Rilindja Demokratike Kombëtare, dega Kumanovë, përmes një deklarate me shkrim kërkon të ndriçohet vrasja e Harun Aliut- komandant Kushtrimi.
“Me rastin e një vjetorit të vrasjes së Harun Aliut-komandant Kushtrimi shfrytëzojmë rastin për të shprehur nderimet më të larta dhe për të përkujtuar veprën dhe misionin kombëtar të këtij komandanti legjendar të tri Ushtrive Çlirimtare të Shqiptarëve dhe njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, thuhet në deklaratën e RDK-së.
Në deklaratë më tej thuhet se: “Në 12 majin e vitit 2010 ne ishim dëshmitarë të një vrasje makabre dhe mizore të organizuar nga pushteti aktual, që nëpërmjet një prite tradhtie u vra Kushtrimi. Edhe në këtë përvjetor kemi një heshtje të pa kapërdishme të atyre që duhet të japin llogarinë dhe përgjegjësinë për vrasjen e njërit nga themeluesit të UÇK-së dhe simbolit të rezistencës dhe idealeve kombëtare shqiptare”.
Kandidati për deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Selver Jashari përmes kësaj deklarate me shkrim shprehet se, Harun Aliu ishte një personalitet me virtyte të larta kombëtare dhe intelektuale, që reflektonte urtësinë, guximin dhe përkushtimin për të ecur përpara çështjen tonë shqiptare në Maqedoni dhe idealin e dëshmorëve dhe luftëtarëve të dinjitetshëm të lirisë.
“Synimi dhe përkushtimi i tij ishte ndryshe nga ata që devijuan misionin që kishte UÇK-ja. Ai ishte i vendosur për të çuar deri në fund amanetin e dëshmorëve dhe gjithë atyre bashkëluftëtarëve që mbetën rrugëve dhe të braktisur pa mos realizuar betimin e dhënë për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes shqiptare në Maqedoni”, ka theksuar Jashari.
RDK apelonë dhe kërkonë që urgjentisht të ndriçohet vrasja e komandantit Kushtrimit dhe inskenuesit dhe dorasit porositës të këtij akti terrorist të ekzekutimit të përgjigjen para drejtësisë.
“Ky mesazh i dedikohet partisë shqiptare në pushtet BDI, liderit të saj Ali Ahmeti dhe “shokëve” të tij komandantë, të cilët duhet të japin përgjegjësi dhe llogari për këtë vrasje. Heshtja e tyre sot është tejet vrasëse për shqiptarët, dhe kjo na bënë që ne të dyshojmë shumë”, thuhet më tej në deklaratën e RDK-së.
“Ne jemi të vendosur që kurrë s`do të lëmë të heshtur këtë krim makabër dhe në cilësinë e njërit nga bartësit e një subjekti të ri politik RDK dhe si një nga kandidatët për deputet kam obligimin tim moral dhe kombëtar ndaj Kushtrimit, duke qenë edhe njeri i afërm familjar, që të zbardh vrasjen dhe fajtorët të dënohen. Kam besimin e madh se do të vijë kjo kohë shumë shpejt. Me respektin dhe dhembjen më të thellë në këtë porosi do të shprehë ngushëllimet e mia dhe të gjithë bashkëveprimtarëve pranë familjes së komandant Kushtrimit dhe bashkëluftëtarëve të tij që u vranë në pritën e 12 majit në Radushë”, theksohet në fund të deklaratës.
(INA)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!