Nata e ndritur e Miraxhit

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), Pamësi (i punëve të Muhammedit).”( El- Isra, 1)

E njëjta Dritë e Urtësisë dhe së Vërtetës që shkëlqen Natën e Madhërishme të Kadrit (Lejletul-Kadr), natën e Shpalljes së Kur’anit e cila është më e vlefshme se një mijë muaj e ngriti Muhammedin a.s. në lartësitë e Miraxhit. Miraxhi paraqet kulmin e forcës dhe kualiteteve tjera të Muhammedit a.s., udhëtim dhe ngritje kjo e cila nuk i nënshtrohet shqisave fizike, po as edhe matjes kohore dhe gjerësisë hapësinore.

Kuptimi tokësorë i udhëtimit qiellorë të Miraxhit i cili zbret poshtë tek ndjenja fizike, nuk ka dyshim se mjaftë e zbeh domethënien e tij madhështore.

Kuptimi i Miraxhit i përgjigjet ambientit të vet ku ka ndodhur. Ky ambient neve na zbulohet përmes Fjalëve të Zotit- të cilat e komentojnë qëllimin dhe domethënien e Miraxhit- “li nurijehu min ajatina” d.m.th. “për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.”

Kjo d.m.th. është hapësira e Dritës së Zotit- zbulimi Urtësisë dhe të Vërtetës, Hapësira e njohjes shpirtërore të cilën atë Natë të bekuar e arriti Pejgamberi a.s. me mendjen e tij. Nata e errët gjithnjë ka qenë kohë e aktiviteteve shpirtërore, koha më e përshtatshme për meditim, veçanërisht e atyre mendjeve që veprojnë në emër të mëshirës së Zotit. S’do mend se në kësi ambiente dhe në këto momente ata do shihnin Dritën e Vërtet të Zotit, kurse vetëm Allahu i Madhërishëm është Burimi i Dritës së Botëve (Allahu nures-semâvâti el-erdi).

Natyrisht që edhe Nata e Miraxhit, ashtu sikur edhe netët tjera, ka qenë e errët dhe pa diell (në aspektin fizik) për syrin, por për syrin vizionar (shpirtëror) të Muhammedi a.s. ajo ka qenë e mbështjellë me nurin e Zotit, ndaj dhe Pejgamberi a.s. në shenjat e Zotit (li nurijehu min âjâtinâ) qartë e ka parë të Vërtetën dhe ligjet e jetës.

Udhëtimi qiellor (Miraxhi) paraqet ngritjen e Pejgamberit a.s. gjer në zenitin shpirtëror, nga ku i Madhërishmi me rrezet e Urtësisë së Tij ndriçoi shenjat e Rrugës së Vërtetë, si tregues të qartë të argumenteve jetësore të kësaj bote (li nurijehu min âjâtinâ).

Pejgamberi a.s. atë Natë të ndritshme të Miraxhit e ndriçoi mendjen e tij (shpirtin e tij) me Dritën e Zotit dhe si hëna e plotë e reflektoi (përçoi) në botë, gjegjësisht errësirën e xhahilijetit. Ndaj dhe nuk është e rastësishme që gratë medinase hixhretit të Pejgamberit a.s. në Medinë i kënduan me fjalët:
“Agoi hëna katërmbdhjtëshe…!” Shih,ç’krahasim i bukur dhe madhështor!

Kuptimi i drejtë i domethënies së Miraxhit përçon edhe sot në shpirtrat tanë dritën e kuptimit të mësimeve dhe moralit islam. Nëse mendimet tona i begatojmë me kualitetet e të vërtetës, etikës dhe pastrimit moral në përgjithësi, atëherë do ta bëjmë vetveten të aftë që ta vërejmë shkëlqimin e Dritës së Miraxhit dhe ta dëgjojmë jehonën e zërit nga Miraxhi.

Kjo neve sado-kudo do të na shkëput nga jeta tokësore dhe do t’i shuaj e përul pjesët tona fizike dhe do të na ndihmojë që brenda nesh të ndizet qenia fisnike shpirtërore. Kjo neve me mendimet e sinqerta dhe të pastra do të na shpijë shtegut të Miraxhit të lartë të Pejgamberit a.s., shteg ky ku shkëlqyen shenjat e Zotit si udhërrëfyese shpëtimtare.

_________________
Autor:
Ibrahim Hoxhiq

Burimi:
“Preporod, 30 godina – 1970-2000 (izbor tekstova)”; Sarajevo, 2000., fq., 82.

Përkthyen:
Ahmed Ramadani
Arsim Dauti

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!