Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!
Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë: “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!
Të nderuar xhematë!
Hutben e sotme do ta fillojë me një thënie të njohur të Muhammedit s.a.v.s.: “Punoni për këtë botë sikur do të jetoni përgjithmonë, ndërsa kujtojeni botën tjetër (ahiretin) sikur nesër do të vdisni!”
Domethënia e këtij hadithi është e gjerë, ka kuptim të mirë sikur njerëzit ta realizonin në tërësi. Por si duket ne edhe në këtë hadith, sikurse në shumë hadithe të tjera i marrim vetëm pjesët që na konvenojnë për t’i marrë, ndërsa i lëmë dhe nuk i marrim ata që nuk na vinë mirë për t’i realizuar. Nga ky hadith kuptojmë se Allahu i Madhërishëm ka dashur, ka kërkuar që besimtari musliman të jetë gjithmonë aktiv, progresiv, fitues i të mirave të lejuara në këtë botë, por edhe i të mirave të përgatitura për besimtarët e sinqertë në botën tjetër (ahiret). Por si duket ne besimtarët e kohës së sotme veprojmë vetëm me pjesën e parë të këtij hadithi, kurse pjesën e dytë e kemi harruar fare…
Po e përsëris edhe njëherë hadithin e sipërpërmendur: “Punoni për këtë botë sikur do të jetoni përgjithmonë, ndërsa kujtojeni botën tjetër (ahiretin) sikur nesër do të vdisni!” ; Ne, për fat të keq, jemi dhënë pas kësaj dynjaje duke llogaritur se nuk do të vdesim kurrë dhe duke mos llogaritur se ç’është e lejuar dhe ç’është e ndaluar, ndërsa në pjesën e dytë të hadithit i cili thotë “ndërsa kujtojeni botën tjetër (ahiretin) sikur nesër do të vdisni!”- pothuaj se fare nuk jemi duke kujtuar dhe duke punuar për të, pra botën tjetër (ahiretin), duke mos llogaritur se bota tjetër është e përhershme – ndërsa kjo botë pas të cilës me të madhe jemi dhënë, dhe gati jemi duke u fundosur në të – është e përkohshme…
Allahu i Madhërishëm në suren Hud thotë: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e sajë, Ne do t’ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të dhe atyre nuk do t’ua mungojë asgjë. Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm Xhehennemi, dhe ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar.”
Të nderuar xhematë!
Veç më është koha të mendojmë, të shikojmë dhe ti llogarisim veprat tona para se të vijë Dita e Llogarisë, të gjykojmë veten tonë para se të vijë Dita e Gjykimit. Të dimë të kuptojmë se shpërblimi është sipas veprave që do të punojmë. Sot për ne është dita e punës, e veprimit ndërsa nesër do të jetë Dita e Llogarisë. Allahu i Madhërishëm në një ajet kur’anor thotë: “Pra, mos t’ju mashtrojë jeta e kësaj bote, dhe mos t’ju mashtrojë ndaj Allahut djalli mashtrues.” (Lukman, 33)
Ajo që është me rëndësi është të kihet parasysh fakti që jeta e kësaj bote të mos bëhet shkak që qysh në këtë dynja të mbetemi mbrapa me punët për ahiret, pra, të përpiqemi të punojmë për këtë botë sa do të jetojmë në të, dhe të punojmë për ahiretin sa do të jetojmë atje, të punojmë për Allahun sa kemi nevojë për Të, e sa kemi nevojë për Të? Sa? Aq, sa që as qerpikët e syve nuk mundim ti lëvizim pa Dëshirën e Tij…
Në fund, po e përfundojë këtë hutbe me këtë hadith të Muhammedit s.a.v.s.: “Gjithë ummeti im do të hyjë në Xhennet, përveç atij që nuk dëshiron.”; E pyetën: “Po kush nuk dëshiron, o i Dërguari i Allahut?”; Ai tha:”Kush më respekton mua, ai do të hyjë në Xhennet, ndërsa kush më kundërvihet, ai nuk dëshiron.”
_________________
(Kjo hutbe është mbajtur nga Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!