Nuk respektohen krijesat aty ku hidhërohet Krijuesi

Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!

Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!

Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:  “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!

Të nderuar xhematë!

Hutben e sotme do ta fillojë me një thënie të njohur të të Dërguarit tonë Muhammedit s.a.v.s. e cila thënie është rregull ku mbështeten shumë dispozita në të, e ajo është: “Laa ta’ate li mahlukin fii measijetil haalik” – që në shqip do të thotë: “Nuk respektohet krijesa në atë që hidhërohet Krijuesi”; “ose me fjalë të tjera nuk duhet dëgjuar, respektuar urdhrin e dikujt nëse ai të urdhëron në atë që Allahu e ka ndaluar ose në atë që Allahu nuk është i kënaqur me atë veprim.” Shpesh ndodh me vetëdije apo pa vetëdije muslimani ta hidhëron Allahun për hatër të dikujt tjetër vetëm e vetëm se ai ndodhë që ndonjëherë t’ia kishte kryer ndonjë punë ose ia ka bërë ndonjë të mirë, ndërsa harron se sa të mira na i ka dhënë Allahu i Madhërishëm.

Po sjellim disa ilustrime për të qenë sa më të qartë në këtë që themi: Muslimani për hatër të dikujt ulet në një vend ku ka pije alkoolike edhe pse me këtë hidhëron Allahun e Madhërishëm.

Muslimani prezanton në një thirrje që i bëhet në një dasmë edhe pse në të njëjtën dasmë festojnë bashkë burra e gra dhe me veshje jonormale, edhe pse me këtë hidhëron Allahun e Madhërishëm.

Muslimani për një synetllëk që dispozitën fetare e ka sunnet e jo farz shpenzon aq shumë sa me këtë e hidhëron Allahun e Madhërishëm.

Muslimani po ashtu për një synetllëk që dispozitën fetare e ka sunnet e jo farz bën mbi 100 harame dhe kjo i ngjanë proverbit të njohur i cili thotë: “Duke i rregulluar vetullat nxorëm sytë.”

Të nderuar xhematë!

A thua jemi ndalur ndonjëherë që të shënojmë gjatë një dite, sidomos ditë vere e të shohim se a ma shumë e hidhërojmë Allahun apo Ai është i kënaqur me punët që ne i bëjmë? Dhe pastaj ti përgjigjemi vetes se pse jemi në këtë gjendje që jemi… Unë jam i bindur se gjithë ne nuk pajtohemi me këtë, por nuk kemi guxim të marrim hapa konkret dhe të duhur në këtë drejtim.

Nuk guxojmë, nuk jemi të guximshëm shokut ti themi se unë nuk ulem në këtë vend se këtu përdoren pije alkoolike, nuk guxojmë ti themi mikut nuk vijë në dasmë se dasma jote nuk i ngjanë dasmës së një muslimani, ne nuk guxojmë ti themi nënës, motrës, gruas, vajzës – unë nuk dal me ty në treg se nuk je e mbuluar sipas dispozitave islame, edhe pse ne nuk e pëlqejmë këtë, ne nuk guxojmë ti themi dikujt diçka në këtë drejtim sepse vetë ne nuk e praktikojmë Islamin në tërësi…

Porosia apo këshilla e kësaj hutbeje do të ishte ajeti kur’anor, gjegjësisht porosia e Allahut të Madhërishëm drejtuar të gjithë neve: “O ju besimtarë mbrojeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri i Xhehennemit!” - ndërsa nuk do të jemi të mbrojtur ne dhe familja jonë – nëse në çdo punë apo veprim nuk ndalemi të shikojmë se me këtë punë a e hidhërojmë Allahun e Madhërishëm apo jo…

____________________

(Kjo hutbe është mbajtur nga Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!