Nuk është as humane, as njerëzore, e assesi islame, që dikush të tentojë të përfitojë nga fatkeqësia e dikujt tjetër, e lëre më nga fatkeqësia e vëllait të tij. Mirëpo ja që dikur thoshin: “Shyqyr që ra kjo dekë, e u pamë”.
Erërat e fundit që po fryjnë në botën arabe – islame, sigurisht, se do të paguajnë çmimin e vet, por kur të bëhet llogaria përfundimtare e këtij çmimi, do t’ia vlejë sepse ky është çmimi i lirisë, si të dëshironi quajeni, fetare, mendore, kombëtare, politike, etj. Ky popull arab, që në trupin e tij e ka kufizuar shumë herë me vetveten, deri tani ka paguar çmime marramendëse dhe atë për robërinë e tyre, e tani ka vendosur të paguajë faturën e fundit të robërisë, për të jetuar në liri, pavarësisht çmimit, sepse liria është e vetmja e drejtë e njeriut, që nuk guxon ta shesë asnjëherë. Tani asgjë të re në Egjipt, vetëm po rikthehen te fjala e Omer b. Hatabit r.a. i cili pikërisht për popullin e Egjiptit pati thënë: “Njerëzit kanë lindur të lirë dhe askush s’ka të drejtë t’i robërojë.”
Kjo nuk është bërthama e problemit që unë dua ta shkoqis, sepse këtë praktikisht po e dëshmon popullata egjiptian që me kulturën e tyre të lartë islame dhe njerëzore përmes protestave të saja paqësore po i thyen të gjitha rekordet botërore, si në numër ashtu edhe cilësi. Po dëshmon para botës se janë popull i edukuar me tradita të larta, atdhedashës dhe liridashës, sepse kjo ndodhë vetëm në Egjipt që të protestojnë me miliona njerëz, pra mbi tetë milion njerëz për një kohë, dhe të mos ketë njerëz të vrarë dhe të lënduar nga organet e sigurimit dhe rendit.
Këtë e potencova sa për ilustrim, kurse ajo që më shqetëson në njërën anë dhe që më gëzon në anën tjetër, është se dikush edhe përmes kësaj fatkeqësie, që sipas mendimit tim, është fatmirësi që populli e kuptoi dhe u bashkua rreth të vërtetës, po tenton të përfitojë diçka nga kjo katrahurë që po ndodhë në botën islamo – arabe. Deklaratat e shumta iracionale dhe të pa argumentuara islamikisht, porse edhe tërësisht të pa kripura, po bëjnë përpjekje që të deligjitimojnë të drejtat elementare të një populli, në interes të një diktatorëve dhe klikave të tyre.
Meqë edhe unë jam pak hoxhë, dhe aty-këtu kam lexuar ndonjë fetva nga dijetarët e mëdhenj, patjetër më duhet të them se për bindjen time, fetvaja më e paskrupullt, më bajate, më e pa argumentuar, që kam lexuar ndonjëherë është fetvaja e Myftiut të Arabis Saudite, Shejh Abdulaziz Shejh, kur dënon protestat dhe i quan armiqësore. Besa, të them një gjë, se këto deklarata ma hoqën mallin e deklaratave të disa politikanëve komunistë shqiptarë gjatë vite të 80-ta, kur protestonin shqiptarët në Kosovë, e ata i quanin armiqësorë. Edhe për këtë nuk u mërzita aq shumë kur e di se Myftiu i Saudisë është myfti i oborrit mbretëror dhe s’ka si t’i gjykojë ndryshe, përveç i dirigjuar nga mbreti, e ndoshta edhe pa dëshirën e vet, por çfarë kanë këta tanët, kur derdhin lot krokodili për Mubarakun dhe Abidinin. Zatën, deri tani për Abidinin dhe Mubarakun deri tani ka derdhur lot krokodili vetëm Mbreti i Saudisë, Gadafi dhe Izraeli, e askush tjetër. Ndoshta ata kanë të drejtë t’i hidhërohen popullit egjiptian që kërkon të drejtën e tij, se sa shohin kërcënim permanent nga ky popull, por çfarë kanë këta “shiptarët” tanë, apo ndoshta edhe këtyre ua kanë hëngër sëpatën.
Nejse, në disa vende të quajturit “selefi” apo neoselefistët, përmes altoparlantëve kanë bërtitur “mos dilni në protesta, se protestat janë haram”. Këtu zbulohet maska e vërtetë e shumëkujt, pra kujt i pengon liria dhe kujt zullumi? Po i pyes edhe këta, së bashku me myftiun e Saudisë, çfarë duhet të jetë qëndrimi islam kur në skenë paraqitet zullumi dhe padrejtësia? Të luftohet kundër tyre, apo të ndihmohen ato? Ta marrim si shembull, diktatori tunizian, mos t’ia zë emrin, kishte ndaluar edhe ezanin nëpër xhami, kishte ndaluar mbulesën e femrave muslimane, etj., por që tani ezani thirret pesë kohë në Tuniz, dhe njerëzit falen edhe rrugëve. Këta burra që përmes revolucionit e hoqën qafe këtë diktator hajdut kanë bërë gjynah (Haram) apo ringjallje të Islamit? A e din zotëri myftiu nga Arabia dhe këta “shiptarçiçat” tanë sa mijëra e mijëra dijetarë eminentë muslimanë dhe të profileve tjera, kanë përfunduar nëpër burgjet e Mubarakut? Ata nuk janë kalbur nëpër burgje për shkak se janë kapur me drogë, as me vjedhje, as me armatim, e as me korrupsion, por vetëm pse e kanë thënë të vërtetën dhe kanë ftuar në të. Pra, për në fund po pyes, cila na qenka islame, të ndihmosh krimin dhe padrejtësinë, apo të ndihmosh të vërtetën dhe hakun?!
Të nderuar, kështu do të përfundojnë tiranët dhe zullumqarët kudo në botë. Duke filluar nga faraonët, hitlerët, çausekët, sadamët, millosheviçët, mubarakët, abidinet edhe të tjerët me radhë.
O Zot, ndihmoji Islamit dhe muslimanët, e zullumqarët eliminoi mes veti.
P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!