Të jesh dhe të mos jesh s’është njësoj

Shkruan: Mehas Alija

Të jesh dhe të mos jesh s’është njësoj

Njeriu, i ardhur në këtë botë pa dëshirën dhe vullnetin e tij, nuk është qenie pa mision dhe pa përgjegjësi. S’është petal i ramë në tokë, as gjësend që i kalon afati. Atë e dallon qëllimi dhe përgjegjësia. E dallon shpirti i pazëvendësueshëm, i cili as që blihet, as nuk shitet dhe as që dhurohet për çështje të kësaj bote.

Njeriu, kjo qenie që gjithçka në shërbim të tij u vendua, si nata dhe dita dhe gjithë ajo që rrotullohet me to, si toka dhe qielli dhe gjithë ajo që gjendet brenda tyre, është qenia më brilante dhe më e rëndësishme në këtë botë, e cila gjithmonë mëton ta perfeksionojë lobimin e tij nga më e pa përkryera tek më e përkryera. Mirëpo, jo gjithherë ai është i tillë. Ai ndonjëherë është mik i vetvetes dhe ndonjëherë armik i saj. Tani shtrojmë pyetjen: Të jesh apo të mos jesh, a është njësoj?

S’do mend që nuk është njësoj. Të jetosh do të thotë të duash jetën dhe të të dojë ajo ty; të jetosh do të thotë të kesh një shkallë arsimimi, të kesh një vend pune ku do ta fitosh kafshatën dhe do ta mirëmbash familjen, të kesh familje të shëndosh me edukatë të shendosh, të kesh atdhe dhe shtëpi; të jesh s’do mend se do të thotë të kesh, ndërsa për të pasur diçka s’do mend se duhet të jesh dikush…

Të jesh do të thotë të besosh, të njohësh Zotin, të jetosh nën hijen e normave të ndershme, të respektosh ligj, t’i respektosh prindërit, ta vizitosh farefisin, t’ju ndihmosh fqinjëve dhe nevojtarëve. Të jesh do të thotë të kontribuosh në të mirë të shoqërisë, ta duash atdheun, ta ndërtosh atë, të sakrifikosh për të; të jesh do të thotë të kesh ideal, ta kultivosh atë, të vdesësh për të… tjetër çka do të thotë të jesh?

Natyra e njeriut është kompleksive, dhe si e tillë ajo gjithmonë për trurin njerëzor ka mbetur e pa definuar mirë. Përcaktimi dhe definimi i qenies njerëzore nga ana e Zotit ndryshon nga ajo që vetë njeriu e definoi vetveten e tij. Ne si ithtarë të besimit në një Zot besojmë se Zoti njeriun e krijoi nga dheu dhe e bëri zëvendës në këtë botë. E bëri misionar, e lartësoi dhe çmoi në mesin e gjithë krijesave të tjera. Ndërsa njeriu privilegjin që ia dha Zoti nuk e dëshiroi, e përbuzi dhe u munda që vetveten e tij ta përcaktowj me mundësitë e tij të përkufizuara dhe arriti në një konkluzion të çuditshëm: Majmuni është paraardhësi i njeriut! Ky është poshtërimi më i madh që njeriu, kjo qenie kaq e lartësuar nga Zoti, ia bëri vetes.

Kjo teori darviniane, e cila diku ende frymon lirshëm, ashtu siç para do kohe Akademia e Shkencave të Shqipërisë kërkoi nga Qeveria që kjo teori akoma të vazhdoj të mësohet nëpër qendra të dijes, njerëzimit nuk i solli asgjë tjetër vetëm se poshtërim dhe dëm. Kjo ishte vetëm se njëra nga të gjitha ato teori që u krijuan nga vet njeriu për njeriun, të cilat nuk u përputhën me realitetin dhe të vërtetën, sepse të gjitha anashkaluan segmentin më të rëndësishëm të njeriut, shpirtin.

Ndërsa të mos jesh nuk të nevojitet asgjë nga ato që i cekëm më lartë. Të mos jesh është e barabartë me hiçin, dhe hiqi është hiq, pa nevojë, pa ndërgjegje, pa përgjegjësi, pa qëllim.

Sot këto dy realitete nuk merren parasysh. Njerëzit sikur kanë harruar se ekzistojnë, se nuk i takojnë realitetit të hiçit, se janë prej atyre që bartin mision dhe përgjegjësi. Të jesh do të thotë të mos ndjehesh dhe trajtohesh si hiq gjë…

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!