Familjet e Profetëve – 2 – Profeti Ibrahim a.s.

- 2 -

Ibrahimi a.s. dhe mbrojtja e të drejtave të gruas

Hyrje

Islami, barazinë mes mashkullit dhe femrës e sheh në të drejta dhe obligime dhe jo në gjithçka. Në Islam është e rëndësishme, që secili të marrë të drejtat që i takojnë. Siç përmendet dhe në një hadith të Profetit a.s: “Burrat janë vëllezërit e grave”, (Ebu Daud 1/111, hadithi 236).

Gjithashtu, Kurani famëlartë i referohet edhe zanafillës së krijimit të burrit dhe gruas e cila është e përbashkët. Po ashtu, Kurani e barazon mashkullin dhe femrën përsa i përket përgjegjësive dhe obligimeve.

Në lidhje me historinë e Ibrahimit a.s. dhe bashkëshortes së tij Sara, do të flasim edhe mbi të drejtat e gruas në Islam, do të përmendim vendin, që Islami i ka dhënë femrës dhe në fund do të përmendim mbi disa dallime, që Sheriati ka bërë mes femrës dhe mashkullit.

Historia e Ibrahimit a.s. dhe e bashkëshortes së tij

Transmetohet se Ebu Hurejre ka thënë: “Ibrahimi a.s. nuk ka gënjyer veçse tre herë: Dy herë, gënjeu për t’u treguar idhujtarëve kotësinë e adhurimit të idhujve “Unë jam i sëmurë”, “e ka bërë idhulli më i madh” dhe herën e tretë gënjeu kur një nga mbretërit u josh nga bukuria e Sarës dhe dërgoi ushtarët t’a marrin. Kur ushtarët e pyetën Ibrahimin a.s. mbi Sarën, u tha: “Ajo është motra ime”.

Më pas, Ibrahimi a.s. i tha Sarës: “O Sara! Për Zotin nuk ka besimtarë të tjerë mbi tokë, veç teje dhe meje. Nëse të pyesim mbi mua, u thuaj që je motra ime dhe mos më përgënjeshtro”!

Më pas e morën Sarën dhe e dërguan tek mbreti i tyre. Me të hyrë në dhomën ku ndodhej mbreti, ky i fundit zgjati dorën t’a prekë, por menjëherë dora iu paralizua. I tronditur i kërkoi Sarës t’a lirojë, duke i premtuar se nuk do i bëjë gjë të keqe. Sara e luti Zotin dhe dora iu shërua. Mbreti u përpoq për herë të dyta t’a prekë, por përsëri iu paralizua dora më keq se herën e parë. Pasi Sara e luti Zotin, dora iu shërua. Të njëjtin veprim e përsëriti për herë të tretë dhe përsëri iu paralizua krahu. Pasi Sara e luti Zotin që t’a shërojë dhe mbreti u shërua për herë të tretë, i thirri shërbëtorët dhe ushtarët e tij duke u thënë: “Ju nuk më paskeni sjellë një njeri, por një shejtan”!

Pas kësaj ndodhie, mbreti urdhëroi shërbëtorët e tij, që t’i shërbenin sa më mirë Sarës dhe i dhuroi asaj një shërbëtore me emrin Haxhere. Kur Sara vajti tek Ibrahimi a.s. e gjeti atë duke u falur. Pasi përfundoi, Ibrahimi a.s. e pyetei Sarën mbi atë që kishte ndodhur dhe ajo ia ktheu: “Zoti bëri që t’i dështojnë planet”.

Thotë Ebu Hurejre: “Ajo (Haxhereja) është nëna juaj o bijtë e ujit të shiut”, (Buhariu 3/1225, hadithi 2179).

Me fjalët “bijtë e ujit” simbolizohen arabët e shkretëtirës, pasi endeshin në kërkim të oazeve dhe vendeve ku bie shi, për vete dhe bagëtitë e tyre.

Mbreti i keq që përmendet në historinë e mësipërme ishte në Egjypt. Kjo përmendet tek hadithet e imam Muslimit, ku Ebu Dherri transmeton, se i dërguari i Allahut ka thënë: “Ju do të merrni një tokë ku përmendet kirati (njësi peshe). Silluni mirë me ta, për shkak të besës, gjakut dhe krushqisë”, (Muslimi 4/1970 hadithi 2543).

Besa e lartpërmendur, simbolizon shenjtërinë e njeriut dhe të drejtave të tij. Gjaku, është për shkak se nëna e Ismailit a.s., është Haxhereja e cila ishte egjyptiane.

Kurse krushqia, për shkak se mbreti i Egjyptit, Mukaukis, i dhuroi profetit Muhamed a.s. një skllave, Marinë, me të cilën Profeti a.s. u martua dhe i lindi djali i tij Ibrahimi.

Argumente mbi vendin që zë gruaja në islam

Islami e konsideron misionin themeltar të gruas – për të cilin ajo është e përshtatshme si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht – si zonjë shtëpie. Ajo është përgjegjëse për edukimin e brezave të ardhshëm. Duke pasur parasysh këtë, islami e ka vlerësuar dhe i ka dhënë asaj vendin që i takon. Nga argumentet për këtë, do të përmendim:

1. – I dërguar i Allahut e filloi thirrjen dhe ftesën islame me një grua (Hadixhen) dhe e përfundoi po me një grua (Aishen). Gjithashtu, fjalët e tij të fundit ishin: “Ju këshilloj të silleni mirë me gratë!“, (Buhariu, 3/1212 hadithi 3153).

Në një hadith tjetër, Profeti a.s. thotë: “Kijeni frikë Zotin përsa i përket trajtimit të grave tuaja, pasi i keni marrë me besën e Zotit dhe u janë lejuar me fjalët e Zotit“, (Muslimi 2/886, hadithi 1218).

2. – Ashtu siç bëri me burrat, Profeti a.s. u mori besën dhe grave në mënyrë të barabartë. Këtë e bëri për të zbatuar porosinë e Kuranit: “O Profet, nëse vijnë tek ty besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”, (Mumtehine, 12).

3. – I dërguari i Allahut konsultohej me gratë. Ai i kërkoi mendim dhe këshillë të shoqes Umu Seleme në një çështje shumë të rëndësishme. Pasi Profeti a.s. ra dakord me mekasit mbi një marrëveshje paqeje për dhjetë vite (Hudejbije), u kërkoi muslimanëve t’i therrin bagëtitë, që kishin marrë si kurban dhe të rruanin kokat.

Tregon Umer ibnul Hattabi: “Për Zotin asnjëri prej nesh nuk lëvizi nga vendi i tij, saqë i dërguari i Zotit u detyrua t’a përsërisë tre herë”.

Duke parë që askush nuk lëvizi, Profeti a.s. hyri në çadrën e Umu Selemes dhe i tregoi atë që kishte ngjarë.

Umu Seleme i tha: “O i dërguar i Allahut! A dëshiron të të binden njerëzit? Dil jashtë dhe mos i fol askujt derisa të therrësh kurbanin tënd dhe të rruash flokët e tua”. “Profeti a.s. doli jashtë dhe pa i folur askujt therri devenë e tij, që kishte pregatitur për kurban dhe thirri berberin, që t’i rruajë flokët. Kur panë këtë, të gjithë muslimanët e tjerë filluan të therrin kurbanet dhe të rruajnë flokët, saqë prenë njëri-tjetrin nga inati”, (Buhari 2/974, hadithi 2581).

Kjo ndodhi, është argumenti më i mirë mbi pavërtetësinë e hadithit, që thotë: “Këshillohuni me to dhe veproni në kundërshtim me sugjerimmet e tyre”! (Nuk është vërtetuar kurrë, që këto fjalë janë të profetit Muhamed a.s.).

4. – Tregon Umu Hani bintu Ebi Talib: “Shkova tek i dërguari i Zotit (vitin kur morëm Meken) por ishte duke u larë. Pasi përfundoi, u vesh dhe fali tetë rekate. Pasi përfundoi, unë i thashë: “O i dërguar i Allahut! Vëllau im, Ali ibnu Ebi Talibi kërkon të vrasë filanin, të cilin unë e kam marrë në mbrojtje”. Profeti a.s. i tha: “Ai që ke marrë në mbrojtje, është edhe në mbrojtjen tonë o Umu Hani”.,(Buhari 1/141, hadith 350).

Ky hadith konfirmon të drejtën e grave për të marrë në mbrojtje burrat.

5. – Aisheja ishte referenca e shumicës së sahabeve në çështjet e fetvave. Ajo shpesh herë i korrigjonte fetvatë e sahabeve. Një rast i tillë është dhe kur dëgjoi se Amr ibnul As (r.a.) i urdhëronte gratë që t’i zgjidhnin gërshetat kur laheshin. Në këtë rast, Aisheja tha: “Për t’u habitur me këtë mendim të Amrit! I urdhëroka gratë të zgjidhin gërshetat kur lahen! Përse nuk i urdhëron t’i rruajnë fare flokët?! Unë dhe i dërguar i Allahut laheshim nga një enë e vetme dhe nuk bëja asgjë më shumë, veçse hidhja tre safa ujë mbi kokë”, (Muslim 1/260, hadithi 331).
Disa dallime mes burrit dhe gruas në disa dispozita të Sheriatit dhe shkaku

I pari: Dëshmia në gjykatë

Thotë Zoti në Kuranin famëlartë: “Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra”, (Bekare, 282).

Sipas juristëve dhe dijetarëve muslimanë, ky ajet vlen vetëm në çështjet me natyrë kriminale dhe transaksione (muamelat). Ndërkohë që në shumë çështje të tjera dëshmia e gruas është e barabartë me atë të burrit.

Nurmri i dëshmitarëve në ajetin e lartpërmendur, nuk ka të bëjë me aftësitë e tyre, por ka të bëjë me vetë çështjen për të cilën duhet të dëshmojnë. Kështu, kemi rastin e marrëdhënieve jashtëmartesore, ku nuk mjafton dëshmia e dy burrave. Ashtu siç kemi çështje të tjera, që kanë të bëjnë me natyrën e gruas, ku pranohet dëshmia e një gruaje të vetme.

Sot kemi shtete të tilla si Franca dhe Britania e madhe ku një gruaje nuk i lejohet të jetë gjykatëse dhe kjo për arsye që kanë të bëjnë me këtë funksion.

I dyti: Trashëgimia

Në Islam, trashëgimia ndahet sipas përgjegjësive të secilit nga trashëgimtarët dhe përderisa burri është përgjegjës për sigurimin e jetesës dhe nevojave, atij i takon pjesa më e madhe e trashëgimisë

Veç kësaj, parimi “mashkullit i takon dyfishi i femrës” nuk mund të përgjithësohet në të gjithë llojet e trashëgimisë. Parimi i lartpërmendur vlen vetëm për fëmijët e trashëgimtarit. Në disa raste trashëgimie, barazohet mashkulli dhe femra në pjesën që meritojnë nga trashëgimia e të vdekurit, p.sh: Nëse një burrë vdes dhe lë pas fëmijë dhe dy prindërit. Në këtë rast, secili nga dy prindërit marrin 1/6 e pasurisë, kurse pjesa e mbetur u ndahet fëmijëve.

Ka raste të tjerë kur femra merr më shumë se mashkulli, psh: Nëse i vdekuri ka lënë pas një vajzë dhe tre vëllezër të tij. Në këtë rast, vajza merr gjysmën e pasurisë, ndërkohë që vëllezërit e të vdekurit (xhaxhallarët e vajzës) ndajnë gjysmën tjetër. Në këtë rast, vajza merr më shumë se secili nga xhaxhallarët e saj.

Përfundim

Secili nga bashkëshortët kërkon që pala tjetër të mbajë përgjegjësitë që i takojnë. Kështu, burri kërkon nga e shoqja të kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, të komunikojë dhe t’i plotësojë nevojat fiziologjike. Po ashtu, gruaja kërkon nga i shoqi t’a bëjë të ndjehet e qetë dhe e sigurtë, t’i plotësojë nevojat jetësore etj. …

Vëlla musliman! Mos e bëj veten të tillë, që Ditën e Kijametit të vijë bashkëshortja jote dhe të të nxjerrë para Zotit duke i thënë: “O Zot! Ky më ka bërë padrejtësi, nuk më ka lënë të shkollohem, më trajtonte keq, nuk mi ka plotësuar nevojat dhe më ka bërë të vuaj gjithë jetën”.

Vëlla musliman! Unë të këshilloj të jesh si profeti Ismail a.s., për të cilin Zoti thotë: “Ai e urdhëronte familjen e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet”, (Merjem, 55).

Kushdo që e urdhëron fëmiljen e tij për vepra të mira dhe i ndihmon në këtë aspekt, ka fituar kënaqësinë e Zotit. E lusim Zotin të na bëjë nga kjo kategori! Amin!
Ibrahimi a.s. dhe privimi nga fëmija

Lindja e fëmijëve, është një ndër faktorët që e nxisin njeriun për t’u martuar. Kjo, pasi në këtë mënyrë plotësohet një nga nevojat më jetësore të njeriut, dëshira për të qenë prind. Ashtu si çdo burrë që ëndërron të bëhet baba një ditë, ashtu dhe çdo femër ëndërron të bëhet nënë. Duke pasur parasysh diçka të tillë dhe duke u frymëzuar nga historia e Ibrahimit a.s. me Sarën, ne do të flasim mbi vonesën në lindjen e fëmijëve. Ne do të përmendim motivin e martesës, objektivat e lindjes së fëmijëve dhe dobitë në vonesën e lindjes së fëmijëve.

Lindje e vonuar

Pas një periudhe të gjatë, të cilën e kaloi pa fëmijë, Ibrahimi a.s. ndjeu mall për fëmijë. Gruaja e tij Sara, duke e ndjerë dëshirën e Ibrahimit a.s. për të pasur fëmijë, i tha: “Zoti më ka privuar nga lindja e fëmijëve, prandaj fli me skllaven time! Ndoshta Zoti të jep një fëmijë me të”!

Kështu, Ibrahimi a.s. e pranoi dhe fjeti me Haxheren, e cila mbeti shtatzanë. Duke parë shtatzaninë e ish skllaves së saj, Sara filloi të bëhej xheloze. Sjelljet plot xhelozi të Sarës e frikësuan Haxheren dhe vendosi të largohej. Pasi u largua nga shtëpia ku banonte, u vendos pranë një burimi ku iu shfaq një melek, i cili i tha: “Mos kij frikë, pasi Zoti do e begatojë djalin që ke në bark”! Më pas e urdhëroi të kthehej sërish në shtëpinë e Ibrahimit a.s..

Kur u kthye tek Ibrahimi a.s., ajo lindi djalin e saj Ismailin. Thuhet që asokohe Ibrahimi a.s. ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, trembëdhjetë vjet para se t’i lindë Is’haku.

Më vonë, Zoti e përgëzoi Ibrahimin a.s. me një djalë tjetër i cili do i lindte nga e shoqja e tij Sara.

“Gruaja e tij, që rrinte aty, qeshi kur Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut – për Jakubin. Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme”! Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar”!, (Hud, 71-73).

Nga ky sihariq, Ibrahimi a.s. ra në sexhde për Zotin, si formë mirënjohje.

Zoti i tha: “Unë t’a pranova lutjen për Ismailin dhe e kam bekuar atë. Prej tij do të lindin njëmbëdhjetë pasardhës të famshëm dhe do e bëj udhëheqës të një populli të fisshëm”, (Historia e Ibnu Kethirit 1/145).

Objektivat dhe motivi i martesës

1. – Nevoja fiziologjike. Me anë të martesës plotësohen nevojat fiziologjike.

2. – Feja. Nxiten të rinjtë beqarë që të plotësojnë një kriter të fesë, për të cilin nxit si Zoti në Kuran ashtu dhe Profeti a.s. në sunet.

3. – Tradita. Me anë të martesës, ruhen dhe përcillen tek brezat e ardhshëm traditat dhe vlerat humane.

4. – Pozita shoqërore. Duke u martuar krijohen lidhje të reja, gjë e cila ndikon në zgjerimin dhe ngritjen e nivelit shoqëror të familjes. Kjo, sidomos nëse lidhjet martesore realizohen me familje, që gëzojnë një pozitë shoqërore të lakmueshme.

5. – Presionet shoqërore. Në shoqëritë arabe (fshat apo qytet, fetare apo jo) ushtrohet një presion i madh mbi beqarët – djem ose vajza – derisa të martohen.

6. – Presionet ekonomike. Sidomos në fshatra, burrat martohen nga nevoja që kanë për krahë të rinj pune.

7. – Dashuria. Martesa realizohet edhe për të përmbushur nevojën për të dashur dhe për t’u ndjerë i dashur.

8. – Lindja e fëmijëve. Për të plotësuar nevojën e të qënit prind, (Psikologjia e familjes arabe. Autor Hamdi Jasin dhe Ahmed El-Kenderij. Faqe 92-95).
Objektivat e lindjes së fëmijëve

1. – Pastërtia morale, nderi. Profeti a.s. ka thënë: “Edhe në marrëdhëniet seksuale me gratë tuaja ka shpërblim”.

Dikush e pyeti i habitur: “O i dërguar i Zotit! Edhe nëse ndonjëri prej nesh kryen marrëdhënie seksuale me gruan, do të shpërblehet”?

Profeti a.s. ia ktheu: “Po. Nëse do të kryente marrëdhënie seksuale jashtëmartesore ai do të ndëshkohej. Nëse këtë e bën me bashkëshorten shpërblehet”, (Muslim, 2/697, hadithi 1006).

2. – Pasardhës të denjë. Zoti i ka lëvduar njerëzit e Tij të dashur (evlijatë) ngaqë i kërkonin t’u japë gra dhe pasardhës të mirë. Thotë Zoti në Kuran: “edhe ata që thonë: O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”, (Furkan, 74).

3. – Shpërblimi. Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s. ka thënë: “Kur vdes biri Ademit, i ndërpritet shpërblimi nga veprat e mira që vepronte, përveç tre gjërave: Një sadaka rrjedhëse, një dije nga e cila kanë dobi njerëzit dhe një fëmijë që lutet për të”, (Muslimi 3/1255, hadithi 1631).

Fillesat e kufizimit të lindjeve familjare

Thirrjet për kufizimin e lindjeve në Europë, kanë filluar që në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. I pari që bëri thirrje për këtë ishte prifti dhe ekonomisti Maltos. Ai bënte thirrje për kufizim të lindjeve, me anë të metodave morale, si murgjëria dhe shtyrja e martesës.

Me këtë rast, është mirë të bëjmë dallimin e duhur mes kufizimit dhe planifikimit. Kufizimi i lindjeve do të thotë të lindësh një numër të caktuar fëmijësh. Ky numër duhet respektuar nga të gjithë familjet, pa pasur parasysh kushtet ekonomike, shëndetësore, psikologjike dhe sociale, (Ndërtimi i familjes muslimane, autor Halid El-ak, fq 266).
Rrethanat kur Sheriati e lejon kufizimin e lindjeve

1. – Nëse shtatzania dhe lindja ndikojnë negativisht ose e rrezikojnë shëndetin e nënës.

2. – Dëshira e gruas për t’u dukur gjithmonë e bukur dhe e freskët para të shoqit. Kjo, nëse sigurohet se shtatzanitë dhe lindjet e shumta e dëmtojnë bukurinë e saj. Thotë imam Gazaliu: “Një ndër arsyet e moslindjes së fëmijëve është dhe dëshira e gruas për të ruajtur bukurinë dhe freskinë e saj para burrit. Kjo është një arsye e konsiderueshme dhe nuk është e ndaluar”, (Rizgjimi i shkencave fetare 2/52).

3. – Dëshira dhe nevoja e burrit për të lehtësuar barrën e jetesës. Thotë imam Sheukanij: “Nga arsyet që e bëjnë një burrë të tërhiqet (duke e derdhur spermën jashtë mitre) është dhe dëshira për të mos pasur shumë fëmijë”, (Nejlul Eutar 6/251).
Dobitë e vonimit të lindjes së fëmijëve

1. – Forcohen lidhjet me Zotin dhe shtohen lutjet.

2. – Prindërit janë më të pjekur kur lindin fëmijën.

3. – Prindërit janë më të ndërgjegjshëm mbi vlerën e fëmijës dhe i përkushtohen totalisht edukimit të tij.

4. – Dy bashkëshortëve u jepet mundësia të kontribojnë më shumë në specialitetet e secilit, në lidhjet shoqërore dhe kanë rast të prezantohen më mirë me njëri-tjetrin.

Përfundim

Në traditën profetike (sunet) ceket një ilaç efektiv për të lindur fëmijë. Transmeton Xhabir ibnu Abdulla se një burrë nga Medineja vajti tek Profeti a.s. dhe i tha: “O i dërguar i Zotit! Nuk kam asnjë fëmijë”.

Profeti a.s. e pyeti: “Po a ke bërë istigfar dhe dhënë sadaka, që të kesh fëmijë”?

Tregon Xhabir: “Personi filloi të bëjë istigfar dhe të japë sadaka dhe i lindën nëntë djem”.

Dijetari Ali El-Qari, në komentin mbi këtë hadith thotë: “Diçka te tillë e përftojmë edhe nga ajeti që flet mbi popullin e Nuhut a.s.”: “… e u thashë: Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj”! (Nuh, 10-12).

Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë gjithmonë me ju. Amin.

- vijon -

Shkruan: Xhasim Mutava

Përktheu: Elmaz Fida

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!