Para se të fillojmë të flasim për vazhdimësinë, të përmendim shembullin e një njeriu i cili gjatë ramazanit zbuloi bukurinë e islamit dhe ëmbëlsinë e imanit. Mirëpo, pas ramazanit i njëjti person vëren se shumica pas muajit të ramazanit nuk vijnë rregullisht në xhami për të kryer ibadetet, pas ramazanit zvogëlohet numri i vizituesve të xhamisë dhe personi në fjalë thotë: “Nëse kjo ndodh tek shumica e njerëzve atëherë s’ka nevojë as unë që gjatë këtij ramazani shijova ëmbëlsinë e kësaj feje të vij shpesh në xhami për çdo aktivitet që ndodh në atë xhemat.
Një gjë të këtillë nuk duhet assesi t’ia lejojmë vetes. Nuk duhet të ndalojmë së praktikuari fenë për shkak të tjerëve, sepse një person apo edhe grup njerëzish, assesi nuk mund të përfaqësojnë këtë fe të përkryer.
Aliu r.a thotë: “Njerëzit i njohim sipas të vërtetës, ndërsa të vërtetën nuk e njohim sipas njerëzve.”
Pra: Ne mund vetëm të masim sjelljen dhe raportin e njerëzve ndaj fesë dhe të vërtetës… ndërsa feja është ajo që cakton veprat e njerëzve dhe ndan të mirën nga e keqja, e jo e kundërta.
Në Kur’anin Fisnik Allahu i Madhërishëm flet për ata që nuk janë përpjekur dhe nuk kanë qenë të vazhdueshëm në ibadetet e tyre, për ata të cilët rregullisht janë falur ndërsa më pas kanë lënë namazin, për ata cilët e kanë lutur Allahun ndërsa më vonë janë harruar, për ata të cilët kanë përmendur Zotin, mirëpo më vonë kanë neglizhuar një gjë të tillë.
Për këta Allahu thotë:
“Ka nga njerëzit që adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm);
Nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet me të;
Po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme);
Ai e ka humbur këtë dhe jetën tjetër;
E ky është ai dështimi i qartë.” (Haxh, 11)
Pra, nëse mendojmë pak më mirë, ky ajet në të vërtetë flet për ne dhe për shumicën rreth nesh, sepse shohim shumë njerëz të cilët janë të qetë, të lumtur, të disponueshëm dhe kanë mendim të mirë për Allahun, mirëpo në momentin që e godet një sprovë e vogël fillojnë dhe flasin keq për Zotin, se Ai nuk është i drejtë, nuk është në anën e tij, etj. Ai i cili mendon në këtë mënyrë apo edhe i praktikon mendimet e këqija të tij, e ka humbur edhe dynjanë edhe ahiretin.
Gjithashtu, mund të shohim edhe njerëz që jepen pas fesë dhe ibadeteve, bëjnë vepra të mira, luten në mënyrë të përulur, sepse dëshiron që Allahu t’ia plotësoj kërkesat apo ndonjë dëshirë. Si p.sh. në momentin e dhënies së provimeve, apo kur e lut Allahut për shtimin e bereqetit dhe nafakës, kur e lut Allahun për martesë dhe pasi që Allahu ia plotëson dëshirat dhe lutjet, atëherë fillon të dobësohet lidhja e tij me fenë dhe Allahun, ngadalë obligimet e jetës e ngarkojnë tepër dhe ai ndalet nga vazhdimësia e ibadeteve ndaj Zotit të Tij e Cili e krijoi.
Ka edhe prej tyre të cilët i premtojnë Allahut se do të intensifikojnë ibadetet, dhe do të falen, do të agjërojnë, do të japin zeqatin, apo se edhe do të shkojnë në haxh, vetëm nëse Allahu i jep atë që kërkon. Dhe kështu ka disa njerëz që thonë: “Nëse Allahu i Madhërishëm më shëron nga kjo sëmundje, në dashtë Allahu do të shkoj në haxh.” Këso shembuj të ngjashëm kemi nga të gjitha anët.
Megjithatë, ka edhe nga ata që kur e marrin atë që dëshirojnë harrojnë premtimin e dhënë, dhe mu për këtë Allahu i Madhërishëm i përmend të tillët për të na paralajmëruar se një veprim i tillë nuk lejohet. I Madhërishmi thotë:
“Ka prej atyre që i kanë dhënë besën Allahut: “Nëse na jep nga pasuria e Vet, gjithsesi do të japim lëmoshë dhe do të jemi me siguri nga të mirët; Por kur Ai u dha nga mirësia e Tij, ata u bënë koprrac për këtë dhe u larguan, po ata edhe ashtu ishin të larguar.” (Et-Tevbe, 75-76)
Kjo gjithsesi se është një pasqyrë e shëmtuar, dhe mu për këtë vëllezër dhe motra të nderuara të mos lejojmë të na ndodh kjo dhe të bëhemi prej këtyre që Allahu i përmend me këto cilësi të këqija.
Shqipëroi: Arsim Dauti
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!