Mënyra e emërimit të Imamit (Kryetarit)
Neni 46
Mënyra e emërimit të Imamit (kryetarit) dhe zgjedhjes së tij sqarohet me ligj. Emërimi bëhet nën përkujdesjen e gjyqit dhe emërohet pas votimit të shumicës së votuesve.
Koment:
Mënyra e emërimit (votimit) të Imamit (kryetarit) është prej çështjeve të ixhtihadit, gjë që do të thotë se nuk është e përcaktuar saktësisht, për të qenë ajo një mënyrë obliguese.
Nga sahabët r.a. kemi disa mënyra të emërimit (votimit). Muhammedi a.s., kur ka ndërruar jetë, ka lënë opsionin konsultativ për shumë çështje në mesin e muslimanëve.
Nuk ka argument të prerë rreth obligimit të përcaktimit të Imamit (kryetarit) të muslimanëve. Ndërsa, disa argumente, të cilat tregojnë se disa sahabë janë më të vlefshëm se tjerët, nuk do të thotë se është e domosdoshme që ata të jenë Imam (kryetar) të muslimanëve. Udhëheqësi apo prijësi, në çdo vend dhe në çdo kohë, asnjëherë nuk është as më i dituri, as më i mençuri dhe as më i devotshmi ndaj All-llahut të Lartmadhëruar. Kjo është çështje normale, pasi ka dallime të llojllojshme të njerëzve, por edhe (sepse) pas pejgamberëve nuk ka njerëz të pagabueshëm.
Ensarët janë tubuar në Sahife për të zgjedhur Imamin (kryetarin) prej mesit të tyre, për muslimanët. Aty janë propozuar Ebu Bekri, Umeri dhe Ebu Ubejdete r.a. Aty janë bërë diskutime të nxehta për sa i përket zgjedhjes së Imamit (kryetarit): ose vetëm prej ensarëve, ose vetëm prej muhaxhirëve, ose të zgjedhin dy imamë (kryetarë) prej të dy palëve. Tubimi ka përfunduar me emërimin e Ebu Bekrit Halif (kryetar) të muslimanëve.
Imam Ahmediju thotë: Të gjitha kushtet e parapara për kryetar (imam) kanë qenë në favor të tij: Ai ka qenë mashkull, i lirë, kurejshit, me familje të dëshmuar, i moshës madhore, i mençur, musliman, i drejtë, i besueshëm, ndihmëtar dhe mbrojtës i islamit, përmbajtës i ligjeve, dëshmues i shehadetit, mbrojtës i çështjeve të fesë, nuk ka bërë mëkate të mëdha, po ashtu nuk i ka përsëritur shumë gabimet e vogla. Të gjitha këto janë cilësi të muslimanit të drejtë dhe të besueshëm.
Ka qenë prej të zgjedhurve “ehlil hal vel akd” dhe muxhtehid, rreth çështjeve të ixhtihadit dhe çështjeve të tjera. Ka pasur mendime të drejta dhe ide të mira në zgjidhjen e çështjeve të Sheriatit, të cilat janë të njohura si në çështje të trashëgimisë ashtu edhe në çështje të tjera. Ia shtojmë edhe atë se ai ka pasur njohuri për gjendjen e arabëve të mëhershëm dhe mendimet e tyre. Ka pasur njohuri në çështje të politikës, ka qenë mendjemprehtë dhe orator, ka qenë strateg ushtarak, organizues i ushtrisë, diplomat, gjatë udhëheqjes së tij nuk dihet të ketë bërë ndonjë lëshim apo gabim, ka qenë trim, i fuqishëm, i vendosur, i durueshëm, sidomos në çastet më të vështira me Muhammedin a.s., kur është strehuar në shpellë prej ndjekjes së idhujtarëve. Gjatë qëndrimit në shpellë e ka mbyllur vrimën e gjarprit me thembrën e këmbës së tij, dhe pasi që e ka kafshuar gjarpri nuk ka lëshuar asnjë ofshamë, vetëm e vetëm për të mos e zgjuar Muhammedin a.s., derisa ai ishte duke fjetur.
Është i njohur edhe veprimi me heretikët, kur ai ka thënë se: do t’i luftoj ata, nëse është në pyetje edhe vetëm me dy vajzat e mia. Ka marrë pjesë në të gjitha betejat me Muhammedin a.s.. Në çdo rast ai ka qenë i pari dhe i ka ndihmuar më së shumti fesë dhe muslimanëve, ka qenë i dëgjueshëm, ekzekutues i urdhrave dhe vizionar. Kur ka ndërruar jetë Muhammedi a.s. sahabët shpresën e kanë pasur te Ebu Bekri, po ashtu edhe kur kanë vendosur për mënyrën dhe vendin e varrimit të tij, por edhe për çështjet e tjera e kanë pyetur dhe kanë pasur mbështetje të fortë te ai për çdo problem. [3]
Kjo ka qenë forma apo mënyra e parë e angazhimit të sahabëve në zgjedhjen apo emërimin e kryetarit (halifes).
Pastaj vjen forma e dytë, apo mënyra e dytë, pas vdekjes së Ebu Bekër Es-Sidikut. Sahabët janë konsultuar, janë angazhuar dhe pas ixhtihadit kanë marrë vendim të emërohet Umer bin Hatabi r.a. dhe emërimin e kanë bërë prej minberit të xhamisë, duke e lexuar letrën e Ebu Bekër Es-Sidikut:
Bismil-lahirr-rrahmani-rrahim
“Ky është vendim, të cilin e ka marrë Ebu Bekër bin Ebi Kuhafe, në frymën e fundit të kësaj bote dhe të parën e botës tjetër, të cilin duhet ta pranojë edhe çdo kriminel e çdo pabesimtar: Unë e emëroj Halif (Kryetar) Umer bin Hatabin. Nëse ka biografi të mirë ky është mendimi im, unë dëshiroj çdo gjë të mirë, nëse është ndryshe atëherë ata që bëjnë mizori do ta kuptojnë se në çfarë drejtimi janë duke shkuar”.
Për këtë letër është regjistruar edhe teksti me variant tjetër:
Bismil-lahirr-rrahmani-rrahim
“Ky është propozimi (vendimi) i Ebu Bekër Es-Sidikut, zëvendësit të Muhammedit a.s. të dërguarit të All-llahut, i fundit në këtë botë dhe i pari pas shkuarjes në botën tjetër, të cilin duhet ta besojë çdo kriminel e çdo pabesimtar. Unë e emëroj Umer bin Hatabin. Nëse është i mirë dhe i drejtë, ky është mendimi im, nëse është mizor dhe kriminel unë të fshehtën nuk e di. Unë kam dëshiruar çka është më së miri, çdo njeri shpërblehet për punën e tij dhe ata që bëjnë mizori do ta kuptojnë se në çfarë drejtimi janë duke shkuar”. [4]
Ekziston edhe forma e tretë apo mënyra e tretë e emërimit të Uthman bin Afanit r.a. Kur është therë Umer bin Hatabi nga mexhusiu Ebi Lului, ka propozuar për kryetar (halif) 6 sahabë: por ka refuzuar që në mesin e tyre të jetë djali i tij, dhe po ashtu ka thënë fjalën e njohur: Prej familjes së Hatabit (mjafton) është propozuar një për kryetar (halif) të ummetit Muhammed s.a.v.s..
Gjashtë të propozuarit kanë qenë: Ali Ibn Ebu Talibi, Uthman bin Afani, Sead bin Ebi Vekasi, Abdurrahman bin Aufi, Zubejn bin El-Avami dhe Talhatu bin Abdullah.
Me këta të gjashtë, Muhammedi a.s., ka qenë gjithmonë i kënaqur, derisa ka ndërruar jetë – ka thënë Umer bin Hatabi.
Pastaj i ka thënë Suhejbit: Tri ditë bëhu Imam në Xhami dhe fale namazin me xhemat. Nëse në Xhami hyn ndonjëri: ose Uthmani, ose Zubejri, ose Seadi, ose Abdurrahman bin Aufi, ose Talha jepi përparësi atyre për të dalë Imam (sepse asnjëri prej tyre nuk ka qenë prezent). Nëse hyn Abdullah bin Umejri (djali im) ai nuk ka çka të kërkojë, ti bëhu Imam.
Nëse pesë (5) pajtohen, njeri refuzon, atëherë refuzuesin dënojeni me vdekje.
Nëse katër (4) pajtohen dy refuzojnë, ata të dy dënojini me vdekje.
Nëse tre pajtohen për njërin, ndërsa tre të tjerë për tjetrin atëherë vjen në ndihmë votimi i Abdullah bin Umerit, dhe cili prej atij grupi fiton, ai e emëron Halifin (kryetarin).
Nëse nuk pajtohen me votimin (vendimin) e Abdullah bin Umerit, atëherë bëhuni në anën e Abdurrahman bin Aufit dhe nëse pajtohet populli dhe ata nuk pajtohen kurrsesi, atëherë ekzekutojini ata që nuk lejojnë që të formohet kurrsesi pushteti.
Kështu Umeri r.a. ka qenë rigoroz në mendim, i mençur dhe i ka ditur pasojat e mosekzistimit të kryetarit në shoqëri dhe e ka ditur se karrierizmi sjell ngatërresa, ndarje dhe shkatërrime dhe nuk ka dashur që në asnjë moment të ndodhë një gjë e tillë.
Pasi, Umeri r.a., ra dëshmor porosia e tij u krye me përpikëri. Janë tubuar të kandiduarit dhe e kanë zgjedhur Uthmanin r.a. Ka ndodhur ngatërresë e madhe, është vrarë halifi (kryetari) dhe është ndarë dhe përçarë ummeti (shoqëria familjare muslimane).
Nga kjo rezulton se cilado mënyrë e zgjedhjes dhe emërimit të halifit (kryetarit) është e pranuar, nëse pajtohet shoqëria islame. Pasi me sheriat lejohet apo pranohet mendimi i shumicës absolute, nëse kandidati për halif (kryetar) i plotëson kushtet e parapara me Sheriat, pa marrë parasysh nëse zgjedhja e kryetarit bëhet me referendum, apo me vendimin e Kuvendit, apo me votimin e parlamentit, apo me votimin e kuvendit dhe parlamentit, dhe pa marrë parasysh a e fiton kandidati shumicën absolute 2/3, apo shumicën e votave të votuesve.
Ajo çka është e kërkuar me Sheriat është uniteti i shoqërisë dhe siguria e tyre. Islami nuk i refuzon rregullat të cilat i parashohin të mençurit dhe të urtit e shoqërisë.
- vijon -
Shkruan: Dr. Muhamed Sejid Ahmed El-Musejer, Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Shkëputur nga Libri: “Për kushtetutën Islame, Kapitulli i Pestë, Imami (Kryetari)”,
Nenet i hartoi dhe i renditi Univerziteti i famshëm i El-Ez’her-it.
__________________________________________________
[3] – “El-Imametu min Ebkarul Efkar fi usuli dijnë”, fq.243.
[4] – “Raxhin Rivajat fi Esedil Gajat”, nga Ibni Ethiri dhe Tarihu Taberiju dhe
po ashtu Imametu ve Sijasetu nga Ibni Kutejbetu.
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!