Respekti ndaj prindërve

Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!

Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!

Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:  “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi  Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!

Të nderuar xhematë!

Shpesh kemi përmendur se si prindërit duhet kujdesur për fëmijët e tyre, se si duhet tu japin edukatë të mirë, si duhet t’ua mësojnë Islamin, si dhe atë se si duhet vepruar për të qenë besimtarë të mirë e të devotshëm kur të rriten.

Nga ajo që duhet edukuar dhe mësuar fëmijët tanë është se kur të rriten duhet ti respektojnë prindërit, dhe e kundërta: mosrespektimi i tyre, pra i prindërve është një nga mëkatet e mëdha. Mos respektimi i prindërve jo që është vetëm mëkat dhe gjë e qortueshme për botën tjetër (ahiretin) por ai i cili nuk i respekton ata, nuk ka jetë të lumtur edhe në këtë botë.

Ajetet kur’anore dhe hadithet e Muhammedit s.a.v.s. që flasin për mosrespektimin e prindërve janë të shumtë, por ne do të përmendim vetëm disa prej tyre: Në Kuranin Fisnik thuhet: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni mirë dhe në mënyrë bamirëse ndaj prindërve.” (El-Isra, 23) ; Ndërsa Muhammedi s.a.v.s. thotë: “Kënaqësia e Allahut qëndron në kënaqësinë e prindërve, e zemërimi i Allahut qëndron në zemërimin e tyre.”

Nga ky ajet dhe nga ky hadith kuptohet qartë se Allahu i Madhërishëm respektimin e prindërve e renditi menjëherë pas adhurimit të Tij dhe zemërimin e Tij e ndërlidhi ngushtë me zemërimin e prindërve. Po ashtu në hadithet e Muhammedit s.a.v.s. të cilat flasin për mëkatet e mëdha, hasim edhe mosrespektimin e prindërve. Muhammedi s.a.v.s. thoshte: “Mëkatet më të mëdha janë: Të shoqëruarit diç Allahut (shirku), mbytja e njeriut (pra vrasja), keqtrajtimi i prindërve dhe dëshmia e rrejshme.”

Mosrespektimi i prindërve qortohet edhe atëherë kur ata nuk i përkasin besimit islam, pra kanë fê tjetër, përveçse nëse të urdhërojnë në mosrespektimin ndaj Allahut të Madhërishëm,  atëherë nuk respektohet ky urdhër. Të shohim se çfarë tregon Esma e bija e Ebu Bekrit r.a. në lidhje me këtë: “Erdhi te unë nëna ime e cila ishte mushrike, (gruaja e Ebu Bekrit e mbetur në Mekë pasi ai ishte shpërngulur në Medinë e cila ishte jomuslimane) dhe unë kërkova këshillë nga Muhammedi s.a.v.s.: “O i Dërguari i Allahut a ta pranojë!”; Pejgamberi s.a.v.s. më tha: “Po, pranoje.”

Në fund, këtë hutbe do ta përfundojë me një tregim të një shoku të Muhammedit s.a.v.s. i cili quhej Alkame. Alkames kur i erdhi vdekja, nuk e shqiptonte dot shehadetin. Çuditërisht shqiptonte çdo fjalë tjetër përveç shehadetit… Të pranishmit shpejtuan te Muhammedi s.a.v.s. dhe i treguan për gjendjen e tij. Pejgamberi s.a.v.s. pyeti a e ka nënën gjallë? “Po” – i thanë. Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. shkoi te ajo dhe e pyeti: “A ka ndodhur ndonjë gjë jo e mirë mes teje dhe birit tënd?”; “Po”- i tha ajo; “Fëmijëve dhe gruas së vetë i jepte fruta të mira, kurse mua më jepte ç’të tepronte.”; Me qëllim që ta zbuste zemrën e nënës së Alkames, Muhammedi s.a.v.s.  i porositi shokët e vetë që ta ndiznin një zjarr dhe ta hedhin Alkamen që të digjet në të!; Kur e ëma e Alkames dëgjoi për këtë thirri: “Mos e bëjë këtë, o i Dërguari i Allahut se e kam falur Alkamen.”; Dhe në ato çaste Alkame shqiptoi shehadetin dhe vdiq.

____________________

(Kjo hutbe është mbajtur nga Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!