Jomedhhebizmi – shtojca (pjesa e pestë)

- Pjesa e pestë -

7. – Më pas, autori nën temën “Mendimi ynë ndaj katër imamëve muxhtehidë” thotë se ai i respekton shumë imamët e medhhebëve dhe se ai dhe vëllezërit e tij u janë mirënjohës për mundin e tyre dhe se ecin pas gjurmave të tyre në zbatimin e Kur’anit dhe sunnetit … etj..

Themi: Kjo fjalë është shumë e bukur, por shumë e varfër për çfarëdo argumenti që e përforcon atë në sferën e realitetit.

Sikur të kishte qenë kjo fjalë e vërtetë, nuk do të dëgjonim fjalët nënçmuese për ta që dalin nga goja e nxënësit dhe imituesit më të madh të tyre. Sikur të kishte qenë kjo fjalë e vërtetë, nuk do të thoshte njëri prej autorëve, në një vend tjetër të këtij libri, duke sinjalizuar për Ebu Hanifen, se ai nuk ka ditur pos disa haditheve! Sikur të kishte qenë kjo fjalë e vërtetë, atëherë dora e shejh Naserit nuk do ta shkruante atë shprehje mëkatare të rrezikshme në njërin prej komentimeve të tij ndaj librit Muhtesar Sahihi Muslim të Mundhiriut ku thotë: “Kjo është e qartë se Isa a.s. do të gjykojë me sheriatin tonë, me Kur’an dhe sunnet e jo me diç tjetër sikur me Inxhilin , fikhun hanefij ose diç të tillë”. Pra, ai ka bindje se fikhu hanefij është sikur Inxhili dhe se ai është diç tjetër nga sheriati islam dhe diç tjetër nga ajo që e përmbanë Kur’ani dhe sunneti. Estegfirullahel-adhim nga kjo fjalë e pakuptimtë që nuk duhet ta thotë asnjë musliman. Këtë gjë më gjerësisht e kemi treguar, gjatë një komentit tonë në brendinë e librit.

Si, si mund të besojmë se ai dhe vëllezërit e tij i përmbahen gjurmëve të katër imamëve në zbatimin e Kur’anit dhe sunnetit, kur ai qartë thotë se medhhebi hanefij është diçka tjetër nga Kur’ani dhe sunneti, plotësisht sikur Inxhili?!.

Mandej, autori kërkon prej njerëzve që të angazhohen të gjithë për bashkimin e medhhebeve, për të cilën edhe i cakton mjetet dhe i planifikon shkaqet, duke iluzionuar se ky bashkim është shumë i lehtë dhe se ai nuk është më shumë se sikur ai që grumbullon fletë apo degë të shpërndara. Është për t’u habitur se ai kërkon bashkimin e medhhebeve në kohë kur kërkon prej të gjithë njerëzve të bëjnë ixhtihad!.

Ne i themi atij, atë që e kemi përsëritur dhe e kanë përsëritur dijetarët dhe imamët, derisa është bërë prej gjërave të padiskutueshme që nuk i kundërshton askush.

Atij i themi: Sa i përket dispozitave, për të cilat katër imamët kanë qëndrim unik, nuk do të flasim për to, sepse ata praktikisht kanë qëndrim të përbashkët. Ndërsa, dispozitat për të cilat ixhtihadet e tyre janë të ndryshme, për to themi se këto dispozita ngriten mbi argumente dhannije (jo të prera) për shkaqe të shumta që i kupton çdokush që e njeh mirë shkencën e usulul-fikhut. Pra, pikëpamjet e dijetarëve në nxjerrjen e dispozitave do të mbesin të ndryshme, përndryshe nuk do të ishin argumente dhannije (jo të prera).

Problemi i shejh Naserit është se ai përmbajtjen e katër medhhebeve e sheh vetëm nëpërmjet dhjetë mes’eleve, me të cilat ngritet dhe ulet i revoltuar ndaj imamëve dhe ulemave.

Atij i themi duke e përsëritur se përmbajtja e katër medhhebeve nuk është vetëm në këto mes’ele, por ekzistojnë tema në muamelat si p.sh. shitblerjet, qiraja, kamata, partneriteti etj., tema tjera në të drejtën civile si p.sh. kurorëzimi, shkurorëzimi, gjidhënia, përkujdesja për fëmiun, testamenti, shpenzimi etj., tema tjera në të drejtën penale , për xhihadin, dhe.. dhe.. deri në fund.

Kërkesa e vetme e imja prej këtij njeriut kishte me qenë që ai t’i lexojë këto tema në librat e mëdha të fikhut duke i krahasuar me katër medhhebet, e më pas të na japë prodhimin e tij mendor. Më pas le të thotë -nëse ka mundësi- se muslimanët e kanë për obligim t’i bashkojnë medhhebet.
P.sh. le të lexojë: “Il-leti (motivi) i kamatës në gjashtë llojet dhe ndikimi i saj në gjërat që mund të kenë kamatë”. Le ta kuptojë atë mirë prej katër medhhebeve, e më pas le të vijë e të më thotë se si mund t’i bashkojë medhhebet në të, do të thotë vetëm në këtë mes’ele!!.

8. – Në (f.77) autori citon se unë kam kërkuar prej njerëzve që të pranojnë çdo gjë që është në librat e fikhut ‘edhe pse kundërshton argumentet e qarta nga Kur’ani dhe sunneti’. Thotë se unë këtë e kam cekur në librin tim, (f.74-75).

O njerëz, shihni dhe përsëritni shikimin në tërë librin tim, a do të gjeni në ndonjë faqe këtë fjalë, apo do ta gjeni të kundërtën e saj, kur kam thënë: “Nëse vëren ndonjë hadith që ka kuptim të kundërt me mendimin e imamit të cilin e imiton. Nëse është vërtetuar se hadithi është sahih (i vërtetë) dhe argumentimi i tij është i prerë, atëherë ai në këtë rast duhet t’i përmbahet vendimit të hadithit dhe të heqë dorë prej imitimit të medhhebit të tij në atë çështje”.

Nëse nuk gjeni në fjalën time diçka prej asaj që më mvesh mua ky autor dhe e gjeni të kundërtën, atëherë si quhet kjo vepër dhe ku është niveli i tij në moralin e përgjithshëm njerëzor, e lëre më në hukmin e islamit?!!

9. – Në (f.42) kam sqaruar se emri “mufti” në esencë përdoret për muxhtehidin absolut. Në fillim të islamit mufti quheshin këta njerëz. Këtë gjë e di çdo studiues dhe hulumtues. Rreth kësaj teme gjerësisht mund të lexosh në parathënien e librit “El-Mexhmu’” të Neveviut dhe në librat e tjera të usulit, ose në enciklopeditë e fikhut.

Kam sqaruar se shprehja “mufti” më pas në mënyrë alegorike përdorej për çdo person që ua përcjell njerëzve dispozitat e Allahut nga burimet e tyre, po edhe nëse ai vetë është imitues. Për këtë dijetarët kanë thënë: “Ai kur u jep fetva njerëzve ka për obligim që t’ua tregojë burimin e dispozitës e jo nga mendja e tij, sepse ai në realitet është një dijetar që përcjell dispozitat e medhhebit nga i cili jep fetva”.

Shejh Naseri ose Mahmud Mehdiu duke komentuar këtë fjalë timen thonë se emri mufti dhe alim përdoren për të njëjtën gjë dhe se ato në terminologjinë e fikhut përdoren për të njejtin kuptim. Ai u drejtohet dijetarëve islam duke kërkuar prej tyre sqarim: se a jeni të të njëjtit mendim me Butin se ju nuk jeni dijetarë pos në mënyrë alegorike?!, (f.81).

Çdo fëmijë i cili ka lexuar diçka nga fikhu dhe bazat e tij, e di dallimin mes shprehjeve “al-alim” dhe “el-mufti” dhe se njëra prej tyre është e përgjithshme, ndërsa tjetra e veçantë. Çdo mufti është edhe alim, mirëpo çdo alim nuk është kusht që të jetë mufti.

Ndërsa sa i përket komentit tjetër ndaj fjalëve të mia që kanë për qëllim provokimin tim, pasha Allahun, më vie turp që të merrem me ndonjë përgjigje ndaj saj.

- Vijon pjesa e gjashtë -

Pjesa 1-10: (1), (2), (3), (4), (5), (6), (7), (8), (9), (10).

Autor: Dr. El-Buti, përktheu: Dr. Naser Ramadani,
shkëputur nga libri: “JOMEDHHEBIZMI – bid’ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam”.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!