Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!
Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!
Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë: “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!
Të nderuar xhematë!
Ligjëratën e sotme do ta fillojë me një thënie të njohur të profetit tonë Muhammedit a. s. i cili ka thënë: “ eddunja fanijeh vel ahiretu bakijeh: Kjo botë është e përkohshme ndërsa ahireti (bota e ardhshme) është e përhershme “. Këtë thënie të Muhammedit a. s. do ta ndërlidhi me aktualitetin e këtyre ditëve, ku jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat mbahen me 5 qershor 2011 .
Zgjedhjet si fenomen lindën me demokracinë, ku popullit ju dhanë disa të drejta kundrejt udhëheqësve apo qeveritarëve.
Në demokraci me të drejtën e votës që ka qytetari, pra populli, zgjedh opsionin që mendon se është në dobi të shoqërisë dhe e kundërta dënon politikën të cilën e llogarit se nuk është në shërbim të shoqërisë.
Nga kjo që thamë, shihet se në sistemin demokratik populli sundon dhe me këtë qytetari ka një përgjegjësi të madhe në realizimin e të drejtës së tij në votim. Nëse arrijmë ta kuptojmë se ne si popull qeverisim, dhe se ne jemi ata që dikujt ia japim mundësinë e qeverisjes, ndërsa dikujt ia mohojmë këtë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm se si duhet vepruar.
Nëse bazohemi në dy rregullat fetare: në hadithin që përmendëm më lartë ku i Dërguari i Allahut s.a.v.s thotë se kjo botë është e përkohshme ndërsa bota e ardhshme është e përhershme, si dhe në rregullën tjetër ku thuhet se interesat kolektive tejkalojnë interesat personale, ne si shoqëri nuk do të kishim realizuar zgjedhje siç i kemi pasur deri më tani, ne të gjithë jemi dëshmitar të së kaluarës, me lutje te All-llahu i Madhërishëm dhe me shpresë që mos të përsëriten të njëjtat gabime.
Duke u bazuar në atë se kjo botë është e përkohshme, ndërsa partitë politike janë të kaluara, vijnë dhe shkojnë, sot kemi njërën, e nesër një tjetër, dhe duke e ditur se interesi kolektiv është më prioritarë se ai personal, bëj thirrje që të veprojmë si njerëz të pjekur, të kuptojmë realitetin demokratik, të mos hidhërohemi me familjarët apo shoqërinë të cilët mendojnë ndryshe për arsye se pajtimi, uniteti, dashuria në shoqëri është interes kolektiv, ndërsa kush do të qeveris njëra apo tjetra parti është interes personal.
Në fund apeloj që ne si qytetar në këto zgjedhje ta shfrytëzojmë të drejtën e votës tonë me pjekuri, mençuri, dhe demokraci, të dëshmojmë se mund të jemi shoqëri e civilizuar dhe shoqëri që e përdor logjikën, intelektin dhe mendjen, bazuar në ajetin kur’anor ku Allahu i Madhërishëm thotë: “ Me të vërtet Allahu urdhëron në drejtësi, bamirësi ndihmë të afërmve, dhe ndalon nga imoraliteti veprat e shëmtuara dhe dhuna, e gjithë kjo porosi është për ata që logjikojnë, mendojnë, kujtojnë dhe kuptojnë “.
____________________
(Kjo hutbe është mbajtur nga Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!