Njohja e Allahut të Madhërishëm…

Kërkojmë mbrojtjen e Allahut të Madhërishëm nga djalli i mallkuar dhe më pastaj si çdo punë të mirë që duhet ta fillojmë në emër të Allahut të Madhërishëm, edhe këto disa fjalë që do ti themi po i fillojmë me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!

Atë që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë dhe të vërtetë, ai jo vetëm që kurrë nuk do ta humbet këtë, por atë nuk do të mund askush që ta devijojë nga kjo rrugë. Ai që mbetet i humbur, për të nuk ka ndihmëtarë dhe udhëzues përveç Atij.

Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!

Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:  “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi  Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!

Të nderuar xhematë!

Hutben e sotme do ta fillojë me një thënie të Ibn Kajjim El-Xheuzijjut i cili tregon se njerëzit në përgjithësi e njohin Allahun e Madhërishëm dhe bën ndarjen e njerëzve në 2 grupe në njohjen e Krijuesit të tyre:

Grupi i parë kufizohet thjeshtë me pranimin e ekzistencës së Tij, në këtë grup bëjnë pjesë i binduri dhe i pa binduri, i miri dhe jo i miri. Të gjithë këta thonë Allahu ekziston. Këtë bindje kishin edhe banorët e Mekës ose Kurejshitët në kohën kur u shpall Kur’ani.

Për ta na tregon Kur’ani Fisnik, i cili në lidhje me këta thotë: “Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “Allahu!”. Pra devijimi i tyre nuk ishte në pranimin apo njohjen e Allahut të Madhërishëm si Krijues – por ishte në mënyrën se si e adhuronin atë.

Grupi i dytë nuk kufizohet vetëm me pranimin e Tij si Krijues, por njohja e tyre është njohje dashurie, përmallimi, dashamirësie, frikë-respekti e dëshire. Këtë njohje nuk e posedojnë të gjithë njerëzit, këtë njohje e posedojnë vetëm besimtarët e sinqertë. Këtë lloj njohje Allahu ia bën të mundur atij që dëshiron me të vërtetë ta njohë Atë. Dhe kjo njohje është ajo që do ti shpëton njerëzit nga dënimet e botës tjetër dhe do t’ua mundësojë njerëzve që ti shijojnë të mirat e përgatitura për besimtarët e sinqertë.

Njeriu së pari duhet vënë veten në provim – para se të na pyet dikush tjetër. Të shohim gjithë ne, a bëjmë pjesë në grupin e parë apo të dytin, a e njohim Allahun e Madhërishëm vetëm si Krijues apo e njohim me njohje dashurie, frikë-respekti, frike etj.

Si Krijues e njohim të gjithë ne, si Krijues e njihnin dhe e njohin edhe  jobesimtarët, por a thua vallë e njohim Allahun me turp? A thua vallë turpërohemi ndonjëherë nga Allahu i Madhërishëm për gjendjen se si jemi? A thua vallë dashurojmë dikë vetëm për hir të Allahut të Madhërishëm pa interesa të kësaj dynjasë? A thua vallë jemi përmalluar për ta parë Krijuesin tonë? A thua vallë frikohemi nga Krijuesi në moment kur bëjmë ndonjë mëkat apo fare nuk e kujtojmë?

Kjo është ajo njohje që kërkohet nga besimtarët e sinqertë. Për ta njohur Allahun e Madhërishëm besimtari duhet të meditojë rreth krijesave të Tij dhe të thellohet në kuptimin e ajeteve kur’anore… Dëgjojeni vetëm këtë ajet kur’anor të sures Ali-Imran, ajeti 190-191 ku Allahu thotë: “Vërtet, në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në këmbimin e ndërsjellë të ditës dhe të natës, ka padyshim argumente për njerëzit me intelekt, të cilët e përkujtojnë Allahun në këmbë, ulur e mbështetur dhe meditojnë thellë për krijimin e qiejve dhe të tokës duke thënë: Zoti ynë!  Ti nuk e ke krijuar kot gjithë këtë. I lartësuar je nga të metat, prandaj na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit!”

_________________

(Kjo hutbe është mbajtur nga  Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)


Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!