Gjykimi i Faraonit

Shkruan: Qemajl Morina

Gjykimi i Faraonit

Fillimi i gjykimit të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, më 3 gusht, në shoqërinë e dy bijve të tij, Ala dhe Xhemal, si dhe shtatë gjeneralëve kryesorë të policisë egjiptiane, me në krye ministrin e Punëve të Brendshme, Habib el-Adli, ishte një befasi e madhe për popullin e Egjiptit.

Egjiptianët e vjetër, sundimtarët e tyre, apo siç i quanin ata “faraonët”, i konsideronin zotër dhe i shenjtëronin. Ndërkohë që egjiptianët bashkëkohorë bënin atentat ndaj tyre, siç ishte rasti i atentatit ndaj presidentit të ndjerë, Muhamed Enver Sadat, më 6 tetor 1981. Kurse, egjiptianët bashkëkohorë, brezi i Revolucionit të 25 janarit 2011, të Egjiptit demokratik, nuk i shenjtërojnë e as nuk i vrasin pushtetarët e tyre. Por, ata i gjykojnë me drejtësi.

Kjo konsiderohet faza më e lartë e pjekurisë politike të një shteti, pohojnë analistët egjiptianë, lidhur me gjykimin e shekullit, siç po quajnë disa prej tyre.

Në dhjetëvjetëshin e fundit kemi pasur dy akte gjykimi ndaj dy presidentëve për krime lufte. I pari ishte gjykimi i ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në Tribunalin e Hagës, për krimet në ish-Jugosllavi, në vitin 1999. I dyti ishte ndaj ish-presidentit irakian në vitin 2005.

Për dallim nga dy gjykimet e lartpërmendura, sipas shumicës së analistëve egjiptianë, gjykimi i Hosni Mubarakut, është gjykim i thjeshtë kombëtar, njëra prej veçorive me të cilat dallohet Revolucioni i 25 janarit 2011. Sipas tyre, është e drejtë e popullit egjiptian që ta marrë në pyetje ish-presidentin dhe pushtetarët tjerë, për korrupsionin dhe administrimin e keq që Egjipti kishte përjetuar gjatë sundimit të tyre, për shkak të cilit vendi kishte përjetuar fiasko të vërtetë në të gjitha aspektet, si në atë shoqëror, ekonomik, arsim, shëndetësor etj.

Kjo kishte bërë që Egjipti të radhitet në pozitën e fundit të vendeve të rajonit. Këtu vlen të përmendim edhe kurdisjen e zgjedhjeve dhe falsifikimin e tyre, qofshin ato të nivelit lokal apo qendror.

Po ashtu, populli ka të drejtë ta gjykojë ish-presidentin, për shkak të qëndrimit të tij armiqësor ndaj Revolucionit të 25 janarit dhe vrasjes së më shumë se 850 qytetarëve egjiptianë të pafajshëm, të cilët u ishin bashkangjitur turmave milionëshe të egjiptianëve, që kishin dalë të protestonin nëpër sheshet dhe rrugët e Egjiptit, kundër sistemit dhe korrupsionit të qeverisë, që kishte përfshirë të gjitha segmentet e jetës.

Në ballafaqimin e parë, më 3 gusht, të ish-presidentit me trupin gjykues në selinë e Akademisë Policore të Egjiptit në Kajro, e cila mbante emrin e ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, ku pritej me nderimet më të larta gjatë vizitave të tij të shpeshta, kësaj radhe ai ishte sjellë si i akuzuar për t’u gjykuar në një barelë spitali, kurse dy bijtë e tij, po ashtu të akuzuar, përpiqeshin ta mbulonin pamjen e tij nga kamerat televizive. Ish-presidenti i Egjiptit, apo siç po e quajnë shumë analistë “Faraoni i fundit”, do të ballafaqohet me dy aktakuza: për korrupsion dhe për dhënien e urdhrave për vrasjen e protestuesve.

Në seancën e parë të 3 gushtit, ai tha se nuk ndihet fajtor. Por, atij i mbetet të ballafaqohet me drejtësinë në ditët në vijim. Gjykimi vazhdoi më 5 shtator, por tash e tutje pa transmetim televiziv, meqenëse kështu kishte vendosur gjykatësi në seancën e dytë të 15 gushtit.

Kështu pra, nën presionin e masës edhe filloi gjykimi i ish-presidentit, i cili karrierën e tij e ndërtoi në ushtrinë egjiptiane, në kohën e të ndjerit, presidentit Enver Sadatit, në luftën e tetorit të vitit 1971, ishte komandant i aviacionit, ku për herë të parë në historinë e konfliktit arabo-izraelit, ushtria egjiptiane kishte korrur fitore.

Për këtë sukses, presidenti Sadat, në shenjë mirënjohje e kishte emëruar zëvendëspresident të Egjiptit, në vitin 1975.

Atentati mbi Sadatin, në tetor të viti 1981, bëri që ai me automatizëm të kalojë president i Egjiptit, post të cilin e mbajti deri më 14 shkurt të këtij viti, ku nën presionin e madh të masave popullore u detyrua të tërhiqet nga pushteti dhe atë t’ia dorëzojë Komisionit të Lartë Ushtarak, me në krye ministrin e tij të Mbrojtjes, mareshal Hysejn Tantavi.

Zgjedhjet e rregullta presidenciale në Egjipt duhej të mbaheshin në dhjetor të këtij viti, për të cilat në mediet egjiptiane po spekulohej se Mubaraku, meqenëse ishte në moshën 82-vjeçare, po përgatiste të birin e tij Xhemal Mubarakun, i cili kishte post të lartë në hierarkinë e Partisë Nacional Demokratike në pushtet.

Kjo kishte irrituar tej mase popullatën, për shkak të qëndrimit të tij për 30 vjet në pushtet, andaj mezi që nuk pritej që kjo revoltë e akumuluar për vite të tëra të shprehej në një mënyrë. Revolta shpërtheu më 25 janar, e cila prishi të gjitha planet e tij, duke e sjellë ish-presidentin dhe dy bijtë e tij para gjyqit të popullit, në një ankth, të cilin nuk e kishte imagjinuar ai, as gruaja e tij e as dy bijtë e tij!

Andaj, atyre nuk u mbetet tjetër përveç t’i binden vullnetit të popullit, ballafaqimit me drejtësinë, në pamje, të cilat do të mbeten të gjalla jo vetëm në kujtesën e popullit egjiptian, por edhe në kujtesën e të gjithë popujve të botës, në veçanti të popujve arabë dhe sundimtarëve të tyre.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!