Ehlus-Sunneti Vel-Xhemaati – 7 – (Ndjekësit e Sunnetit dhe të bashkësisë)

- 7 -

Ja edhe një shembull:

Pjestarët e grupit konzervator, thonë se tekstet e Kur’anit duhet interpretuar ashtu sikurse janë, pa marrë parasysh se aspekti i jashtëm i tyre, përmbanë elemente të antropomorfizmit ndaj Allahut xh.sh.. Ndërsa, dijetarët e “ehlus-sunnetit vel-xhemaatit” pohojnë se pa iu larguar tekstit, pra pa e mohuar dukjen tekstuale të tyre, ata duhet të komentohen në dritën e ajeteve të qarta, në të kundërtën vjen deri te kundërshtimi i Kur’anit me Kur’an, apo te kundërshtimi i pikëpamjeve besimore, ndërsa një gjë e tillë është absurde që të ndodhë. Le ta ilustrojmë edhe këtë me një shembull. Një prej shembujve nga Kur’ani është ky:

Allahu xh.sh. thotë: - { نَسُواْ اللّهَ فَنَسِيَهُمْ إِنَّ الْمُنَافِقِينَ هُمُ الْفَاسِقُون } - “… Harruan Allahun (nuk iu binden), prandaj Ai i harroi (nga mëshira) …” (Kur’ani, Et-Tevbeh: 67). Po ashtu Allahu i madhëruar thotë: - { فَالْيَوْمَ نَنسَاهُمْ كَمَا نَسُواْ لِقَاء يَوْمِهِمْ هَـذَا } - “Sot, pra ne i harrojmë ata sikurse e patën harruar takimin e kësaj dite të tyre …” (Kur’ani, El A’raf: 51).

Në këto ajete potencohet se Allahu “harron”. Si mund të lejohet që harresa (en-nisjan) t’i atribuohet Allahut të madhëruar, ku dihet se ajo është prej llojit të gafletit (pakujdesisë), më se dhe Allahu është i pastër nga kjo, ku Ai vetë thotë: - { وَمَا كَانَ رَبُّكَ نَسِيًّا } - … E Zoti yt nuk është që harron” (Kur’ani, Merjem: 64). Sipas kuptimit të dy ajeteve të para, shihet se Allahu “harron”, ndërsa sipas ajetit të fundit, shihet se Allahu “nuk harron”.

Faktikisht, pamja e jashtme e ajetve është kundërthënëse, ndërkohë që dihet se ata nuk mund të jenë të këtillë, sepse këtë e ka dëshmuar vetë Allahu: “Atij (Kur’anit) nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë, është i zbritur prej të urtit, të Lavdishmit”(Kur’ani, Fussilet:42), pastaj citati: “… Sikur ai (Kur’ani) të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie”(Kur’ani, En-Nisa:82).

Tani lind nevoja se si mund që këto ajete t’i harmonizojmë në kuptimin e vërtetë të tyre, pasi është vërtetuar se ato në pamje të tyre sipërfaqësore janë totalisht kundërthënëse. Këtë nuk do të mund ta bëjmë derisa nuk e pranojmë të vërtetën se fjala “nisjan” në këto ajete është me kuptim alegorik, dhe se patjetër duhet që ajo të interpretohet nën dritën e ajeteve të qarta. Fundja ky është obligim.

Pra, nuk lejohet për asnjë çast të thuhet “Ai (Allahu) është që harron”, sepse harresa e Tij nuk është sikurse të harruarit tonë, apo mos ndoshta është harresë që lidhet vetëm me Allahun? [30]

Jo, kjo është metaforë e qartë dhe duhet të komentohet kontekstualisht, sikurse thotë Ibni Atijjeh:

Thënia e Allahut të madhëruar: - { نَنسَاهُمْ } - ne i harrojmë ata”. [31] është prej lajmërimeve të Tij të madhëruar, se çfarë do të vepòojë me ta, dhe se “nisjan – harresa” këtu është në kuptim të lërjes – braktisjes - { الترك } - (dhe jo se kjo ka të bëjë me harresë). Do të thotë, ky ajet (Kur’ani, El-A’raf: 51), përkthehet kështu: “Sot, pra, ne i lëmë në denim ashtu sikurse ata e kanë injoruar takimin e kësaj dite”. [32]

Në këtë kontinuitet, Prof .Dr. Muhamed Seid Ramadan El-Buti, thotë: “Pas gjithë kësaj që u tha, dije se metoda e selefëve në kohën e tyre ka qenë më e vlefshme, më e sigurtë dhe më e përshtatshme, me besimin e natyrshëm të mbështetur në logjikë dhe në zemër.

Kurse edhe metoda e halefëve në kohën e tyre është bërë fakt përfundimtar, prej të cilit nuk mund të largohet. E gjithë kjo për shkak të formimit të shumë shkollave dhe zhvillimit të debateve shkencore dhe për shkak të paraqitjes së retorikës, e cila mbështet në norma të termave apo shprehjeve figurative, për shkak të alegorisë dhe metaforës”. [33]

Duhet ditur se koha e sahabëve është krejt tjetër për akaidin se sa koha e pas shekullit të dytë, sikurse koha jonë që është po ashtu krejt tjetër.

Qasja për ta argumentuar besimin duhet t’i përgjigjet kohës, e jo për shkak të metodave të bëhemi viktimë e saj.

c). Mbi grupin e tretë

Kurse sa u përket grupit të tretë, ai është një kombinim, që ashtu sikurse u theksua bën gërshetimin edhe të argumenteve të grupit të parë edhe të grupit të dytë, prej fazës në fazë. Ky grup ndihmon në zhvillimin e psikologjisë islame.

Shkruan: Orhan Bislimaj

… fund …

Pjesa 1-7: (1), (2), (3), (4), (5), (6), (7).

Referenca:

[30] – Abdul Kerim Tetan, Muhamed Edib El Kilanijj, “Avnul muridi lish-sherhi xhevheret’it-tevhidi” fi akideti Ehlis-Sunneti vel-Xhemaati, boton Darul Beshair, botimi i dytë, 1999/1419, pa vend botimi 1/456.
[31] – Kur’ani, El A’raf:51.
[32] – Tetan & El-Kilanijj, “Avnul muridi …” po aty, fq.1/457.
[33] – Prof.Dr. Muhamed Seid Ramadan El Buti “Të vërteta e patundshme të besimit islam” (detyrimet e njeriut ndaj Krijuesit), boton ASR, Tetovë, 2004/1425, fq.128.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!