Pastërtia është gjysma e besimit

(Dita ndërkombëtare e planetit Tokë)

Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!

Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:  “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi  Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!

Të dashur xhematë!

Feja jonë, pra Islami ashtu siç është kujdesur për pastrimin e njeriut nga besimet e devijuara apo nga besëtytnitë e kota në besimin në Një Zot të Vetëm, ai u kujdes edhe për pastërtinë e trupit dhe ambientit ku ai jeton.

Dita në të cilën jemi sot, është emëruar si Dita Ndërkombëtare e Planetit Tokë, apo Dita Ndërkombëtare e Ekologjisë. Dhe në këtë ditë në shumë vende të botës dhe nga shoqata të ndryshme ekologjike apelohet që ne si qytetar të civilizuar të kujdesemi për pastërtinë dhe ruajtjen e ambientit në të cilin jetojmë. Ky mesazh jepet për çdo vit edhe në vendin tonë, por për fat të keq tek ne kjo porosi apo ky mesazh nuk gjen vendin e merituar. Këtë që them e mbështes nga ajo që shihet nëpër rrugët e qytetit tonë në veçanti, dhe në qytetet tjera në përgjithësi.

Të nderuar xhematë!

Të shohim shkurtimisht se çfarë thonë mësimet islame në këtë drejtim: Fillimisht duhet të dimë se Allahu i Madhërishëm njeriun e bëri kalif, përfaqësues, mëkëmbës, menaxhues dhe zëvendës të Vetin në sipërfaqe të tokës. Atë, pra tokën, e bëri të pastër apo pastruese për njeriun. Mirëpo gjithashtu duhet ditur se nuk e la plotësisht të lirë, që ai (pra njeriu) në tokë të sillet sipas dëshirës së vet, por vendosi rregulla për të, e udhëzoi se çka mund të veprojë dhe çka jo, dhe pasi që njeriu si krijesë e vetme e pranoi këtë përgjegjësi, këtë amanet, atëherë sikur për çdo problem apo çështje të pa zgjidhur ti kthehet ligjit të Krijuesit të vet, me siguri do të gjente rrugëdalje apo zgjidhje të duhur e të kënaqshme.

Keqpërdorimi i cilësdo krijesë që është në shërbimin e njeriut, qoftë ajo qenie e gjallë apo pasuri natyrore është mëkat.

Njeriut i është mundësuar t’i shfrytëzojë të mirat e Allahut të Madhërishëm, por ai nuk mund ti posedojë ato. Njeriu është mësuar, porositur që edhe çastin e fundit të tij ta shfrytëzojë për të mirën e natyrës dhe vetë njeriut. I Dërguari ynë Muhammedi s.a.v.s., mes tjerash thotë: “Nëse në duart e ndonjërit prej jush ju gjendet fidani në çastin e Kijametit, çastin e fundit të tij, dhe nëse ky njeri do të kishte kohë ta mbjellë atë para se të fillojë çasti i fundit, atëherë le ta mbjellë!”; Ose thënia tjetër e tij (s.a.v.s.): “Njeriut që mbjellë një pemë Allahu do ti dhurojë të mira – sevape deri sa të jep frute ajo pemë ose deri sa të jetë në shërbim ajo pemë.” Po ashtu feja islame u kujdes edhe për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e planetit Tokë: Muhammedi s.a.v.s. në thëniet e tij ndërlidhi besimin me pastërtinë, ai, mes tjerash thotë: “Pastërtia është gjysma e besimit.“; Ndërsa në një thënie tjetër thotë: “Largimi i një letre apo papastërtie nga rruga është pjesë ose shenjë e besimit.”

Të nderuar xhematë!

Porosia e kësaj hutbeje do të ishte që ne si besimtarë muslimanë të kujdesemi për ambientin, pastërtinë, duke llogaritur se kjo është obligim fetar e jo si një apel i ndonjë shoqate ekologjike, sepse mësimet fetare ishin para se të formohen shoqatat e ndryshme, po ashtu të mundohemi ta realizojmë hadithin e Muhammedit s.a.v.s. në largimin e papastërtive nga rruga, e nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë të paktën të mos të bëhemi prej atyre që do të hedhim papastërti në rrugë.

___________________

(Kjo hutbe është mbajtur nga  Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!