Allahu vlerëson më së miri

Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!

Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:  “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi  Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë: “Dhe thuaj: Veproni, punoni Allahu do ta shoh veprën tuaj, edhe i Dërguari i Tij dhe besimtarët, dhe më vonë do të ktheheni te Njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për atë që vepruat.”

Ndërsa në një vend tjetër po ashtu Allahu i Madhërishëm thotë: Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shpërblehen për veprat (punët) e tyre, e kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. E kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.“ (Zelzele 6, 7, 8)

Të nderuar xhematë!

Nëse ndalemi dhe i lexojmë me vëmendje këto ajete kur’anore dhe mundohemi ti kuptojmë mirë dhe ashtu siç duhet, si dhe ti përvetësojmë, e ti implementojmë në jetën tonë të përditshme – do të ishim nga të shpëtuarit në ditën kur do të dalim para Krijuesit tonë për të dhënë llogari. Pse them kështu? Për shkak se këto ajete kur’anore urdhërojnë, mësojnë besimtarin se si duhet menduar ose llogaritur mirë para se të veprojë ndonjë punë: qoftë ajo e mirë apo e keqe.

Le të shikojmë ajetet kur’anore fjalë për fjalë: “Dhe thuaj” - pra urdhër drejt Muhammedit s.a.v.s. që ti mësojë, porosit shokët e vet, e cila porosi vlen edhe për ne si pasues të rrugës së tij; “Veproni, punoni Allahu do ta sheh veprën tuaj” - fillimisht kërkesë, porosi për besimtarin që të jetë aktiv, punëtor, produktiv në jetë, e gjithë kjo për hir të asaj se këtë zell, këtë aktivitet do ta sheh dhe do ta vlerësojë dikush, a thua kush? Padyshim Krijuesi ynë, pra Allahu i Madhërishëm.

I nderuari vëlla!

Nëse kujton se dikush ta ka ngrënë padrejtësisht hakun, nuk të ka vlerësuar mirë në punë në këtë botë, dije mirë se ka Një Krijues që vlerëson mirë, drejtë dhe pa hile dhe ai hak, ajo e drejtë do të vijë në momentin më të volitshëm për ty. “edhe i Dërguari i Tij dhe besimtarët” – jo vetëm që Allahu do ta sheh, vlerësojë punën e besimtarit, por për aktivitetin e tij do të jetë dëshmitarë edhe Pejgamberi i Allahut (s.a.v.s.) dhe besimtarët e tjerë; Ajeti vazhdon e thotë: “dhe më vonë do të ktheheni te Njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për atë që vepruat.” Pastaj Allahu i Madhërishëm tregon se më në fund do të kthehemi te Ai dhe do të japim llogari për atë që vepruam, por duke na e bërë me dije se Ai është Njohës i Mirë i asaj që kemi vepruar ne, shihet apo nuk shihet nga të tjerët, Ai pra Allahu e sheh dhe e din mirë.

Prandaj, të nderuar xhematë, kur të llogaritësh se nuk të sheh askush në punën që je duke bërë, dije mirë se ka Një që gjithnjë të sheh, ka Një që të çdoherë të vlerëson, ka Një që të gjykon drejtë… Ne mund ti mashtrojmë njerëzit por assesi nuk mund ta mashtrojmë Allahun e Madhërishëm.

Në fund do ta përmendi edhe njëherë ajetin e cekur më sipër: Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shpërblehen për veprat (punët) e tyre, e kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. E kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.”

___________________

(Kjo hutbe është mbajtur nga  Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!