Tubimi i Kur’anit dhe shumëzimi i tij në mus’have

Pyetja:

Esselamu alejkum!
I nderuari profesor, a mund të shpjegoni në pika të shkurtra  rreth fillimeve të para të historisë së Kur’anit, si u shkrua dhe si tubua ai?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar, pyetja e juaj është shumë e gjerë, por unë do të bëjë përpjekje që t’ju përgjigjem vetëm në pika të shkurta dhe atë në interes të kohës. Fillimisht t’ju përkujtojë se Kur’ani është fjalë e Allahut xh.sh. e zbritur përmes Xhibrilit a.s. te Muhamedi a.s., është mrekulli në çdo shkronjë dhe çdo fjalë të saj. Kur’ani nuk është zbritur te Muhamedi a.s. për një herë, por sipas nevoje, ajet pas ajeti apo sure pas sure, në një periudhë kohore prej 23 vitesh, aq sa zgjati edhe pejgamberia e Muhamedit a.s. Renditja e Kur’anit sipas ajeteve dhe sureve, ashtu siç e kemi sot, është me imperativin e Allahut xh.sh. e jo sipas zbritjes, apo dëshirës së krijesave. Pejgamberi a.s., si edhe shumë shokë të tij (sahabet), e mësoi përmendsh Kur’anin dhe se i kushtoi një rëndësi dhe kujdes të veçantë.

Në kohën e Pejgamberit a.s. Kur’ani, përveçse mësohej përmendsh, ai edhe shkruhej nëpër sende që lejonin mundësitë, duke përdorur gjethet, lëvoret, drunjtë, rasat, etj.

Pas vdekjes së pejgamberit a.s., në kohën e Ebu Bekrit r.a. u zhvillua edhe beteja e madhe mes myslimanëve dhe murtedëve, që zgjati afër një vit, dhe në këtë luftë të gjatë ranë dëshmorë mbi 70 hafiza të Kur’anit. Kjo e nxiti që Omer b. Hatabi r.a. t’i propozojë Ebu Bekrit, si kalif i muslimanëve, që të ngrit iniciativë për shkrimin dhe tubimin e Kur’anit në një vend. Fillimisht Ebu Bekri nuk u pajtua, sepse një veprim i tillë nuk ishte bërë në kohën e Pejgamberit a.s., por pas disa bisedave arriti që Omeri r.a. ta bindte Ebu Bekrin r.a. që të marrë një iniciativë të tillë. Për këtë çështje u autorizua i riu i quajtur Zejd b.Thabit, i cili kur pranoi këtë përgjegjësi, tha: “Pasha Allahun sikur të më kishin ngarkuar me bartjen e kodrës, nuk do të më vinte më e rëndë sesa ajo që më urdhëruan për të tubimin e Kur’anit.”[1] Ajo që vlen të theksohet se asnjë ajet nuk është pranuar pa dëshminë e dy e më shumë dëshmitarëve hafizë të Kur’anit.

Ky ishte tubimi i Kur’anit për herë të parë, andaj kjo e nxiti Alij b. Ebu Talibin të thotë: “Njeriu që më së shumti ka merita dhe sevape  për Mus’hafin është Ebu Bekri, Allahu e mëshiroftë, ai ishte i pari që e tuboi Librin e Allahut xh.sh.”[2]

Ky Kur’an i tubuar ishte ruajtur te Nëna e myslimanëve Hafseja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit a.s.

Sa i përket tubimit të Kur’anit në kohën e Othmanit r.a. te Imam Buhariu gjejmë hadithin e transmetuar nga Enes b. Maliku, i cili tregon rastin kur Hudhejfe b. El Jemami kishte shkuar te Othmani r.a. dhe i kishte propozuar për rishkrimin e Kur’anit. Othmani r.a. për këtë kishte formuar një komision me këtë përbërje: Zejd b. Thabiti, Abdullah b. Zubejri Seid b. El Asi dhe Abdurrahman b. El Harith b. Hishami. Numri i këtyre mus’ahfeve të shumëzuar nga Othmani r.a., sipas asaj që paraqet imam Sujutiu, ishte pesë kopje që i kishte shpërndarë nëpër qendrat islame, kurse me kopjen që e ndali për veti ishin gjithsej gjashtë.[3] Pra kjo është një histori e shkurtë e tubimit të Kur’anit në këtë formë që ne sot e kemi në duart tona.

Allahu e di më mirë.

_____________
[1] Transmton Buhariu.
[2] Transmeton Ebu Davudi.
[3] Dr. Nurudin Itri, Muhadirat fi Ulumil Kur’an, f.57, Damas 1984.

_____________
Jusuf Zimeri
Prill, 2011
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!