Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!
Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!
Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë: “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!
Të nderuar xhematë!
Nga mirësitë më të shtrenjta dhe më me vlerë që Allahu i Madhërishëm ia dha njeriut është fëmija. Ai për njeriun mund të jetë zbukurimi, lumturia e kësaj jete, por mund të jetë edhe shkatërruesi i kësaj jete.
Thonë se në mungesë të ditës paraqitet nata, unë them se në mungesë të tyre shihet vlera apo dashuria e fëmijëve. Nëse dikush nuk e ka këtë dhuratë e harxhon gjithë pasurinë, vetëm e vetëm të vijë deri te kjo, e në të kundërtën ai që e ka nuk e din vlerën e asaj që ka.
Allahu i Madhërishëm në ajetet e sipërpërmendura thotë: “Pasuria dhe fëmijët janë zbukurimi i kësaj jete”; Ndërsa në një sure tjetër thotë: “Me të vërtet pasuritë dhe fëmijët e juaj janë shkatërrues të jetës suaj.”
O vëlla! Të mendojmë dhe kujtojmë a thua vallë fëmijët tanë na e kanë bërë jetën e këndshme apo na e kanë shkatërruar atë… Për të parën dhe të dytën ne jemi shkaktar sepse kjo varet nga ajo se sa jemi kujdesur për dhuratën më të çmueshme që posedojmë.
I Dërguari ynë Muhamedi s.a.v.s. thotë: “Çdo dru ka frytin e vetë, e fryti i prindërve është fëmija.” O i nderuari vëlla këtë fryt që ta ka dhuruar Allahu i Madhërishëm kërkon mbrojtje që mos ta këput dikush para se të piqet, e ai që duhet ta mbrojë është prindi.
Në një tjetër hadith Muhammedi s.a.v.s. thotë: “Çdo njëri nga ju është bari (kujdestar) për familjen e vet.” Me plot të drejtë pyesim a jemi nga ata barinj që e meritojmë të jemi në punë apo duhet që zotëria të na largoj nga puna? Sipas asaj që shihet ne nuk jemi duke menaxhuar mirë me kopenë që kemi nën kujdesin tonë, bariu i mirë nuk mbyll derën e kasolles para se të hyjë e gjithë kopeja brenda, kurse bariu jo i mirë ditën e nesërme e sheh se gjysma e kopesë ka mbetur përjashta. Edhe ne si kujdestar të familjes, si prindër nuk duhet mbyllur derën e shtëpisë para se ta shohim se a janë e gjithë familja brenda, e jo të na ndodh që ditën e nesërme ta shohim se mbrëmë jo të gjithë fëmijët i paskemi pasur në shtëpi. Në këtë rast do të vije në shprehje ajeti kur’anor “Me të vërtet pasuritë dhe fëmijët e juaj janë shkatërrues të jetës suaj.”
Në fund, këshilla e kësaj hutbeje do të ishte që ne si prindër ta kuptojmë mirë rolin tonë që kemi në edukimin e fëmijëve tanë, duhet ditur dhe kuptuar se nëse jemi të suksesshëm në edukimin e tyre do të jemi të lumtur në këtë botë (dynja) dhe do të shpërblehemi në botën e ardhshme (ahiret), e nëse nuk jemi kujdesur si duhet në edukimin e fëmijëve tanë – jo vetëm që jetën e kësaj bote do kanë për të na e shkatërruar dhe mërzitur, por edhe në botën tjetër do të kemi dënime të rënda. Zoti na bëftë edukues të mirë të dhuratës sonë – fëmijëve. Amin!
_________________
(Kjo hutbe është mbajtur nga Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!
Sikur ajetin “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu”
ta zbatonit në çdo pore të jetës do të ishte mirë, e jo ku juve “ju ka ëndja” e ku “nuk ju ka ëndja”
e leni anash këtë ajet. Bëhuni të sinqertë bile një herë në jetë.
Ue eselamu alejkum ue rahmetullah ue berekatuhu. Nevojtar për mëshirën e Zotit të vet. Rihani.