kërkuan të mos jenë pjesëmarrës në luftën e Tebukit sepse në njërën anë përmes këtij veprimi do të demaskohet hipokrizia dhe mosbesimi i tyre që e fshihnin në brendësinë e tyre dhe do të nënçmojnë veten e tyre duke ngelur në vend  me të paaftit, fëmijët, pleqtë, gratë dhe të gjymtit.

Këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit a.s. i cili derisa përgatitej për të dalë për në rrugë, për në luftën e Tebukit,  Xhed b. Kajsit i tha: O Xhed b. Kajsi, çka mendon ti, për luftëtarët e romakëve?” Xhedi tha: O i Dërguari i All-llahut, unë jam njeri i ndjeshëm ndaj femrave, e kur ti shohë femrat e romakëve (të bardha dhe të bukura) do të sprovohem, andaj më lejo mua që të mos marrë pjesë në këtë luftë e të sprovohem. Në përgjigje të këtij arsyetimi të pa justifikuar All-llahu xh.sh. zbriti ajetin e lartpërmendur.[6]

3. Degjenerimi

Nga cilësitë që përherë i shoqërojnë hipokritët është edhe degjenerimi i tyre. Ky atribut reflektohet përmes rebelimit të tyre ndaj të vërtetës dhe shpërthimit të tyre me furi duke dalë nga nënshtrueshmëria ndaj All-llahut xh.sh.  All-llahu xh.sh. i tërheq vëmendjen Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe sqaron besimtarëve islamë për një intrigë të tyre që kinse janë të sinqertë, e atë e shprehin përmes  shpenzimeve dhe dhurimeve që i bëjnë në rrugën e All-llahut xh.sh. porse shpenzimet e tyre janë të pa pranuara për shkak të kufrit të tyre. Këtë e vërteton All-llahu xh.sh. përmes ajetit kur’anor ku thotë:

قُلْ أَنفِقُواْ طَوْعًا أَوْ كَرْهًا لَّن يُتَقَبَّلَ مِنكُمْ إِنَّكُمْ كُنتُمْ قَوْمًا فَاسِقِينَ

“ Thuaj:”shpenzuat ju me dëshirë a me dhunë, nuk u pranohet kurrsesi, vërtetë ju ishit popull i padëgjueshëm”[7]

Për shkakun e zbritjes së këtij ajeti kur’anor, transmeton Ibni Xherir Et-Taberiu nga Ibni Abbasi r.a.[8] i cili ka thënë: Kur Xhed b. Kajsi kishte vendosur të mos marrë pjesë në luftën e Tebukit, të Dërguarit të All-llahut (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i kishte thënë: Kjo është pasuria ime, me këtë të ndihmojë në luftë, por më liro mua[9], andaj zbriti ajeti i lartpërmendur. Pra, kur kemi parasysh shkakun e zbritjes së ajetit si dhe porosinë që na e jep ajeti, qartë nënvizojmë se  sadekatë dhe lëmoshat e tyre nuk do të jenë të pranuara te All-llahu xh.sh. për shkak se janë vetëm sipërfaqësore dhe me qëllime jo të mira, kurse vlefshmëria e veprimeve varet nga vlefshmëria e besimit, e jo të hipokrizisë.

4. Kufri – mosbesimi ndaj All-llahut dhe të Dërguarit të Tij

Nga cilësitë e përhershme të hipokritëve është mosbesimi (kufri) i tyre në Allahun xh.sh. në cilësitë e Tij dhe në dërgatën e Muhamedit a.s. Allahu xh.sh. thotë:

وَمَا مَنَعَهُمْ أَن تُقْبَلَ مِنْهُمْ نَفَقَاتُهُمْ إِلاَّ أَنَّهُمْ كَفَرُواْ بِاللَّهِ وَبِرَسُولِهِ وَلاَ يَأْتُونَ الصَّلاةَ إِلاَّ وَهُمْ كُسَالَى وَلاَ يُنفِقُونَ إِلاَّ وَهُمْ كَارِهُونَ

“Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi tjetër gjë vetëm pse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe namazin e falin vetëm me përtaci, e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urrejtur”[10]

Ky ajet kur’anor na bënë të qartë shkakun e mospranimit të veprave të mira dhe adhurimeve të hipokritëve. Pra na bëhet me dije se shkaku kryeso për mospranimin e  veprave të tyre është mohimi – mosbesimi i tyre në Allahun xh.sh. dhe në të dërguarin e Tij. Kjo nënkupton se hipokritët në esencë kanë mohimin kurse sipërfaqësisht paraqiten se e besojnë Allahun xh.sh. dhe atë që i shpallet të dërguarit të Tij. Pra, mosbesimi i tyre është pengesë e mjaftueshme për pranimin e veprave që i zbatojnë hipokritët. Veprat e tyre sipërfaqësisht duken se janë për hir të Allahut, por në brendësinë e tyre përmbajnë mendjemadhësinë dhe hipokrizinë. Pra,Veprat e tyre sipërfaqësore nuk përputhen me bindjen e tyre të brendshme andaj edhe këtu qëndron defekti i pranimit të veprave të tyre.

 

(VIJON)

 


[1] Suretu Et-Teuvbe : 42.

[2] Beteja e Tebukit ka ndodhur në Muajin Rexheb, në verën e vitit të nëntë të hixhretit. Tebuki është qytet në Veri të Medinës me largësi rreth 800 km. Kjo betejë përveç tjerave nxori në skenë edhe atribute e hipokrizisë, sepse edhe ishte luftë e vështirë dhe në ushtrinë myslimane kishte një numër të madh të hipokritëve.

[3] Buhariu, Muslimi

[4] Et-Teuvbe :47-48.

[5]  Suret Et-Teuvbe : 49.

[6] Ibni Kethiri, Tefsirul Kur’anil adhim 2/362.

[7] Suretu Et-Teuvbe : 53

[8] Dr. Vehbe Zuhejli, tefsirul munir fil akideti vesh-sheriati vel menhexhi, 10/248,Darul Fikr Damask, 1998.

[9] Er-Razi, Et-Tefsirul kebir 16/71.

[10] Suretu Et-Teuvbe : 54

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image « Previous Photo Next Photo »

You are viewing image number 1 of total 3 images.

View full image « Previous Photo Next Photo »

You are viewing image number 2 of total 3 images.

View full image « Previous Photo Next Photo »

You are viewing image number 3 of total 3 images.


Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!