Rëndësia e besmeles me një koment të shkurtër

Arsim Dauti

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve, i cili shpalli Librin me plotë hidajete dhe rregulla. Atij i takon çdo lëvdatë dhe meritë. Paqa dhe mëshira e Zotit qoftë edhe mbi të Dërguarin e All-llahut (s.a.v.s), i cili ishte dhe do të mbetet shembëlltyra dhe drita e pafikur gjatë gjithë kohërave, po ashtu edhe mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët vazhdimisht dhe me një përkushtim të plotë e ruajtën mesazhin apo Librin ashtu të pa prekur siç e zbriti Xhibrili (a.s.)

Nuk ka dyshim se Bismilahi është ajet i Kur’anit dhe vlera e tij është e madhe dhe se me të punët gjithëmonë duhet filluar. Prandaj, duke e patur parasysh rëndësinë e këtij ajeti në jetën tonë të përditshmë vendosa që të shkruaj disa reshta në lidhje me Bismilahin, dimenzionet dhe kontestet e dijetarëve për të gjatë historisë. Në këtë punim shtjellohet dhe komentohet rëndësia, vlera, dhe dallimet e dijetarëve rreth asaj se a është Bismilahi ajet i çdo sureje apo jo, kontestet e tyre rreth asaj se Bismilahi është apo nuk është ajet i Fatihasë dhe se leximi i saj në namaz duhet bërë me zë apo pa zë…

Pra, shpresojë të kemë dhënë nje pasqyrë të mundshme reale ne lidhje me rëndësinë dhe problematikën tematike të Bismilahit.

بسم الله الرحمان الرحيم

Me emrin All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirbërsit

All-llahu xh. sh., me madhërinë e vet për të na mësuar se si duhet me emrin e Tij të madhërueshëm, se si duhet të falënderojmë për të mirat që na i ka dhënë e na i jep pa ndërprerë dhe se si të kërkojmë ndihmë prej tij në çdo rast u ka zbritur besmelen për ta thënë me gjuhën e tyre para fillimit të çdo pune.
Kur`ani famëlartë prej momentit të zbritjes së tij, zbriti i ndërlidhur me besmelen (بسم الله الرحمان الرحيم ) “me emrin e All-llahut Mëshiruesit, Mëshirbërsit”, për atë ne kur fillojmë të lexojmë Ku’ran, fillojmë me të njëjtin fillim me të cilin ka filluar All-llahu xh.sh në librin e tij, ku fjalët e para që i´u shpallën Muhammedit a. s., ishin (اقرأ باسم ربك الذي خلق) “lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoi çdo gjë” [1]
Pra fillimi me fjalët “Me emrin Zotit” është shenjë e etikës të cilën All-llahu xh.sh i zbriti Muhammedit a.s në fillim të shpalljes së kuranit siç thuan të gjithë dijetarët me fjalët “lexo me emrin e zotit tënd i cili krijoi çdo gjë”. Kjo është ajo çka është e pranuar dhe që ndërlidhet me rregullin e sheriatit e cila thotë: “Ai është i pari dhe i fundit, i dukshmi dhe i padukshmi” (57/3)[2]

Rëndësia e besmeles

Rëndësia e besmeles në islam është e madhe dhe për këtë tregojnë ajetet dhe hadithet e Pejgamberit a.s.
Në vazhdim do të përmendim disa hadithe të Muhammedit a.s në lidhje me rëndësinë e besmeles. Transmeton ibn Abasi prej Omerit r.a se ai e ka pyetur pejgamberin a.s për besmelen e ai tha: “Ai është emër prej emrave të Allahut xh.sh dhe se nuk ekziston në mes këtij emri dhe emrit të madh të Allahut xh. sh., largësi sikur e bardha e syrit me të zezën. [3]

Të njëjtin hadith mund ta gjejmë edhe te imam Ebu Muhammed Abdurahman bin ebi Hatim me zinxhir të transmetuesve nga Osman b. Affan. [4]
Vekkii me zinxhirin e tij të transmetuesve, transmeton nga ibn Mesudi i cili ka thënë: “Kush dëshiron që Allahu xh.sh ta ruaj nga nëntëmbëdhjetë zebanijtë (ruajtësit e xhehenemit) le të lexoj besmelen kurse All-llahu xh.sh çdo shkronjë do ta bëj mbrojtës nga ata. Këtë e thotë edhe ibn Attije dhe el Kurtubi. [5] Në hadithin e Bishr bin Ammarit, i cili transmeton nga Ed-Dahaka, e ai nga Ibn Abbasi, tregon se e para gjë që Xhebraili ia ka shpallë Muhammedit a.s., kanë qenë fjalët: “O Muhammed thuaj: Mbështetem në Atë, i cili me të vërtetë dëgjon dhe di gjithçka nga djalli i mallkuar dhe pastaj tha thuaj: ( باسم الله ) që donë të thotë: “Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit”. Gjithashtu transmeton En-Nesai në librin e tij “El-jaumu vel-lejleti” hadithin e Halide el-Hazaija, i cili transmeton nga el-Huxhejniu, kurse ky nga ebu Meliha bin Usame, ky nga ibn Omeri e ky nga babai i tij, i cili ka thënë: “Isha pas Pejgamberit a.s, kur ai u skuq, dhe thash: “U shkatërrua djalli!”, ndërsa ai mu përgjigj: “Mos thuaj ashtu, sepse ai me të vetëm rritet dhe bëhet si një shtëpi e madhe”, por thuaj “Bismilah”, sepse me të ai zvogëlohet dhe bëhet i imët si një mizë e vogël.” [6]

Pra çdo send kur e fillon me besmelen ndihma e All-llahut xh.sh nuk të mungon asnjëherë. Kjo është edhe një mëshirë e Tij, që na mësoi kur të fillojmë ndonjë punë ose aktivitet të fillojmë me emrin e Tij, pra me bismilah, p.sh., kur të hamë ushqim ose edhe kur bashkëshortët të kenë marrëdhënie intime duhet përmendur emrin e All-llahut xh.sh. Në Es-Sahihejn transmetohet hadithi i Muhammedit a.s., i cili ka thënë: “Kur dikush dëshiron t’i afrohet gruas së tij le të lexon besmelen dhe le të thotë: “O Zoti im, largoje nga ne shajtanin e mallkaur edhe nga ai që do të na e japish, e nëse lind fëmijë shajtani atë asnjëherë nuk mund ta dëmtojë.”[6] Pra, duke i analizuar thëniet e Muhammedit a.s., që kanë të bëjnë kryesisht me rëndësinë e besmeles në jetën tonë të përditshme lirisht mund të themi se “bismilahi” është arma më e fuqishme e besimtarit.

Koment i shkurtër rreth besmeles

(بسم) Është emër i nxjerrur nga ( البسمو) që nënkupton: ngritje, lartësim. Kurse disa dijetarë janë të mendimit se është e nxjerrur prej fjalës ( السمة), por më i vërtetë është mendimi i parë. [7]
(الله ) Fjala e madhërueshme All-llah është njëri nga emrat e bukur të Tij, me këtë emër thirrët vetëm i adhuruari me të drejtë, që është Zoti, ekzistenca e të Cilit është e domosdoshme. All-llah nuk quhet tjetër kush veç Zotit të vërtetë. Kur themi All-llah, na vjen ndërmend veta e Zotit e pajisur me të gjitha vetitë e plota që janë të meritueshme për madhërinë e Tij dhe pa asnjë të metë. [8]

Emri All-llah është emër që i përmbledh të gjitha cilësitë e Zotit, ngase punët në përgjithësi kërkojnë cilësi të shumta, kur fillojmë me ndonjë punë ne kemi nevojë për ndihmë, forcë, mëshirë etj. Emri All-llah në Kur’ an përmendet 2697 herë. Komentatori i Kur’anit Ibn Kethiri në Tefsirin e tij në lidhje me këtë thotë: “Emri All-llah është emër i veçantë i All-llahut xh,sh, dhe thuhet se është emri më i madh i Tij.”

All-llahu xh.sh., në Kur’anin famëlart thotë: “Ai është All-llahu që nuk ka Zot tjetër përveç Tij, vetëm ai që e di të fshehtën dhe të dukshmen. Ai është Mëshiruesi, Mëshirbërësi. Ai është All-llahu që nuk ka Zot tjetër përveç Tij, Sundues i Përgjithshëm, i Pastër (prej të metave që i vishen), Shpëtimtarë (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), Sigurues (që siguroi njerëzit me premtimin e Tij dhe pejgamberët me mrekullitë mbikëqyrëse, që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i Plotfuqishëm, Mbizotërues, i Madhërishëm, i lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë. Ai është All-llahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur, Atë(All-llahun) e madhërojnë çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, i urti.” [9]

Imam Buhariu dhe imam Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejre r.a.., se i Dërguari i All-llahut xh.sh., ka thënë: “All-llahu xh.sh., ka nëntëdhjetë e nëntë emra, pra një më pak së njëqind. Kush i kupton dhe punon sipas tyre do të hyj në xhennet”. [10]
Dijetarët nuk janë të një mendimi se emri Allah është i nxjerrur apo jo. Disa janë të mendimit se emri All-llah ( الله ) është emër i nxjerrur nga ( الالهة ) që donë të thotë: adhurim. Kurse disa të tjerë këtë pohim të grupit të parë e mohojnë. Të këtij mendimi janë shumica e gramaticientëve, Imam Shafiu, El-Hitabiu, Imam el-Haramejni, El-Gazali etj. Transmeton Imam El-Kurtbiu.
Transmetohet nga el-Halili dhe Sibevejhi se elifi dhe lami në të janë të domosdoshme (lazim).

El-Hitabi thotë: “Siç duket se ti thua ( يا الله ), e nuk thua (يا الرحمان ). Sikur të mos ishte fjala nga baza nuk do të mundeshe të hyj thirrorja në elifin dhe lamin. [11]

( الرحمان الرحيم)- Mëshiruesi, Mëshirbërësi, nxirren nga folja (الرحمة )- mëshirë, me kuptim të stërmadhuar. Emri err-rrahman ka kuptimin më të stërmadhuar dhe më universal, se sa emri err-rrahim, që donë të thotë se është më specifik. Pra (الرحمان) është emër i nxjerrur, për kundër disa dijetarëve të cilët mendojnë se ky emër nuk është i nxjerrur. Këtë e argumenton edhe transmetimi i Tirmidhiut, për të cilin thotë se është sahih, nga Abdullah b. Avfi r.a., i cili e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut., s.a.v.s., i cili ka thënë: All-llahu i Lartmadhërishëm thotë: “Unë jam i gjithëmëshirshëm. Kam krijuar lidhjet fisnore dhe u kam dhënë emrin sipas emrit tim. Kush i përmban Unë do ta ruaj, ndërsa kush i ndërpret do ta lëshoj nga mëshira ime”, dhe pastaj (transmetuesi) thotë: ky është tekst i cili argumenton se err-rrahman është emër i nxjerrur dhe shkak i mospajtimit.
Ibn Xheriri me zinxhirin e tij të transmetuesve transmeton nga Azremie se err-rahman- i gjithëmëshirshmi, është për të gjithë krijesat, kurse err-rrahim- mëshirbërësi, është vetëm për besimtarët. [12] Pra All-llahu xh.sh., është shumë i mëshirshëm jo vetëm mbi ata të cilët e besojnë, por edhe mbi ata që nuk e besojnë dhe nuk e adhurojnë. All-llahu xh.sh., emërtohet me err-rrahman sepse ai është i mëshirshëm në këtë botë edhe për besimtarin edhe për jobesimtarin.

Në këtë botë Ai i furnizon edhe besimtarët edhe mosbesimtarët, kurse në ditën e gjykimit më All-llahu xh.sh.,nuk është (الرحمان)por atë ditë Ai është (الرحيم), mëshirues vetëm për besimtarët dhe falës i gabimeve të tyre. All-llahu xh.sh., në Kuran thotë: (و كان بالمؤمنين رحيما ) “Dhe Ai ndaj besimtarëve është shumë i mëshirshëm”. [13]

Kurse komentatori ynë i njohur hafz. Ibrahim Dalliu në lidhje me emrat (الرحمان الرحيم) në tefsirin e tij “Ajka e kuptimeve të Kurani kerimit” jep një rregull: “Prej emrit err-rrahman dalin tre kuptime: 1) të shikosh nevojtarin, 2) të të zbutet zemra dhe 3) t´i japësh dicka e t´i kryesh atij nevojën që ka. Pra, kur themi për All-llahun se Ai është err-Rahman duam të themi se Ai është që e sheh nevojtarin dhe që ia mbaron nevojën. Kuptimi i dytë i fjalës është zbutja e zemrës, por nuk na vjen nërmend aspak zemra, sepse e dimë që Zoti nuk është trup (xhism) që të ketë organe që u lipsen njerëzve. Zoti ynë nuk përngjet me askënd e me asgjë në përgjithësi, Ai nuk ka zemër që t´i zbutet, Ai nuk ka gjak që t´i ndizet e t´i vloj, por dhembshuria e Tij është që ti jap nevojtarit sa të dëshiroj e kur të dëshiroj dhe zemërimi i tij është të ndëshkohen fajtorët me aq sa e meritojnë. Pra, fjalët err-rrahman dhe err-rrahim që janë në shkallën sipërore kanë kuptim: All-llahu është shumë dhënës. [14]

Kontesti rreth besmeles

Në fillim të shumë tefsireve e sidomos në ato klasik bëhet fjalë mbi besmelen e cila zë vend të rëndësishëm në ndarjen formale të kur’anit. Këtu në rend të parë do të flitet mbi atë se a është kjo pjesë integrale e tekstit kur’anor apo kemi të bëjmë me tekst të themeluar me hadithe të Muhammedit a.s ose me praktikën e jetës së hershme të bashkësisë islame në Meke dhe Medine.
Gjithashtu do të behet fjalë se a është besmelja ajet i Fatihas apo jo, a lexohet në namaz me zë apo pa zë.

Të gjithë dijetarët islam janë të mendimit se besmelja është ajet në suren en-neml, por ata nuk janë të një mendimi se a është ajo ajet i pavarur në fillim të çdo sureje, apo është shkruar në fillim të çdo sure si ajet i parë ose është vetëm pjesë e sures fatiha, apo është e shkruar vetëm për ndarjen e sureve. [15]
Sipa transmetimit të ebu Davudit me zinxhirë sahih të transmetuesve nga ibn Abbasi thuhet se pejgamberi a.s nuk e dinte ndarjen e sureve derisa iu shpall besmelja. [16]

Ibn Kethiri përmend disa mendime, kurse Aliu dhe ibn Abasi kanë konsideruar se besmelja është ajet i çdo sureje përveç sures el-berae.
Imam Maliku imam Ebu Hanifja dhe pasuesit e tyre konsiderojnë se besmelja nuk është as ajet i fatihas e as i ndonjë sure tjetër. [17]
Kurse imam Shafiu mendon se besmelja është ajet i fatihas, e jo edhe i sureve tjera. Ebu Davudi mendon se besmelja është ajet i pavarur në fillim të çdo sure por jo edhe i sures përkatëse. Transmetohet se i këtij mendimi është edhe Ahmed ibn Hanbeli. [18] Këto mendime ishin sipas transmetimeve të ibn Kethirit dhe M.A.Sabunit.

Ndërsa njëri ndër dijetarët më të njohur të tefsirit imam es-Sujuti mendon se çdo besmele në Kur´an është Kur´an gjegjësisht është pjesë e shpalljes. Regulli i tij është: Nuk ka kontest se krejt çka është nga kurani patjetër duhet të transmetohet me besnikëri si për nga tërësia e vet ashtu edhe për nga pjesët. Ajo që besmelja shpesh përsëritet nuk është argument se karakteri i saj është jo kura´nor. Përkundrazi ekzistojnë mjaft ajete në Kur´an që përsëriten si psh. ( فبأي آلاء ربكما تكذبان ) e askush nuk e parashtron pyetjen e autenticitetit të saj. Sujuti gjithashtu i hedh poshtë edhe mendimet se besmelja është për ndarjen e sureve sepse atëherë është dashtë që të shkruhet edhe në fillim të sures el-bera. Argumenti më i fortë i tij është hadithi të cilin e transmeton Ummi Selemja se pejgamberi i Zotit e ka kënduar besmelen dhe fatihan. [19]

Gjithashtu në lidhje me besmelen kanë komentuar edhe shumë orientalist siç janë A. T. Welch, Blacher, L.Gardet. J. Jomier.etj. [20]
Por mendimi më i vërtetë sipas ibn Kethirit në bazë të argumenteve të tyre është mendimi i imam ebu-Hanifes dhe pasuesve të tij se besmelja është ajet i veçantë që ka zbritur për ndarjen e sureve që tregon fillimin dhe përfundimin e tyre.

-Transmetohet nga ibn Abasi r.a se “pejgamberi a.s nuk e dinte fundin e sures
derisa zbriste besmelja , kur zbriste ( بسم الله الرحمان الرحيم) e dinte se sureja ka përfunduar dhe do të filloj sure e re”. E transmeton ebu Davudi, gjithashtu e përcjell Bezzari përmes dy zinxhirëve të cilët janë sahih. [21]
-Transmetohet nga ebu Hurejra se pejngamberi a.s ka thënë: “Një sure nga kur´ani ka tridhjetë ajete, ajo i bën shefat një njeriu derisa ti falet mëkati (تبارك الذي), e përcjell Tirmidhiu dhe thotë hadithi është hasen. [22]
Hafidh ez-Zejlei pasi e cek hadithin e ebu hurejrës për suren el-Mulk thotë: e përcjell Ahmedi në Musned, Ibn Hibani në musnedin e vet Hakimi në mustedrek, argumentimi me këtë hadith bëhet se sureja në fjalë ka 30 ajete pa bismilahin dhe asnjë nga numëruesit e ajeteve nuk e kundërshton këtë. [23]

Besmelja si pjesë e Fatihasë

Dijetarët islam nuk janë të një mendimi se a është besmelja ajet i fatihas dhe a lexohet ajo në namaz me zë apo pa zë.
Imam Shafiu konsideron se besmelja është ajet i parë i sures fatiha dhe obligohet të lexohet me këtë sure, pra sipas imam Shafiut dhe pasuesve të tij besmelja lexohet në namaz me zë. [24]
Imam Maliku dhe Euzaiu mendojnë se besmelja nuk është nga kur’ani përpos se në suren en-neml dhe se nuk lexohet në namaz përveç se në muajin e ramazanit. [25]

Sipas Ebu Hanifes dhe dijetarëve hanefij konsiderojnë se besmelja nuk është pjesë e fatihas. Por këta mendojnë se besmelja lexohet në namaz pa zë. Sipas ibn Kethirit i këtij mendimi është edhe Ahmed b. Hambeli. [26] Argumentet e këtyre janë se: është e sigurt se katër halifet e drejtë besmelen e kanë lexuar pa zë pra në vete. [28] Transmetohet nga ebu Hurejre i cili ka thënë:e kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut .xh.sh. duke thënë: All-llahu xh.sh thotë: “e kam ndarë namazin/ fatihan në mes Meje dhe robit tim në dy pjesë, kështu që kur robi im thotë: ”elhamdulilahi rabil alemin……..vazhdon hadithi. Ky hadith qartë tregon se besmelja nuk është ajet i fatihas sepse pejgamberi a.s suren e filloi nga elhamdulihai e jo nga besmelja. [29]

Sipas argumenteve shihet se dijetarët e medhhhebit hanefij kanë mendimin më të vërtet por nuk do të thotë kjo se dijetarët tjerë nuk kanë argumente ku i bazojnë mendimet e tyre. Allahu A’lem

_____________________
1 El- alek -1 tefsir- dispencë per vitin e parë në fakulltetin e shkencave islame në shkup
2 Sejid Kutb nën hijen e kuranit.fq 13
3 Tefsir- dispencë për vitin e dytë në fakulltetin e shkencave islame ne shkup.fq
4 Tesir I ibn Kethirit –verzion I shkurtër nga Nesib er-Rifai sarajevë fq.30
5 Po aty.fq. 30
6 Po aty fq. 31
7 Po aty fq. 30
8 Tefsir- dispencë për vitin e II, FSHI, Shkup.
9 Ibrahim Dalliu,Ajka e kuptimeve të Kurani kerimit, fq. 18.
10 El-Hashr, 22,23,24.
11 Ibn Kethir, cit. vep. fq. 38
12 Tefsir-dispence per vitin e II, FSHI, Shkup.
13 Ibn Kethir, cit. vep. fq. 31
14 El- Ahzab, 43.
15 Ibrahim Dalliu, Ajka e kuptimeve tw Kurani kerimit, fq.19.
16 Hyrje në shkencën e tefsirit.Enes Kraic.fq 102.
17 Ibn-Kethiri.verzioni i shkurtër nga Nersib er-Rifai fq.30
18 Hyrje në shkencën e tefsirit.Enes Kariç.103.
19 Po aty. Fq.103.
20 el-itkan fi ulumil kuran” Xhelaludin es-Sujutiu.cituar sipas Enes Karic vepra e cituar.fq.104
21 Hyrje në shkencën e tefsirit.Enes Kariç.fq.105.
22 Tefsiri i ibn Kethirit.verzion i shkurtër Nesib er-Rifai.
23 ahnaf.com
24 Po aty
25Tefsir.dispencë për vitin e dytë në fakulltetin e e shkencave islame.fq.33
26 Po aty.fq.33
27 po aty.fq.33.ibn Kethiri verzioni i shkurtër sipas Nesib er-Rifait fq.30
28 Ibn Kethiri “tefsirul kuranil adhim”.verzioni i shkurtër sipas Nesib er-Rifai.fq.30/31.
29 . ahnaf.com

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!