Imami (Kryetari) nuk dëgjohet në Mëkate
Neni 45
Krijesa nuk dëgjohet për të bërë mëkat ndaj Krijuesit, po ashtu edhe Imami (Kryetari), në çfarëdo çështje e cila është në kundërshtim me Sheriatin.
Koment:
Të gjithë dijetarët janë pajtuar se Imami (Kryetari) dëgjohet në atë çka është e mirë, e dobishme dhe e drejtë, ndërsa nuk dëgjohet në çështjet të cilat janë në kundërshtim me ligjet e fesë. Dëgjueshmëria ndaj tyre është e kushtëzuar që mos të jetë në kundërshtim me urdhrat e All-llahut.
Imam Neveviu tregon se të gjithë ekspertët e jurisprudencës islame janë pajtuar (ixhmai) për këtë. Ai thotë: Dijetarët janë pajtuar unanimisht (ixhmai) në dëgjimin e Imamit (kryetarit) jo në mëkate, ndërsa e kanë ndaluar unanimisht për ta dëgjuar në mëkate. [2]
Po ashtu, edhe Kadi Ijad dhe të tjerët, kanë thënë po ashtu se të gjithë dijetarët unanimisht (ixhmai) janë pajtuar në këtë. Po shpjegojmë thënien e Muhammedit a.s. që thotë: “Dëgjo dhe bindju (Imamit) në rrezik, vështirësinë tënde, apo në lehtësi, në atë që të pëlqen, apo nuk të pëlqen, në atë që të le mbresa (brenga)”.
Pasi vështirësia, rreziku, e papëlqyera dhe ajo që le mbresa kanë të bëjnë në atë, që nuk pajtohesh me mendimin e Imamit (kryetarit) dhe idetë e tij.
Shtetasi ndonjëherë nuk mund të arrijë pozitën të cilën e meriton, ose pengohet në detyrën për të cilën ka aftësi, kjo nuk mund të ndikojë që Kryetari (Imami) të mos dëgjohet, dhe të mos i bindet.
Për këtë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka marrë vendim të prerë dhe këtë në rastin e mirënjohur, të cilën e tregon Ali bin Ebi Talibi r.a.: “Muhamedi a.s. ka dërguar një ekip (togë) për një detyrë, ndërsa udhëheqës të tyre ka caktuar njërin prej ensarëve dhe i ka urdhëruar për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur urdhrave të tij. Ata e kanë hidhëruar udhëheqësin, ndërsa ai u ka thënë: tuboni dru, ata kanë tubuar, pastaj u ka thënë: ndizini drutë, ata i kanë ndezur dhe është formuar flakë e madhe, pastaj u ka thënë: A nuk ju ka thënë i Dërguari s.a.v.s. që të më dëgjoni dhe të më bindeni? Ata i thanë: Gjithsesi po. Ai u tha: Hyni në zjarr! Ata shikuan njëri tjetrin dhe thanë: Ne prej zjarrit (xhehennemit) kemi ikur te i dërguari i Allahut dhe nuk e dëgjuan. Ai u qetësua nga mllefi dhe e fiku zjarrin. Kur janë kthyer te Muhammedi a.s. i kanë treguar për këtë ndodhi, ndërsa Muhammedi a.s. ka thënë: Po të hynin në zjarr nuk do të dilnin, pasi bindshmëria është në çështje të lejuara dhe logjike (jo në çështje të ndaluara dhe të palogjikshme)”.
Nga një transmetim tjetër, rasti ka qenë kështu: “Disa kanë dashur të hyjnë në zjarr, ndërsa të tjerët kanë thënë: po ne prej zjarrit kemi ikur”.
Kur ia kanë përmendur këtë ngjarje Muhammedit a.s. ai u ka thënë atyre që kishin dashur të hyjnë në zjarr: “Sikur të kishit hyrë në zjarr, do të ishit aty deri në Ditën e Kijametit”. Ndërsa të tjerëve u ka thënë: “Nuk duhet të bindesh (ndaj udhëheqësit) në mëkat ndaj All-llahut, por të bindesh në çështjet e logjikshme dhe të lejuara”.
Largimi, ndarja, veçimi nga udhëheqësi dhe ngritja e armës kundër tij, sjell shkatërrim në shoqëri, ndërsa shkatërrimi sjell urrejtje të vazhdueshme, kështu që shoqërinë e ndanë në grupacione dhe parti. Për këtë arsye është thënë: Është më mirë të jetë udhëheqësi i keq, sesa të ketë shpartallim të përgjithshëm.
Historia dhe praktika ka vërtetuar se ngritja e armëve kundër udhëheqësit e than të njomën, dhe e zhduk të thatën dhe shkatërron çdo gjë.
Mjetet paqësore dhe kushtetuese janë mjete për reformuesit, pasi kushtetuta jep të drejtë për lirinë e fjalës dhe të mendimit, lirinë e kërkimit të të drejtave. Shpata dhe kryengritja sjell shkatërrim, ndërsa urtësia dhe durimi janë çelësi i zgjidhjeve të problemeve. Për këtë ka këshilluar edhe Muhammedi a.s.: “Kthejani dhe jepjani të drejtën secilit prej jush dhe luteni All-llahun për t’iu kthyer e drejta të cilën e meritoni”.
Ekzistojnë hadithe, të cilat tregojnë për mosbindje ndaj Imamëve (kryetarëve), nëse vërtetohet haptazi se ata kanë kaluar në pabesim. Muslimi transmeton nga Ibadete bin Samed se, Muhammedi a.s. na ka thirrur: Ne e kemi uruar dhe e kemi pranuar dhe kemi premtuar se do ta dëgjojmë dhe do t’i bindemi në atë çka na pëlqen, e çka nuk na pëlqen, në kohë të mira dhe në kohë të vështira, por nëse është edhe në dëmin individual (e në dobinë e përgjithshme) dhe nuk do ta kthejmë urdhrin. Muhammedi a.s. na ka thënë prapë: “Nëse shihni pabesim të qartë, ju keni argument te All-llahu (për mosbindje)”.
Ka dallim të qartë në mes të mëkatit dhe pabesimit. Mëkati mundet të jetë dëmtim individual, ku e keqja dhe nënçmimi shkon drejtpërsëdrejti në veten e tij, por mund të dëmtojë edhe të drejtat e qytetarëve, por ka shpresë për t’u përmirësuar ose mundet për t’u tejkaluar, ndërsa sa i përket pabesimit, ai del prej të gjitha normave të karakterit të ummetit, çka nuk mund të pranohet kurrsesi, sepse ai e ka poshtëruar ummetin dhe e ka nënçmuar atë, i ka poshtëruar vlerat më të larta dhe më të shenjta të tij.
Pasi që udhëheqësia (Imami-Kryetari) e ka për detyrë për ta ruajtur fenë dhe për ta udhëhequr politikën e kësaj bote, si mund ta kryejë këtë detyrë pabesimtari, si mund ta mbrojë heretiku i fesë, si mund ta sigurojë atë idhujtari, si mund ta mbrojë ai i cili nuk ka fe dhe nuk e pranon shenjtërinë e saj?
- vijon -
Shkruan: Dr. Muhamed Sejid Ahmed El-Musejer, Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Shkëputur nga Libri: “Për kushtetutën Islame, Kapitulli i Pestë, Imami (Kryetari)”,
Nenet i hartoi dhe i renditi Univerziteti i famshëm i El-Ez’her-it.
__________________________________________________
[2] – “Sahih Muslim bi sherh En-Neveviju”, vëll.XI, fq.222, botoi “Darul Fikri li Suneti”, viti 1403 h..
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!