“O Zoti im! Ndëshkoje udhëheqësin që e dëmton Ummetin tim”

Kërkojmë mbrojtjen e Allahut të Madhërishëm nga djalli i mallkuar dhe më pastaj si çdo punë të mirë që duhet ta fillojmë në emër të Allahut të Madhërishëm, edhe këto disa fjalë që do ti themi po i fillojmë me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!

Atë që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë dhe të vërtetë, ai jo vetëm që kurrë nuk do ta humbet këtë, por atë nuk do të mund askush që ta devijojë nga kjo rrugë. Ai që mbetet i humbur, për të nuk ka ndihmëtarë dhe udhëzues përveç Atij.

Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!

Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:  “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi  Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!

Në shumë vende nëpër libra e hasi temën e padrejtësisë para asaj të drejtësisë, ndaj, nisur nga kjo dhe duke u bazuar në ajetin kur’anor ku Allahu i Madhërishëm më së pari urdhëron në drejtësi e pastaj ndalon padrejtësinë, sot vendosa të them diçka që ka të bëjë me drejtësinë dhe të vërtetën, kurse në hutben e ardhshme insha’Allah do ta paraqesim padrejtësinë.

E vërteta dhe e drejta është ajo që i përshtatet njeriut dhe e gjithë natyra është e krijuar për të. Drejtësia është ajo që e kërkojnë të gjithë, por ama  pak prej tyre e realizojnë.

Të gjithë thirren dhe mbështeten në të, por rrallë kush ia jep hakun sa dhe si duhet asaj. Tek  ne në praktikë demokracinë e  keq e kuptuan, duke e definuar:  “të veprosh çka të duash qoftë ajo e drejtë, e domosdoshme a jo” – ndërsa kuptimi i saj është e tërësisht e kundërta: “mos ta pengosh askënd, të jesh i drejtë, i moralshëm, ta dish çka është e drejta jote dhe ta kërkosh atë, ta arrish të drejtën tënde pa marrë parasysh kush është pala kundërshtuese, ti dish obligimet e tua dhe ti kryesh ato.”

Allahu i Madhërishëm  na këshilloi për drejtësi dhe na qortoi nëse bëhemi zullumqarë.

Në  Kur’anin Fisnik thuhet: “Në të vërtetë Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë, dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën.” Në një vend tjetër i Madhërishmi thotë: ”dhe pajtoni ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.” Për të fituar botën tjetër (ahiretin) Allahu kërkoi po ashtu drejtësi, në suren El-Kasas, Ai thotë: ”Botën tjetër, Ne do ta caktojmë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në tokë dhe as nuk duan çrregullime. Përfundimi i mirë është për ata që ruhen nga të këqijat.”

Ndërsa thëniet e Pejgamberit s.a.v.s. në këtë drejtim janë të shumta, por ne do të përmendim disa prej tyre.

“ Prijësi përgjegjës për çështjen e muslimanëve që nuk mundohet për ta dhe nuk i këshillon ata, nuk do të hyjë në Xhennet me ta.”

“ Njeriut që Allahu ia ka mundësuar ruajtjen dhe drejtimin e një populli, ndërsa ai vdes duke e tradhtuar atë, Allahu ia ndalon hyrjen  në Xhennet.”

Nga lutjet e Pejgamberit tonë (s.a.v.s.) ishin edhe fjalët: “O Zoti im! Ndëshkoje udhëheqësin që e dëmton dhe mundon ummetin tim, dhe ndihmoje udhëheqësin që sillet mirë me ummetin tim!”

____________________
(Kjo hutbe është mbajtur nga  Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

1 Koment

  1. toni

    Allahu ju shperblefte per hutbet e mira te ketij hoxhe nga Tetova por ju lutemi qe edhe sureja edhe numri i ajetit te shenohet per lexuesit se nuk jan krejt hoxhallare,kemi lexues te ndryshem ……Zoti ju ndihmofte….

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!