Kushtet e namazit (pjesa e dytë)

Jusuf Zimeri

Kushti është ai nga i cili varet ekzistimi i të kushtëzuarit, që do të thotë se mosekzistimi i tij shpie në mosekzistimin e të kushtëzuarit, kurse ekzistimi i tij nuk shpie në obligueshmërinë e të kushtëzuarit. Kushti për dallim nga rukni, është pjesë e jashtme e veprimit si p.sh. Abdesi që është kusht për namaz, pa te nuk mund të falet namazi, por ekzistimi i abdesit nuk obligon faljen e namazit, dhe ai është pjesë e jashtme e namazit. Sa i përket kushteve të namazit, të cilat obligohet besimtari islam që t’i plotësojë para se të hyjë në namaz, sipas rregullave islame janë gjashtë, e ato janë:

1. Pastërtia (Et-Taharetu)

Pastërtia është pjesë e imanit, andaj çdo njeri i cili vendos të kryejë ndonjë obligim fetar patjetër duhet të jetë i pastër.

Fjala “Et-Tahare” në kuptimin gjuhësor do të thotë: pastrim, mënjanim nga ndyrësirat lëndore-materiale që shihen me anë të syrit, e gjithashtu nënkuptojmë pastrimin figurativ siç janë të metat dhe mëkatet.

Shprehja “Et-Tahare” në kuptimin terminologjik të sheriatit islam do të thotë “Veprim, (pastrim) me të cilin lejohet falja e namazit duke filluar prej abdesit, pastërtisë së trupit dhe tejemmumit dhe duke larguar papastërtinë“. All-llahu xh.sh. thotë:

فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَنْ يَتَطَهَّرُوا وَاللَّهُ يُحِبُّ المُتَطَهِّرِينَ

“Aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit.[1]

Gjithashtu kemi edhe hadithin e Pejgamberit s.a.v.s., të transmetuar nga Ebu Malaik El Eshariu që thotë:

‏”‏الطُّهُورُ شَطْرُ الإِيمَانِ

“Pastërtia është gjysma (pjesë) e imanit”[2]

Urtësia e pastërtisë

Urtësia e pastërtisë është se njeriu kur dëshiron të dalë para All-llahut xh.sh. duhet të jetë me zemër dhe me shpirt të pastër, pastaj me trup dhe me petk të pastër, i larguar nga angazhimet e jetës së kësaj bote.

Ujërat dhe llojet e tij

Para se të fillojmë të themi diç për ujërat, të theksojmë se për pastrim janë të vlefshëm ujërat që zbresin nga qielli apo burojnë nga toka, siç janë: shiu, bora, breshëri, lumenjtë, detet, puset, dhe burimet e tjera.

Sipas rregullave të Sheriatit islam, ujërat për nga pastërtia dhe papastërtia e tyre ndahen në lloje e që kryesisht janë:

1. Uji i pastër, i cili posedon cilësitë e pastrimit, dhe me të bëhet mënjanimi i papastërtisë, e ky ujë është uji i rëndomtë. Në këtë lloj uji përfshihen:

a) Uji i shiut, borës, akullit etj. Për këtë All-llahu xh.sh. thotë:

وَ يُنَزِّلُ عَلَيْكُمْ مِنَ السَّماءِ مَاءً لِيُطَهِّرَكُمْ بِهِ

“Ju lëshoi shi nga qielli, për t’ju pastruar me të”[3]

b) Uji i detit, e këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë:”Uji i detit është i pastër”

c) Uji i pusit- bunarit dhe ujërave që burojnë nga toka

d) Uji i lumenjve.

2. Uji që është i pastër në esencë, por nuk pastron të tjerët. Ky lloj uji është i pastër në esencën e tij, pastron të gjitha papastërtitë materiale (të dukshme në trup, rrobe), mirëpo nuk vlen për abdes dhe pastrim nga papastërtia. Ky lloj uji është uji i përdorur Maul musta’mel.

3. Uji që është i pastër dhe që pastron, por përdorimi i tij është mekruh (i urrejtur). Ky është uji nga i cili ka pirë macja e shtëpisë, pula, ose shtazët rrëmbyese siç janë: miu, gjarpri etj.

4. Uji i pastër në esencë, por i dyshimtë në mundësinë e shmangies së papastërtisë. Maul meshkuk (uji i dyshimtë). Ky është ai ujë nga i cili ka pirë ndonjë kafshë veshgjatë, si gomari apo mushka. Hukmi i këtij uji për përdorim është: nëse mungon ujë tjetër, atëherë merr abdes me të dhe ia bashkëngjitet tejemmumin. Shkaku i dyshimit është në kundërthëniet e argumenteve për lejim apo ndalim.

5. Uji i ndytë. Ujë i ndytë konsiderohet ai ujë në të cilin ka rënë ndonjë ndyrësi, dhe rënia e saj shkakton në ndërrimin e shijes, ngjyrës apo erës. Gjithashtu ujë i papastër konsiderohet ai ujë në të cilin ka rënë ndonjë papastërti për të cilën dihet saktësisht.

Nëse uji është i palëvizshëm, dhe nëse është në sipërfaqe më pak se 10×10 dhira, ai ujë nuk konsiderohet i pastër. Nëse uji është më shumë se 10×10 dhira në formë katrori, dhe thellësia e tij që mos t’i duket fundi me futjen e dorës, atëherë konsiderohet i pastër në përjashtim, nëse reflektohen cilësitë e papastërtisë në të.

Dispozita e Su’rit

Su’r quhet uji i mbetur i palëvizshëm nga i cili ka pirë ndonjë krijesë. Edhe su’ri ndahet në disa lloje që janë:

1. Uji i mbetur “Su’ri” që është i pastër, me cilësi pastrimi[4] dhe me të mund të shërbehemi. Ky është uji nga i cili ka pirë njeriu, pavarësisht se bëhet fjalë për muslimanin apo jomuslimanin.

2. Suri i ngelur nga kafshët mishi i të cilave është i lejuar për muslimanët. Ky lloj suri është i pastër dhe mund të përdoret për pastrim.

3. Suri i dyshimtë nga i cili ka pirë ujë gomari apo mushka, me të mund të merret abdes nëse nuk ka ujë tjetër, por pas abdesit duhet menjëherë të merret edhe tejemmum, ngase ky është uji i dyshimtë.

4. Suri i cili nuk është i pastër dhe ky ujë nuk mund të përdoret për pastrim. Ky ujë është ai nga i cili ka pirë ujë qeni, derri dhe kafshët dhëmbë shqyese.

Ujërat e puseve dhe dispozita e tyre

Për ujin e pusit-bunarit ekzistojnë dispozita të shumta që ne do të përmendim disa nga to:

1. Nëse në bunar bie ndonjë kafshë dhe nxirret e ngordhur, atëherë paraqiten këto raste:

a) Nëse në bunar bie një gjallesë që ka gjak, siç është njeriu, dhia apo lepuri, atëherë nëse kjo krijesë fryhet apo kalbet, sa që t’i shkëputen gjymtyrët e tij, apo i bien qimet, atëherë dispozita e kësaj gjendje është papastërtia e këtij bunari, kovës, litarit, dhe mureve të bunarit. Ky bunar nuk pastrohet pa e nxjerr tërë ujin, nëse ka mundësi, nëse nuk ka mundësi për ta nxjerrë tërë ujin, atëherë duhet zbrazur 200 kova me madhësi normale.

b) Nëse në bunar bie dhe ngordhë gjallesa që është e vogël, siç është pëllumbi, pula apo macja, por nuk fryhen e as nuk janë kalbur sa që t’i bien qimet, duhet nxjerrë 40 kova me ujë.

c) Nëse gjallesa është edhe më e vogël nga të lartpërmendurat, siç është zogu, miu, etj duhet nxjerrë 20 kova me ujë.

2. Nëse në bunar bie një gjallesë dhe nxirret e gjallë nga uji, atëherë na paraqiten dy gjendje:

a) Nëse ajo gjallesë në esencë është e ndytë, siç është derri, atëherë dispozita e kësaj gjendje është që të nxirret i tërë uji, nëse ekziston mundësia, e nëse jo, duhet zbrazur 200 kova me ujë, ngjashëm sikur dispozita, kur bie gjallesa dhe fryhet në ujë.

b) Nëse gjallesa e rënë në esencë s’është e ndytë, siç është dhia, dispozita e kësaj gjendje është se, nëse kjo gjallesë është e ndytë në trupin e saj, atëherë merr dispozitën që në esencë është e ndytë. Mirëpo, nëse në trupin e saj nuk ekziston ndonjë ndyrësi, atëherë nuk është e domosdoshme të hiqet diç nga uji, por është mendub (e preferuar) që të zbrazen 20 kova, sa për qetësim zemëror. Nëse në ujë ngordh ndonjë gjallesë që nuk është gjakërrjedhëse, siç është akrepi apo peshku, nuk fëlliqet uji aspak.

Nëse në pus gjejmë ndonjë kafshë të ngordhur e që ende nuk është e ënjtur, atëherë sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes konsiderohet se uji është ndotur para 24 orëve, dhe namazet e falura me abdesin e atij uji duhet bërë kaza. Mirëpo nëse është e ënjtur, atëherë uji konsiderohet se është ndotur para tri ditëve. Mendim të kundërt kanë Imam Ebu Jusufi dhe Muhammedi kur thonë se uji konsiderohet i pa papastër nga momenti kur është vërejtur papastërtia e tij.

Papastërtia – Ndyrësirat (En-Nexhasetu)

Papastërtia “En-Nexhasetu” është ndyrësira të cilën besimtari islam obligohet që ta pastrojë sepse nuk mund të falë namazin. Sipas dijetarë­ve të medhhebit hanefij papastërtia ndahet në dy lloje:

1. Papastërtia e rëndë (e madhe)

Ndyrësia e rëndë, sipas Ebu Hanifes konsiderohet çdo ndyrësi për të cilën ekziston tekst për ndyrësinë e saj. Në bazë të kësaj ndyrësirat e mëdha janë: çdo gjë që del nga organizmi i njeriut e që e prishë abdesin, pastaj gjaku, mishi i kafshës së ngordhur, ndyrësia e qenit, e derrit duke përfshirë lëkurën dhe qimet e tija, gjaku i kafshëve që nuk u hahet mishi dhe jargët e tyre, urina e njeriut dhe e kafshëve që nuk u hahet mishi, alkooli me të gjitha llojet e tij, si dhe ndyrësia e shpezëve shtëpiake. Ndyrësira e rëndë patjetër duhet të pastrohet nëse është me madhësi të një dërhemi i cili peshon 4.5 gr. nëse është e tharë, kurse nëse është e lagët, atëherë duhet të jetë e shtrirë sa të mbajë grushti i shtrirë.

2. Papastërtia e lehtë (e vogël)

Ndyrësira e lehtë është urina e kafshëve që mishi i tyre është i lejuar siç është urina e lopës, deles, devesë, etj. Pastërtia e kësaj ndyrësire patjetër të bëhet nëse ajo shtrihet në më shumë se 1/4 e një pjese të trupit.

Për besimtarin islam, është obligim që pastrimin nga ndyrësira ta bëjë nga trupi i tij, nga petku i tij, dhe nga vendi ku duhet falur. Pastrimi nga ndyrësira patjetër duhet të bëhet me ujë të rëndomtë apo me ujë i cili pastron. Nëse ndyrësira është që duket – lëndore, atëherë patjetër duhet pastruar saqë të zhduket tërësisht ajo, e nëse është ndyrësi që nuk duket, atëherë duhet pastruar derisa të fitohet bindja se është pastruar.

Pastrimi mund të bëhet edhe:

1) duke larë me ujë apo me ndonjë preparat tjetër;

2) duke e shtrydhur (delk);

3) duke e fshirë (mes’h);

4) duke e fërkuar (Ferk);

5) duke e terur;

6) duke e shndërruar në diç tjetër;

7) duke e therë sipas sheriatit islam;

8) duke e regjur.

El Istinxha dhe Istibra

Nocioni “Istinxha’ë” do të thotë pastrimi i pjesës së caktuar të trupit pas kryerjes së nevojës së madhe biofizike që në popull njihet si teharet, kurse “Istibra” do të thotë largimi i gjurmëve më të vogla të urinës që dalin nga kanali, në mënyrë që mos të pikojë në petka.

Pastrimi i pjesës së fundit të zorrës së trashë nga e cila del fëlliqësira në raste të zakonshme është sunnet i fortë (sunnetu muekkede) kurse nëse fëlliqësira shpërndahet në trup se një dërhem, atëherë pastrimi është vaxhib e nëse shpërndarja bëhet më shumë se një dërhem, atëherë pastrimi është farz. Në rastet kur mungon uji për pastrim, atëherë për këtë qëllim mund të përdoren gurët dhe gjërat e ngurta. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë:

إِذَا ذَهَبَ أَحَدُكُمْ إِلىَ الغَائِطِ فَلْيَذْهَبَ بِثَلاَثَةِ أَحْجَارٍ

Kur ndonjëri nga ju shkon për të kryer nevojën e madhe, le të shkojë me tre gurë”.[5]

Sendet të cilat nuk mund të përdoren për pastrimin e fëlliqësirës (teharet), gjegjësisht të bëhet istinxha me to, janë: eshtrat, plehu, sendet që janë ushqim i njerëzve apo i kafshëve, thëngjilli, xhami, dhe sendet që kanë ndonjë vlerë. Istinxhai bëhet me dorën e majtë dhe është mekruh me dorën e djathtë.

Hyrja në nevojtore për kryerjen e nevojës bëhet me këmbën e majtë, kurse para hyrjes është mirë (mendub) të thuhet:

بسم الله الرحمن الرحيم اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ مِنَ الْخُبُثِ وَ الْخَبَائِثِ

“Me emër të All-llahut, Mëshiruesit Mëshirëbërësit! O Zoti im, kërkoj mbrojtjen Tënde që të më ruash nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme.”

Gjatë kryerjes së nevojës duhet mbuluar pjesët e turpshme të trupit, dhe është mekruh të bisedohet me dikë. Gjithashtu është mekruh që gjatë nevojës të kthejë fytyrën e tij apo shpinën drejt Kibles, diellit dhe Hënës. Gjithashtu urrehet që nevoja të kryhet në ujë, në vende ku pushojnë njerëzit nën hije, në kopshte, afër rrugës apo vende ku i irriton njerëzit. Kur të dilet nga nevojtorja është mirë të thuhet:

الحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي أَذْهَبَ عَنِّي الاَذَىوَ عَافَانِي

Falënderimi i takon All-llahut xh.sh. i cili largoi nga unë atë që ishte e dëmshme dhe më ngeli ajo që sjell dobi.”[6]

-VIJON-

_____________
[1] Suretu Et-tevbe: 108
[2] Muslimi
[3] Suretu El Enfal: 11
[4] Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka pirë ujë dhe atë që i ka mbetur beduinit i cili ishte në anën e djathtë të tij, dhe pas tij ujin e mbetur e ka pirë ebu Bekri.
[5] Ebu Davudi
[6] Nesaiu

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!