SHBA-ja do të ndërpresë të gjitha ndihmat financiare për Autoritetet Palestineze nëse këto të fundit do të kenë në plan të kërkojnë njohjen si shteti i pavarur nga OKB-ja në shtator.
Konsulli i SHBA-së në Jerusalem, Daniel Rubinstein, i ka thënë kryenegociatorit të Palestinës, Saeb Erekat, këtë mesazh në emër të administratës së presidentit Barack Obama. SHBA-ja gjithashtu ka paralajmëruar se do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit në OKB nëse Palestina dorëzon një kërkesë për njohje si shtet në kufijtë që janë përdorur për anëtarësimin në OKB në vitin 1967, që përfshijnë Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
“Në kuadër të hapave të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme, Kongresi i SHBA-së do marrë masa ndëshkuese, përfshirë edhe shkurtimin e ndihmave” thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Erekatit.
Konsulli amerikan ka thënë se SHBA-ja e sheh kërkesën e palestinezëve si të padobishme dhe se do të ishte më mirë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Izraelin.
Megjithatë Erekat i ka bërë thirrje SHBA-së që të rishikojë pozicionin e saj duke argumentuar se mbështetja për pavarësinë e Palestinës do të rrisë mundësitë për një zgjidhje mes dy shteteve në Lindjen e Mesme.
Bashkimi Evropian ende nuk është pozicionuar për këtë çështje, ndërsa disa shtete përfshirë Spanjën janë shprehur se do të mbështesin pavarësinë e Palestinës.
Nëse SHBA voton rezolutën në Këshillin e Sigurimit, plani i Palestinës do të ketë nevojë për 2/3 e votave në Asamblenë e Përgjithshme.
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!