Ibrahimi a.s. dhe familja besimtare
Hyrje
Një familje fetare dhe e formuar në baza të shëndosha – sipas Islamit – është bërthama e një shoqërie të mirë dhe të shëndoshë. Prandaj, shihet si diçka me shumë rëndësi që të dy bashkëshortët të jenë fetarë dhe besimtarë praktikantë.
Përgjatë historisë së Ibrahimit a.s. me bashkëshorten e tij Haxheren, do të shohim mënyrën si ndikon feja në familje dhe tek fëmijët më pas. Do të flasim mbi tiparet dalluese tek një çift fetar, duke mos neglizhuar anët negative të një familjeje jofetare.
Historia e Ibrahimit a.s. dhe gruas së tij Haxheres
Transmeton imam Buhariu në koleksionin e tij të haditheve se Abdullah ibnu Abasi ka thënë: “Ibrahimi a.s. e solli Haxheren dhe djalin e saj Ismailin, të cilin e kishte për gjiri dhe i la tek Shtëpia e shenjtë (Qabeja) pranë një peme të madhe, sipër ujit të Zemzemit. Asokohe, Meka ishte e pabanuar dhe rreth saj nuk gjeje pikë uji. Ibrahimi a.s. vari një torbë të mbushur me hurma tek një degë e pemës, një kacek të mbushur me ujë dhe u nis të kthehej andej nga kishte ardhur”.
E habitur, Haxhereja e pyeti: “A Zoti të ka urdhëruar të na lësh këtu”?!
Ibrahimi a.s. iu përgjigj: “Po”.
Atëherë Haxhereja i tha: “Atëherë Zoti nuk do na lërë pas dore”, dhe u kthye tek i biri.
Ibrahimi a.s. vazhdoi rrugën, derisa arriti tek një kthesë ku nuk e shihnin më. U kthye me drejtim nga Qabeja dhe filloi të lutej me duart e ngritura nga qielli: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë”, (Ibrahim, 37).
Haxhereja vazhdoi t’a ushqejë djalin e saj me qumësht gjiri, ndërkohë që vetë ushqehej me hurmat dhe ujin, derisa këta të fundit u mbaruan. Kur u përfundoi dhe uji, djali i saj, Ismaili a.s., filloi të përdridhej dhe të qajë nga etja. Duke mos dashur t’a shohë në atë gjendje, u nis pa ditur ku të shkojë. Duke qenë se kodra Safa ndodhej më pranë, u ngjit mbi këtë kodër. Pasi u ngjit, u drejtua nga lugina me shpresë se do të dallojë ndokënd, por nuk dalloi askënd. Zbriti nga kodra Safa, kaloi luginën dhe u ngjit mbi kodrën Merva. Edhe atje qëndroi pak, me shpresë se mos dallon dikë. Duke mos parë njeri, zbriti nga kjo kodër, kaloi luginën dhe u ngjit sërish mbi Safa. Këtë gjë e bëri për shtatë herë rresht.
Thotë Abdullah ibnu Abasi: “Thotë Profeti a.s: Këto lëvizje janë riti i Sajit gjatë Haxhit”.
Kur Haxhereja u ngjit në Merve për të shtatën herë, dëgjoi një zë. Nga kodra pa melekun që hapi tokën derisa doli uji i Zemzemit. Menjëherë vajti tek vendi dhe duke parë ujin që rridhte, filloi të mbledhë rërë rreth tij me qëllim që të mos humbasë në tokë.
Thotë Profeti a.s.: “Zoti e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur të mos e kishte rrethuar ujin e Zemzemit me rërë, do të kishte rrjedhur si lum”.
Pasi shoi etjen dhe i dha të pijë dhe djalit të saj, meleku i tha: “Mos u shqetëso se nuk të harron Zoti! Këtu pranë ndodhet shtëpia e Zotit, të cilën do e ndërtojë ky djalë (për Ismailin) dhe babai i tij. Dije se Zoti nuk i lë pas dore njerëzit”! (Buhari 3/1227, kapitulli i profetëve, hadithi 3184).
Karakteristikat e duhura tek çdo bashkëshort dhe bashkëshorte
- Përsa i përket bashkëshortit:
Transmeton Ebu Hatim El-Muzenij, se i dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh”.
Dikush e pyeti: “O i dërguar i Zotit! Edhe nëse ai person ka të meta”?
Profeti a.s. iu përgjigj: “Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh”. Këtë e përsëriti tre herë.
- Përsa i përket bashkëshortes:
Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut ka thënë: “Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe’”, (Tirmidhij, 3/393, hadithi nr 1085).
Fjalët “t’u mbushshin duart me dhe’” janë një lloj mallkimi. Nëse nuk pranon të martohesh me një vajzë fetare, qofsh gjithmonë fukara. Por, arabët e përdornin këtë shprehje, për të stimuluar dikë në një çështje të caktuar. Për këtë qëllim e përdori dhe Profeti a.s. këtë shprehje. Me anë të këtij hadithi, Profeti a.s. i nxit të rinjtë, që prioritet për martesë, të kenë vajzat fetare dhe të përkushtuara.
Tiparet e një fetari
Zoti e di më mirë, por mendoj se një person, nuk mund të konsiderohet fetar, veçse nëse plotëson këto krietere:
- Të sillet mirë me palën tjetër.
- T’a pranojë kaderin e Zotit me qetësi.
- T’i shohë problemet familjare, si sprovë nga Zoti.
- Të ketë një vizion të qartë dhe të saktë për këtë botë, të jetë elastik dhe të dijë të komunikojë me të gjithë.
- T’a adhurojë Zotin në familje.
- Nëse e urren palën tjetër, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dhunon. Nëse e divorcon, këtë e bën në formën më të mirë.
Transmetohet nga Ebu Hurejre, se i dërguar i Allahut ka thënë: “Një besimtar nuk e urren një besimtare (të shoqen). Nëse nuk i pëlqen tek ajo një moral, do i pëlqejë një moral tjetër”, (Buhari 5/1958, hadithi 4802).
- Të tregojë kujdes të veçantë që fëmijët të mos ndjekin rrugë të keqe.
Metoda e ndjekur nga Profeti a.s. në edukimin e fëmijëve
1. – Që në çastet e para pas lindjes, i pëshpëriste në vesh emrin e Zotit dhe shehadetin. Këtë e bënte duke i kënduar ezanin në veshin e djathtë dhe ikametin në veshin e majtë. “Transmeton Ebi Rafi, se i dërguari i Allahut thirri ezanin në veshin e Hasanit dhe Husejnit kur lindën”, (Muslim 2/1091, hadithi 1469).
Në një transmetim tjetjër, Ebi Rafi thotë: “Kur Fatimeja lindi Hasanin dhe Husejnin, Profeti a.s. u thirri në vesh ezanin e namazit”, ((Muxhem El-kebir, Taberani. 1/313, hadithi 926).
2. – Kultivimin dhe rrënjosjen e dashurisë për Zotin dhe Profetit a.s. Kjo bëhet, që kur fillon të llogjikojë, derisa praktikat e fesë islame t’i duken të lehta dhe të dashura.
3. – T’i mësohet fëmijës Kurani famëlartë, duke filluar me suret më të shkurtra. Veç kësaj, është mirë që edhe të dëgjojë leximin e Kuranit. Thotë imam Hasan El-Benna: “Kurani është si ora. Disa njerëz e neglizhojnë dhe luajnë me të. Disa të tjerë e rregullojnë dhe përfitojnë prej saj. Ndërkohë që disa të tjerë e shfrytëzojnë sipas qëllimit për të cilin është prodhuar. I tillë është dhe Libri i Zotit. Disa njerëz e varin tek dera e shtëpisë ose e vendosin poshtë jastëkut. Disa të tjerë nuk e prekin me dorë, veçse në rast vdekjesh ose kur shkojnë tek varrezat. Ndërkohë që disa të tjerë e lexojnë, e mësojnë, e komentojnë dhe i zbatojnë këshillat dhe udhëzimet e tij. Njerëz të tillë, e sistemojnë jetën sipas ligjeve të Kuranit dhe sakrifikojnë në ngritjen e shtetit që do të gjykojë sipas këtij Libri”.
4. – Të mësohen të falin namazin që në moshën shtatëvjeçare. Profeti a.s. ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj, të falin namazin në moshën shtatëvjeçare. I rrihni për këtë qëllim në moshën dhjetë vjeçare dhe i ndani nga njëri-tjetri në shtrat”, (Sunen Ebu Daud, 1/187 hadithi 459).
5. – T’u mësohen moralet dhe edukata islame.
Transmeton Abdullah ibnu Abasi se ka thënë: “Isha me të dërguarin e Zotit një ditë dhe më tha: “O djalosh, unë do të të mësoj disa fjalë. Ruaje Zotin (në zemër) të të mbrojë (nga të këqiat). Ruaje Zotin (në zemër) ta gjesh Atë pranë teje. Nëse kërkon diçka, kërkoje prej Zotit. Nëse kërkon ndihmë kërkoje prej Zotit. Dije që sikur të gjithë njerëzit të mblidheshin për të të bërë dobi, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti dhe nëse do të mblidheshin të të dëmtonin, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti. Është tharë boja dhe janë mbyllur rregjistrat”“, (Sunen Tirmidhij 4/667, hadithi 2516).
6. – Të edukohet me dashurinë për të afërmit. Kjo të bëhet, duke caktuar një ditë në jave ose në muaj, ku të mblidhen njerëzit më të afërt, gjyshërit, xhaxhallarët etj. …
Përfundim
Fakti që burri dhe gruaja janë fetarë dhe besimtarë praktikantë, është një ndër faktorët më të rëndësishëm për një martesë dhe familje të suksesshme. Ai është shkaku kryesor, që e bën një familje të lumtur dhe të dashur. Tek familjet jofetare, ne dallojmë shumë anë negative si:
1. – Dhuna bashkëshortore, braktisja dhe keqtrajtimi.
2. – Padrejtësi të të gjitha llojeve dhe divorce pa shkak.
3. – Tradhëti bashkëshortore e perversitet seksual.
4. – Konsumim të alkolit dhe drogave të ndryshme.
Nëse hasim një nga këto fenomene tek një familje, që mendojmë se është fetare dhe besimtare, e vërteta është se kjo familje i ka keqkuptuar shumë parime të fesë dhe urdhërat e fesë nuk i zbaton siç duhet. Gjithësesi, Zoti e di më së miri.
Ibrahimi a.s. shok dhe edukues i djalit të tij
Në fillimet e jetës së tij, njeriu komandohet dhe udhëhiqet nga egoja. Për këtë, ai i kushton më shumë rëndësi kënaqësive dhe dëshirave ndaj gjithçkaje tjetër. Kurse në pjesën e fundit të jetës, primare për njeriun janë fëmijët, edukimi i tyre, dashuria dhe përkujdesja ndaj tyre. Madje kjo bëhet në kurriz të përkujdesjes ndaj vetes së tij.
Zoti e sprovoi profetin Ibrahim a.s. shumë rëndë, duke i kërkuar që djalin e tij të vetëm Ismailin, t’a therë si kurban.
Si Ibrahimi a.s. ashtu dhe Ismaili a.s., e kaluan me sukses këtë sprovë. Ky sukses i dedikohet marrëdhënieve shoqërore, që Ibrahimi a.s. kishte ditur të ndërtojë me të birin e tij. Duke pasur parasysh këtë, do të flasim shkurtimisht mbi këtë histori dhe do cekim ndikimin që ka miqësia dhe shoqërimi me fëmijët në jetën dhe edukimin e tyre.
Sprova
Zoti i madhëruar thotë mbi sprovën e Ibrahimit a.s: “Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti”? – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm”! Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë”, (Safat, 101-103).
Padyshim që diçka e tillë ishte shumë e rëndë dhe e vështirë për Ibrahimin a.s. Zoti nuk po i kërkonte Ibrahimit a.s. që t’a dërgojë djalin e tij në një betejë apo në një mision shumë të vështirë. Zoti po i kërkonte Ibrahimit a.s. që djalin e tij të vetëm, t’a therë, madje me duart e tij!
Më e habitshme se kjo, është kurajoja e Ibrahimit a.s., i cili ia tregoi djalit të tij urdhërin e Zotit dhe i kërkoi mendim. Ai po i tregonte se dëshiron t’a therë, për të çuar në vend urdhrin e Zotit! A nuk do e kishte më të lehtë, që t’a therte në një moment shkujdesjeje? Po cila ishte përgjigja e Ismailit a.s?
“I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar”!
Diçka e tillë nuk mund të komentohet thjesht si një bindje ndaj prindit dhe vullnetit të Zotit. Jo. Ai shfaqi bindje ndaj vullnetit të Zotit, por të shoqëruar me kënaqësi dhe siguri të plotë. Le t’i analizojmë pak më thellë fjalët me të cilat iu përgjigj ofertës së babait:
“O ati im” Fantazma e vdekjes nuk ia humbi llogjikën dhe etikën, që babait t’i drejtohet me fjalët më të përshtatshme. Kjo, edhe pse ishte babai ai, që do i merrte jetën.
“vepro ashtu siç je urdhëruar” Ai e dinte se ëndërra që sheh një profet është urdhër dhe se ëndrrat e profetëve janë të vërteta dhe shpallje hyjnore.
“Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm”! Edhe në këto momente, ai nuk e harronte, se njeriu është i dobët dhe se burimi i fuqisë ishte vetëm Zoti. Ai nuk e mori këtë vendim nga trimëria dhe guximi që e karakterizonte. Çdo gjë ai ia dedikonte Zotit dhe çdo ndihmë e lehtësim e priste prej Tij.
Kur Ibrahimi a.s. filloi t’a vërë në jetë urdhërin e Zotit pa u vonuar asnjë çast, kur gjithçka u bë fakt i kryer, kur si Ibrahimi a.s. ashtu dhe djali i tij Ismaili a.s. iu dorëzuan plotësisht vullnetit të Zotit… Zoti thotë: “Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën”. “Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh”“, (Safat, 104-107).
Me të vërtetë, Ibrahimi a.s. e përmbushi ëndrrën dhe mesazhin e Zotit pa hezituar dhe pa u lëkundur. Përderisa ai u tregua i gatshëm që të sakrifikojë gjënë më të shtrenjtë për hatër të Zotit, padyshim që Zoti do e shpërblejë me të mira. Në vend që të bëjë kurban djalin e tij, Zoti i ofroi një dash të majmë. Ashtu siç kërkove të kënaqësh Zotin duke iu bindur në gjithçka, ashtu do të të kënaqë Zoti me djalin tënd. Shpërblimi i të mirës është e mira. Kush preferon Zotin nga gjithçka tjetër, ai do të jetë i preferuari i Zotit nga gjithçka tjetër. I vuajtur dhe në fatkeqësi nuk është dikush, që e kanë mbuluar hallet dhe i ka rënë gjëma mbi kokë. I vuajtur dhe në fatkeqësi është ai person, që humbet shpërblimin e Zotit. Allahu i madhëruar e dinte, që një pjesë e zemrës së Ibrahimit a.s. është shumë e lidhur me djalin e tij Ismailin a.s. dhe deshi, që kjo zemër të pastrohej nga çdo dashurie tjetër përveç asaj të Zotit. Kur kjo u arrit dhe Ibrahimi a.s. u tregua i vendosur t’a çojë në vend urdhërin e Zotit, duke flijuar djalin e tij, Zoti ia kompensoi me një dash të majmë. Një ndodhi të tillë, Zoti e përjetësoi dhe që atëherë therja e kurbanit është traditë.
Më vonë, Zoti e përgëzon gruan e Ibrahimit a.s., Sarën, me lindjen e një djali. Thotë Zoti në Kuran: “Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut – për Jakubin“, (Hud, 71).
Jo vetëm që i përgëzoi për lindjen e Is’hakut, por u tha që Is’hakut do i lindë një djalë, Jakubi, gjatë jetës së tyre. Gëzimi që përjetojnë prindërit në lindjen e nipit, është shumë i madh, pasi garanton vazhdueshmërinë e familjes.
Ky ishte një shpërblim i madh për Ibrahimin a.s., i cili i kaloi me sukses të gjithë sprovat, që nga përballja me të atin idhujtar, me popullin e tij, mbretin tiran, përballjen me jobesimtarët, kur pranoi emigrimin nga vendlindja drejt tokës së shenjtë, kur pranoi të flijojë djalin e tij të vetëm, për mikpritjen dhe bujarinë, për ndërtimin e xhamisë së parë mbi tokë, Qabes, për adhurimin, përkushtimin, pendimin, mirënjohjen, ruajtjen e natyrës së pastër, sunetllëkun, lutjet etj. …
Të gjithë këto sakrifica dhe i gjithë ky përkushtim, u shpërblye nga ana e Zotit të madhëruar. Ai i fali Ibrahimit a.s. pasardhës të denjë, besimtarë dhe të ndershëm, me qëllim që t’a gëzojnë. Zoti i madhëruar thotë rreth këtij fakti: “Dhe, kur u largua nga ata dhe nga idhujt, që i adhuronin në vend të Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë”, (Merjem, 49).
Ibrahimi a.s. dhe djali i tij Ismaili a.s. ndërmorën një vepër të përbashkët, ndërtimin e Qabes. Zoti i madhëruar flet rreth këtij fakti: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!”, (Bekare, 127).
Edhe pse Ibrahimi a.s. udhëtonte shumë dhe ndodhej larg familjes dhe fëmijës, ai na jep një mësim shumë të rëndësishëm përsa i përket sakrificës dhe miqësisë, që duhet të ekzistojë në një familje.
Si mund t’i ruajë lidhjet e tij me fëmijët, një baba që udhëton shumë?
1. – Duke komunikuar sa më shpesh me ta.
2. – Duke qëndruar sa më gjatë me fëmijët, kur të jetë në shtëpi.
3. – Të kultivojë tek ta vlera të tilla si trimëria, besimi dhe mbështetja tek forcat e veta.
4. – Duke u sjellë mirë me nënën e tyre, duke e nderuar atë dhe duke e falenderuar për durimin dhe sakrificën që bën.
Edukimi i fëmijëve tek dijetarët e parë
Abdullah ibnu Mubarek u tha ushtarëve, me të cilët kishte dalë në luftë: “Cila mund të jetë ajo vepër, e cila është më e dobishme se kjo për të cilën kemi ardhur sot”?
Të pranishmit u përgjigjën: “Nuk dimë të ketë diçka më të vlefshme se kjo që po bëjmë ne”.
Abdullah ibnu Mubarek u përgjigj: “Një burrë i virtytshëm edhe pse në fukarallëk, me një familje të madhe. Ai zgjohet natën dhe i sheh fëmijët e tij, të cilët teksa flenë janë zbuluar dhe ai i mbulon me rrobat e tij. Një vepër e tillë është më e vlefshme, se kjo që bëjmë ne”, (Vahjul kalem, autori Mustafa Sadik Rafi’ij, 1/225).
Statistika
Minstria e çështjeve të familjes në Bon të Gjermanisë, deklaroi rezultatet e një studimi të bërë nga Zyra Federale e Statistikave, ku thuhej se një fëmije (nga 6 deri 18 vjeç) i kushtohet nga prindërit, vetëm tridhjetë minuta kohë nga 24 orë.
Këto tridhjetë minuta kohë, përfshijnë të ngrënit, bisedat dhe gjithçka tjetër që mund të ndodhë gjatë një dite. Përsa i përket kohës që u kushtohet atyre për argëtim si vajtja në teatër apo kinema etj., mesatarja ishte pesë orë nga e gjithë jeta e babait dhe e nënës. Vallë si i kalon një fëmijë 23.5 orët e ditës, pa prindërit e tij?
Revista Gines në numrin e saj të 1020 përmend një studim, sipas së cilit 40 % e fëmijëve nën moshën një vjeçare keqtrajtohen. Kurse përqindja e fëmijëve nën moshën tre vjeçare dhe që keqtrajtohen është 8 %.
Ndërkohë, në Britaninë e madhe u bë një studim mbi fëmijët, që konsumojnë alkolin. Studimi tregoi, se 20.5 % e djemve nga njëmbëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç dhe 20.3 % e vjazave të kësaj moshe konsumojnë alkol. Nëse i bashkojmë djemtë me vajzat, përqindja është 40.8 % e kësaj grupmoshe. Ose thënë ndryshe, gjysma e të rinjve të kësaj grupmoshe, konsumojnë alkolin në Britaninë e madhe.
Ndërkohë që në shoqëritë islame, nuk e hasim një fenomen të tillë. Madje edhe nëse kemi konsumues alkoli, përqindja e tyre është shumë e ulët dhe nuk përbën problem. Le t’a falenderojmë Zotin për mirësinë e islamit.
Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë gjithmonë me ju. Amin.
- vijon -
Shkruan: Xhasim Mutava
Përktheu: Elmaz Fida
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!