Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!
Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!
Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë: “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!
Të nderuar xhematë!
Mbrëmë kishim një Natë të Mirë apo e njohur te besimtarët si Nata e Regaibit. Ndryshe kësaj nate mundë ti themi dhe Nata e Dëshirave, kjo natë përkon me natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep i cili muaj është nga tre muajt e lavdëruar.
Thuhet apo shkruhet nëpër libra se në këtë natë gjatë historisë Allahu i Madhërishëm pranoi duanë e Ibrahimit a.s., gjë kjo e përmendur edhe në Kur’anin Fisnik – që vendin në të cilin e ndërtoi Qaben ta bëjë vend të sigurt dhe banorët e sajë ti furnizon nga begatitë e Tij. Po ashtu nga duatë e Ibrahimit a.s. ishte edhe ajo që gjithashtu e përmend Kurani, se ai Ibrahimi a.s. iu lut Zotit të Madhërishëm që nga ky vend të dërgojë të dërguarit e Tij, dhe pikërisht në këtë vend lindi i Dërguari i fundit, Muhammedi s.a.v.s…
Të nderuar xhematë!
Kur jemi te duatë (lutjet), dëshiroj të them diçka për to. Muhammedi s.a.v.s. na mësoi dhe na porositi për dua. Po ashtu na tregoi se Allahu i Madhërishëm i pranon duatë e besimtarëve.
Ne shpesh i lutemi Zotit nëpër shtëpitë tona, nëpër xhami, nëpër ceremoni të ndryshme, por nga ajo që shohim si duket lutjet nuk na pranohen. Vallë pse ndodhë kjo?
Për tu pranuar duaja duhet që të plotësohen dy kushte:
E para: të del nga njerëzit e sinqertë, pra të jemi të sinqertë kur bëjmë dua dhe të punojmë për të; dhe:
E dyta: duaja duhet drejtuar Atij që meriton ti drejtohemi për dua, pra Allahut të Madhërishëm.
Dhe, përderisa këto dy kushte nuk gjenden te lutësi apo dua-bërësi duatë nuk do të pranohen. Dertin e mos pranimit të duave nga besimtarët myslimanë e kanë pasur edhe të tjerët para nesh, një pyetje e këtillë iu bë edhe dijetarit të njohur Ibrahim ibn Ed’hemit r.a. të cilit i thanë: “Allahu na ka premtuar se do të na i pranojë duatë, por ja që duatë tona assesi nuk po na pranohen? Ç’po ndodh kështu?”; Ndërsa ai u përgjigj: “Zemrat tuaja janë të vdekura në dhjetë pika, dhe për këtë shkak duatë nuk u pranohen”; dhe më pas i numëroi 10 shkaqet e mospranimit të duasë, të cilat po i sjellim në vijim:
1 - Thoni se e njihni Allahun, por nuk jeni duke e adhuruar Atë;
2 - Jeni duke e lexuar Kur’anin, por nuk jeni duke vepruar sipas tij;
3 – Thoni se e doni të Dërguarin e Allahut Muhammedin s.a.v.s., por nuk punoni sipas Sunnetit të tij;
4 – Hani nga begatitë e Allahut dhe nuk e falënderoni për këtë;
5 – Thoni se shejtani është armiku më i madh i juaji, por përsëri e ndiqni atë;
6- Thoni se i frikoheni zjarrit të Xhehennemit, por nuk veproni vepra që të largojnë nga ai;
7 – Thoni se e doni Xhennetin, por nuk bëni vepra që të shtynë në të;
8 - Jeni duke i zbuluar veprat e këqija të të tjerëve, ndërsa veten tuaj po e harroni;
9 - Thoni se vdekja është hak, por nuk po përgatiteni për të; dhe:
10 – Për çdo ditë varrosni të vdekurit e juaj, dhe nuk merrni mësim nga kjo.
______________
(Kjo hutbe është mbajtur nga Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!