Vazhdon numërimi në Tiranë, Basha 1153 vota para Ramës

Rezultatet për Tiranën, sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, kandidati i PD-së, Lulzim Basha kryeson me 114164 kundrejt Ramës që ka 113011 vota.

Berisha-Arvizu: Procesi është transparent, çdo votë të vijojë të numërohet e saktë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka takuar sot kryeministrin Sali Berisha.

Në këtë takim, ambasadori Arvizu ka qenë i shoqëruar nga vëzhguesit e OSBE-ODIHR, të cilët kanë ndjekur dhe ndjekin aktualisht nga afër ecurinë e procesit të numërimit të votave.

Kryeministria bën të ditur, se në këtë takim, ambasadori Arvizu ka theksuar se janë 60 vëzhgues në total, si përfaqësues të qeverisë amerikane, të cilët kontribuojnë për transparencën e zgjedhjeve, duke ndjekur në çdo çast procesin e numërimit të votave.

Sipas ambasadorit amerikan, ky mision vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë, fjalës së tij kreu i qeverisë Berisha, ka falënderuar qeverinë amerikane për kontributin e dhënë si dhe të gjithë vëzhguesit e huaj, për prezencën e tyre konstante pranë qendrave të numërimit të votave.

Berisha ka konstatuar transparencën maksimale për votimin dhe numërimin e votave për çdo qendër, ndërsa ka kërkuar që çdo votë të numërohet e saktë.

Sipas kryeministrit, procesi po zhvillohet mbi bazë ligjore solide dhe konsensuale, duke vënë theksin në rëndësinë e teknologjisë së lartë të numërimit, si një garë për transparencën.

Për sa i përket zgjatjes së procesit të numërimit të votave, kreu i qeverisë u shpreh se e rëndësishme është që praktika e numërimit të jetë e saktë dhe transparente.

Ndër të tjera, kryeministri Berisha ka theksuar gjatë takimit me ambasadorin Arvizu se vota rikonfirmoi besimin e zgjedhësve dhe se mazhoranca, do të pranojë çdo rezultat.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime edhe me kreun e Partisë Socialiste dhe kandidatin aktual për Bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama.

Numërimi, ambasadori Arvizu takon Ramën

Ndërkohë që situata e numërimit në njësitë e mbetura në Tiranë, mbetet në qendër të debatit, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka zhvilluar nje takim me kreun e PS-së dhe njëherësh edhe kandidatin për bashkinë e Tiranës Edi Rama.

Pas takimit me kreun e opozitës, diplomati amerikan nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat por mendohet se në qendër të bisedimeve ka qënë procesi i numërimit të votave dhe vonesat në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Kutitë e fundit, ambasadori amerikan viziton papritur selinë e PS-së

Mendohet se një tjetër pikë e bisedimeve ka qënë edhe tonet e ashpra mes dy kaheve politike këto 2 ditët e fundit.

Ndërkohë më herët ambasadori amerikan Arvizu është takaur edhe me kryeministrin Sali Berisha.

Basha: Po fitoj e jam i vendosur të pres numërimin e çdo vote

Kandidati i “aleancës për qytetarin” Lulzim Basha I ka bërë thirrje komisionerëve të mos ndikohen nga trysnia e garës por të vijojnë numërimin e votave.

Në një dalje publike, Basha falenderoi sërish komisionerët për punën e palodhur që po bëjnë ndërsa theksoi se çdo shqiptar duhet të krenohet me punën e tyre e cila do të finalizojë procesin transparent të zgjedhjeve.

Më tej Basha ka teksuar se edhe pse ai kryeson garën për bashkinë e Tiranës ai është në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Basha: Po fitoj e jam i vendosur të pres numërimin e çdo vote

“Kam rimarrë kryesimin e garës megjithatë kjo nuk e ndryshon vendosmërinë time për të pritur numërimin e drejtë transparent dhe pa vonesë të çdo vote. Zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet”, tha Basha.

Braçe: Kriminelët kundër votës, qytetarët para qendrave të numërimit

Partia Socialiste akuzon mazhorancën se po bllokon qëllimisht numërimin e votave në njësinë bashkiake numër 5.

Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Erjon Braçe ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të lejojë numërimin e votave në tre njësitë e tjera nëse nuk “çlirohet” njësia bashkiake numër 5.

“Nuk do të lejojmë numërimin e votave në 3 njësitë e tjera nëse nuk çlirohet 5. Duam kthimin në normalitet të njësisë 5 dhe të shikojmë me ndershmëri çdo votë që numërohet” theksoi Braçe duke shtuar se kjo është një skemë kriminale për të manipuluar votat.

Më tej Braçe ka theksuar se të gjithë ata që do të pengojnë numërimin e votave do të marrim një përgjigje të plotë juridike për këtë akt të shëmtuar ndërsa akuzoi mazhorancës se po përdor kriminelë për të penguar numërimin e votave

“I bëj thirrje kriminelëve që të ndalin çdo provokim se ndryshe do të përballen me çdo qytetar që do të mbrojë votën” theksoi Braçe.

* * * * * *

Vazhdon numërimi në Tiranë, Basha 500 vota para Ramës

Numërimi i votave për zgjedhjet e bashkisë së Tiranës ka vazhduar ngadalë edhe mbrëmjen e kaluar. Ekspertët thonë se shpejtësia e numërimit është e ulët, sepse diferenca e votave është shumë e vogël.

Kandidati i maxhorancës Lulzim Basha është mbi 500 vota para kandidatit socialist Edi Rama. Numërimi vazhdon sot në 4 njësi bashkiake vetëm për 55 kutitë e fundit.

110 mijë e 868 vota ka marrë Lulzim Basha, kandidat i “Aleancës për Qytetarin” dhe nga ana tjetër 110 mijë e 361 vota ka marrë kandidati tjetër i “Aleancës për të Ardhmen”. Diferenca mes dy kandidatëve është 507 vota në favor të kandidatit Basha. Ky rezultat i pjesshëm ka dalë në 430 kuti të numëruara nga 485 që janë gjithsej.

Sipas zyrtarëve të zgjedhjeve, numërimi po ecën ngadalë për dy arsye; së pari këtë vit është rritur ndjeshëm numri i votuesve, krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe së dyti, sepse rezultati është shumë i ngushtë dhe kujdesi i numëruesve për të qenë të saktë ka ulur shpejtësinë e numërimit.

Ndërsa sipas përfaqësuesve partiakë, ndërprerjet e numërimeve janë të qëllimshme. Forcat kryesore konkurruese në këtë garë po shkëmbejnë akuza për zvarritje të pajustifikuara të këtij procesi thjesht për qëllime mediatike, pra për t’u parë disa orë njëri apo tjetri kandidat me disa vota para rivalit.

Tani vëmendja është përqendruar tek njësia 5, 8, 9 dhe 11. Rezultatet janë të ngushta sa që analistët këtu kanë hedhur idenë që për të ulur tensionet, këto katër njësi të numërojnë paralel, përderisa pritshmëria është që aty dy kandidatët mund të marrin përsëri rezultate të ngushta.

Gara për Tiranën është sipas analistëve të politikës një nga befasitë e reja, sepse asnjëherë nuk kishte ndodhur që kandidatët të jenë aq afër njëri tjetrit dhe çdo votë ka marrë realisht një vlerë të madhe. Shqipëria ka lënë prapa votimet masive me diferenca të mëdha numrash dhe tani komisionerët dhe militantët e secilës parti po gëzohen dhe po duartrokasin edhe për një duzinë votash më shumë.

Numërimi i votave në Tiranë ka hyrë sot në ditën e katërt për të nxjerrë rezultatin nga 330 mijë vota afërsisht dhe kjo ka befasuar edhe vëzhguesit e huaj, të cilët gjatë gjithë natës nuk janë larguar nga qendrat e numërimit, dhe madje kanë shtyrë qëndrimin e tyre edhe dy javë të tjera.

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë deklaroi në raportin paraprak se “zgjedhjet vendore të 8 majit ishin konkurruese dhe transparente por u zhvilluan në kushtet e një polarizimi të lartë politik dhe mungesës së besimit midis qeverisë dhe opozitës. Asnjë nga partitë konkurruese nuk i ka kryer mirë detyrat e veta as në këto zgjedhje në mënyrë të përgjegjshme”.

(Bota sot)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!