Ehlus-Sunneti Vel-Xhemaati – 6 – (Ndjekësit e Sunnetit dhe të bashkësisë)

- 6 -

Sa i përket qëndrimeve ekstreme dhe përçarëse të konzervatoristëve ekstremë, të motivuara nga aspiratat injorante sikurse ai i Uthejminit ku thotë se: “esharinjtë, maturidinjtë dhe të tjerë nuk janë prej ehli Sunnetit vel-xhematit”. [25]

Më se dhe merr guximin që t’i gjykojë me përjashtim shumicën absolute të muslimanëve nga grupi i “ehlus-sunnetit vel-xhemaatit”, përkatësisht duke i përjashtuar mu themeluesit e “ehlus-sunetit vel-xhemaati”, disi bie në përngjasim me qëndrimin kryeneçë të krishterëve që e mbajnë ndaj muslimanëve. Muslimanët e pranojnë pejgamberinë e Isait a.s., ndërsa ata nuk e pranojnë pejgamberinë e Muhamedit a.s.. E njejta gjë po ndodhë këtu. Hanefinjtë – maturidinjtë i pranojnë në gjirin e “ehlus-suneti vel-xhemaatit”, të ashtuquajturit “selefizmin” pakicë, ndërsa ata nuk e pranojnë maturidijen dhe esharijen shumicë në “ehlus-suneti vel-xhemaati”. Absurd.

a). Mbi grupin e parë

Ky grup, zakonisht janë ata që konkluzionet e tyre studimore dhe besimore i mbështesin vetëem në tri burimet e lartëcekura, duke mos i dhënë aspak pjesëmarrje arsyes dhe burimeve tjera të njohjes. Zakonisht ky grup, për gjatë gjithë historisë janë shquar dhe dalluar me konzeravatorizëm të tepruar dhe nuk kanë mundur që t’i rezistojnë mendimeve që për bagazh i kanë pasur dituritë e tjera sekulare. Vazhdimisht kanë pësuar disfatë në diskutime me fetë tjera dhe intelektualet tjerë të profileve filozofike, sepse të tillët dijën e tyre e argumentojnë vetëm me këto burime, ndërsa është fare e qartë se këto burime janë të rrespektuara vetëm për muslimanët e jo edhe për jobesimtarët të cilët as nuk i pranojnë dhe as nuk i llogarisin për argumente.

Dijetarët e këtij grupi, në kohën bashkëkohore, kanë mbetur vetëm intelektual të “oborrit të xhamisë”, pra për shtresat e thjeshta të muslimanëve, dhe asgjë nuk kanë të bëjnë me pjesëmarrje në trendet botëror dhe me kercenimin që po vjen nga rrymat bashkekohore te natyrës së ekzistencializimit, modernizmit, ateizmit, sekularizmit etj.. Këto rryma, këta dijetarë i sulmojnë vetëm nga distanca dhe me hamendje, dhe nuk kanë përgatitje intelektuale për t’u ballafaquar në diskualifikimin e tyre, sepse ajo që do të mund t’i ndihmonte për këtë është shkenca e “ilmul kelamit” (apolegjetika islame), ndërsa këta, këtë shkencë nuk e preferojnë për ta lexuar, madje e konsiderojnë të ndaluar. Prandaj, dhe për këtë shkak, këta dijetar, përballë arritjeve të mahnitshme të shkencës, mbeten vazhdimisht të prapambetur dhe të padenjë për ta mbrojtur me anë të argumenteve, sovranitetin e besimit të pastër islam. Për ta mbrojtur këtë besim duhet me pa tjetër që të përdoret krahas argumenteve tradicionale edhe argumenti i mendjes dhe krahasimeve logjike.

Të tillët po ashtu besimin e konsiderojnë si dhuratë që dhurohet e jo si diç që duhet angazhuar për ta arritur apo vërtetuar atë. Pikërisht dhe për këtë, për shumë çështje të besimit, që megjithatë janë provokuar nga rrymat e ndryshme joislame, kanë mbetur të bllokuar dhe nuk kanë mundur ta arsyetojnë atë besim.Tani në kohën kur të arriturat shkencore kanë përparuar mjaft shumë, të mendosh se metoda e krahut “selefije”, vetëm përmes “nassit” (argumenteve tradicionale), mund të kontribuojë në ruajtjen e integritetit të pastër të akides së Selefi Salihit, është më tepër se avanturë emocionale dhe zhgënjim.

b). Mbi grupin e dytë

Ky grup, krahasa mbështetjes në argumenetet tradicionale, i japin sovranitetin e duhur edhe mendjes dhe krahasimeve logjike. Është tepër primitivizëm të mendohet se ky grup nuk bazohet në argumentet tradicionale. Këta pos që në dijën e tyre i kanë argumentet tradicionale, i kanë po ashtu edhe argumentet racionale, më se dhe bëhen të pamposhtur në konkluzionet besimore.

Për shembull, derisa krahu konzervator mendon se cilësitë e Allahut nuk mund të vërtetohen me anë të arsyes, [26] porse vetëm me anë të argumenteve tradicionale, gjoja arsyeja nuk ka mundësi që të arrijë njohjen e tyre, dijetarët e grupit të dytë pohojnë të kundërtën se, përpos vërtetimit të Kur’anit dhe hadithit ndaj emrave dhe cilësive, edhe mendja ka mundësi që t’i vërtetojë ato.

Në lidhje me këtë, kryesuesi i “ehlus-sunneti vel-xhemaati”, imam Ebu Mensur El-Maturidiju thotë se: “Edhe mendja i vërteton ato, sepse kur vërtetohet se Allahu xh.sh. ka krijuar gjëra (sende) që përbëhen prej substancave dhe aksidencave të veçuara me veçori dhe specifika të ndara, atëherë kjo argumenton se veprimet e Tij nuk janë veprime të natyrës, por janë veprime me anë të zgjedhjes (el-ihtijar)”. [27]

Gjithashtu harmonizimi i veprimeve suksesive (të mbarëvajtshme) të shfaqura pa kurrfarë çrregullimi dhe as thyerje të rregullit të caktuar, vërteton ekzistimin e të vepruarës nga vepruesi me anë të preferencës-zgjedhjes, dhe vërtetohet se krijimi është me veprimin e Tij të vërtetë (të planifikuar) … Ndërsa kur vërtetohet (ekzistimi) i preferencës-zgjedhjës, vërtetohët pjesëmarrja e “fuqisë” (el kudretu) dhe e “vullnetit” (el iradetu) në krijim, në mënyrë që krijimi të jetë sipas asaj që Ai dëshiron të jetë. [28]

Ndërsa, “fuqia” dhe “vullneti” janë prej cilësive të Allahut xh.sh.. Kështu sipas këtij elaborimi, pra edhe me anë të mendjes vërtetohën cilësitë e Allahut, me karakter absolut përkatës, për veprime të caktuar, si p.sh. knaqësia e Allahut është kur njeriu ndjek rrugën e tij, e jo e kundërta.

Ja ky është një shembull konkret. Në këtë mënyrë ky grup janë të vetmit që mund ta ruajnë besimin e pastër islamë dhe t’u rezistojnë tendencave të armiqëve që synojnë ta rrënojnë këtë besim. Duke e përdorur argumentin logjik dhe pa e kundërshtuar fare Kur’anin dhe Sunnetin, mund të vihet te përfundimi i drejtë edhe për muslimanët edhe për armiqtë të cilët nuk e konsiderojnë Kur’anin e as Sunnetin e as ixhmain për argument, por që e konsiderojnë logjikën dhe bazat e saj.

Në këtë formë, imam Maturidiu, mbi bazën e direktivave të shpalljes (Kur’anit dhe Synnetit) mbështetet në mendje, duke e konsideruar atë dhe përdorimin e saj në të kuptuarit e konkluzioneve besimore, si obligim të pashmagshëm, sikurse thotë imam Ebu Zehre: Maturidiu është ai i cili e obligon shikimin me anë të mendjes duke i kundërshtuar me këtë fukahenjtë dhe muhad-dithinët, të cilët obligojnë mbështetjen vetëm sipas transmetimit, dhe se të vërtetën duhet kërkuar prej transmetimit e jo në ndonjë gjë tjetër pas kësaj, në shenjë frike se mendja mund të bie në lajthitje e të humbët.

Ai (Maturidiu), duke e refuzuar këtë rezonim, në librin e tij “Kitabu’t-tevhid” thotë: “Me të vërtetë, kjo është prej intrigave të shejtanit dhe prej vesveseve të tij, sepse ai që mohon rolin e meditimit, nuk mund të ketë argument tjetër përpos vetëë meditimin - ( و ليس لمنكري النظر دليل إلا النظر ) -. Nga këtu, kjo ua obligon atyre thënien për nevojën e domosdoshme të meditimit (en-nadhru). Si mund që ata ta mohojnë meditimin ndërkohë që Allahu i madhëruar u ka bërë thirrje robërve të Tij për meditim dhe i ka urdhëruar me të menduar dhe persiatje - ( و أمرهم بالتفكر و التدبر ) - dhe i ka obliguar me të mësuar (menduar) dhe me shqyrtime - ( بالإتعاظ و الإعتبار ) -? Kjo është argument se meditimi dhe të menduarit janë një burim prej burimeve të dijës.” [29]

Kjo ka bërë që esharinjtë dhe maturidinjtë, veçanërisht këta të fundit të shquhen, me përkrahjen e masës së gjerë të muslimanëve. Islami e ka fytyren e vërtetë të tij vetëm atëherë kur është në gjendje që t’ju rezistojë të gjithëve. Madje jo vetëm t’ju rezistojë, por edhe t’i turpërojë në esencë. Nuk mund të bëhet fjalë për një islam burimor e që ai të mos jetë në gjendje t’i arsyetojë bazat doktrinare të tij sikurse që në këtë aspekt kanë pësuar debakl në kohën e herëshme, muhadithinët dhe një pjesë e fukahenjve.

Të mendosh se Maturidije dhe Esharije nuk kanë pasur nevojë që t’ia japin sovranitetin e duhur mendjes, këtë sovranitet që Allahu i madhëruar ia ka dhënë, jo vetëm se është thyerje e urdhërave të Kur’anit dhe Sunnetit, kjo nuk diskutohet, porse është edhe kundërshtim i qartë që i bëhet urdhërave të Allahut. Të mendosh se sot në kohën tonë mund t’i luftosh rrymat moderne, sikurse janë “ekzistencializmi”, “sekularizmi” dhe të tjera me gjithë hovin e madh të tyre, vetëm me anë të “nassit” (argumenteve tradicionale), kjo do të thotë brohoritje për dështimin e metodave të Fesë islame, dhe kjo është më tepër se anomali.

Metoda që e kishte përdorur Maturidiju, përmes shkencës së “kelamit”, (apolegjetikës), jo vetëm se ishte e nevojshme në atë kohë të retorikës dhe kur muhadithinët dhe fukahenjtë kishin dështuar në përpjekjet e tyre për ta ruajtur sovranitetin e besimit islam, por ishte e domosodoshme sikurse që është po ashtu e domosdoshme edhe sot e gjithëherë. Imam Maturidiu, luftoi që akidja islame të ketë unitetin e saj dhe ai ishte protagonisti kryesor që krahas sfidave të kohës, kishte arritur që akaidn islame të unifikojë në një tërësi të vetëme sa që është e pamundur që në të të gjesh kontradiktë.

Shkruan: Orhan Bislimaj

… vijon …

Pjesa 1-7: (1), (2), (3), (4), (5), (6), (7).

Referenca:

[25] – Muhamed bin Salih El-Uthejmin, “Mexhmuu fetava-fetavel-akideti”, xhemun ve tertibun Fehd bin Nasir bin Ibrahim Es-Sulejman, boton ‘Daruth-thurija lin-neshri’, botimi i dytë 1414/1994, vëllimi tetë, fq.685-686.
[26] – Shih: El-Uthejmin, “Mexhmuu fetava …”, po aty, fq.8/62.
[27] – Ebi Mensur Muhamed bin Muhamed bin Mahmud, El-Maturidij Es-Semerkandij “Kitabut-tevhid”, tahkik dhe ta’lik prof.dr. Bekir Topalloglu dhe dr. Muhamed Aruçi, boton ISAM-i (Turkiye Diyanet Vakfi) me nr.318, botimi i parë, 1423/2003, Ankara, fq.70.
[28] – El-Maturidij Es-Semerkandij “Kitabut-Tevhid”, po aty, f. 70-71.
[29] – Muhammed Ebu Zehre, “Tarihul medhahibil islamijjeti – fis-sijaseti vel-akaidi”, pjesa e parë boton ‘Darul fikril arebijj, pa vend dhe vit botimi 1/177.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!