Behaudin Gashi
O All-llahu im i dashur,
Ti je Zot i gjithësisë.
Ti ma bën zemrën të pasur,
t’mos vrapoj mbas ligësisë!
O All-llah, Krijues i Urtë,
Ti i ndan të gjitha fatet.
Ti ma zbut zemrën e ngurtë,
Ti m’i fal të gjithë mëkatet!
Kur rrëshqas nga rruga Jote,
Ti më thua në Kur’an:
Ndiqe Dritën hirëplote,
shejtani mbetet shejtan!
Dhe unë skuqem i turpëruar,
veten shoh me sy inati.
Ti All-llah i Madhëruar,
më thërret ku buzëqesh fati!
O All-llah, o shpresa ime,
në errësirat më mbulojnë,
ndjej në shpirt mijëra ndriçime,
që nga Ti, nga Ti burojnë!
Edhe kapem fort mbas tyre,
çka se këmba shpesh rrëshqet…
Të shpëtoj prej çdo mënxyre,
Mëshirëmadhi Ti më pret!
Më pas bëhem qiell me krahë,
bëhem një me kaltërsinë.
S’i njoh klithmat që bëjnë “ah”,
Ti më fal veç urtësinë!
E gugatem sikur foshnja,
toka nënë më përkëdhel.
Qesh e mira, plas e keqja,
mirësitë në jetë i vjel!
Ky shejtani, sterrë i zi,
bën t’më kapë e s’më kap dot.
Jam mbështetur veç tek Ti,
o All-llahu Fuqiplotë!
Hapem, mbyllem në vetvete,
porsi lulja “mos më prek”.
Misk të artë mbaj me vete,
çdo pisllëk që shoh e djeg!
Në xhami do të më shohësh,
nëpër safe, porsi era.
Midis shokësh do t’më njohësh,
si gonxhet kur vjen pranvera!
Mohuesit nuk i kam frikë,
Fenë hyjnore mbroj si trimi.
Mposht me forcë çdo të ligë,
jetën ma udhëheq Besimi!
Paqe, jetë, aromë dhe dritë,
mes dallëndysheve t’shtegtimit.
Buron qartë çdo natë, çdo ditë,
dritë-aroma e Besimit!
Dritë, dritë përmbi shkëlqime,
që shpon gjithë errësirat.
Është Islami, feja ime,
nga burojnë gjithë të mirat!
E ka zbrit i Madhi Zot,
ta njohim, ta praktikojmë.
Në e lëmë të shkoj kot,
vetet tona i dënojmë!
O All-llah, unë mirë e di,
besimtarët qartë të shohin …
Drejtësia Jote s’ka kufi,
mjerë ata që nuk të njohin!
Ligji vdekje do t’i vijë,
në çdo skutë që të fshihen.
Gjykimi Yt do t’i arrrijë,
në mes flakësh do përpihen!
N’Xhehenem, në zjarr, në vaj,
përgjithmonë do të mbeten.
Dhe askënd t’mos bëjnë me faj,
të fajësojnë vetëm veten!
Besimtarët e uruar,
padyshim do shkojnë n’Xhennet.
Mirësitë u vijnë shpenguar,
ua dhuron Krijuesi Vetë!
O All-llah, o Zoti im,
po të lutem, falmë Ti mua.
Veç nga Ti rrezon shpëtim,
mbi gjithçka unë Ty të dua!
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!