Të nxiturit në vepra të mira

Falënderimet qofshin për Allahun, “i Cili krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë.” (El-Mulk, 2) Selami dhe salavati qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhammedin, a.s., mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët dhe pjesëtarët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër e motra të nderuara,

Allahu, xh.sh., në Librin e Tij fisnik në ajete të shumta dhe në mënyra të ndryshme, nxit në kryerjen e veprave të mira. Ndonjëherë edhe na urdhëron:

“(Ne u patëm thënë): “O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.” (El-Mu’minun, 51)

“Dhe thuaj: “Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët, e më vonë do të ktheheni te njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për atë që vepruat”.
(Et-Tevbe, 105.)

“O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim.” (El-Haxh, 77)

Ndonjëherë për kryerjen e tyre premton shpërblim të madh, dhe thotë:

“Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët, sabejët (kishin lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) All-llahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen (pasi që besuan All-llahun, librat, të dërguarit në mesin e të cilëve edhe Muhammedin).” (El-Bekare, 62)

“E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj.” (El-Bekare, 25) “…besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra’, 9) dhe “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i tyre, për shkak të besimit të tyre i udhëzon në xhennete të begatshme në të cilët rrjedhin lumenj.” (Junus, 9)

Ndonjëherë lajmëron duke u betuar se të gjithë njerëzit, pa përjashtime, janë në humbje, përveç atyre të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Kjo theksohet në fjalët e të Lartësuarit: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (El-Asr, 1-3) “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve. Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë.” (Et-Tin, 4-6)

Ndonjëherë na njofton se Ai e ka krijuar tokën dhe qiejt, jetën dhe vdekjen, dhe se gjithçka që është në tokë e bëmë stoli të saj, në mënyrë që robërit t’i sprovoj (kush prej tyre do të veproj më së miri). I Lartësuari thotë: “Ai është i cili krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditëve (fazave), e Arshi (Froni) i Tij kishte qenë (më parë) mbi ujë, që t’ju sprovojë, se cili prej jush është më vepërmirë.“ (El-Hud, 7)
“Gjithçka që është mbi tokë, Ne e bëmë stoli të saj, për t’i provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë.” (El-Kehf, 7) “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” (El-Mulk, 2)

Parashtrohet pyetja, kur vepra do të llogaritet e bukur dhe e mirë? Vepra, me të vërtetë, nuk do të llogaritet e mirë, respektivisht, nuk do të jetë e pranuar te Allahu gjersa nuk do t’i përmbush dy kushte themelore, e ato janë që ajo të bëhet në emër të Allahut, si dhe të jetë në pajtueshmëri me sunnetin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Në këto dy kushte na udhëzojnë shumë ajete kur’anore, ashtu si p.sh., qëndron në fjalët e të Lartësuarit: “Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që i është dorëzuar All-llahut dhe është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të mërziten.” (El-Bekare, 112)
Ndërsa ajo vepër e cila nuk do t’i plotësoj këto dy kushte, ose njërin prej tyre, do të paraqes fatkeqësi dhe mallkim për aktorin e saj, si dhe ushtrim të padobishëm të mundit, e thuhet: “A të erdhi ty lajmi për belanë që kaplon (kijameti)? Atë ditë sheh fytyra të përulura, të lodhura e të rraskapitura (nga mundimi). Ato hyjnë në zjarrin të ndezur fort, u jepet të pijnë prej një kroi të valë. Ata nuk kanë ushqim tjetër pos një barishte me ferra helmuese. Që as nuk jep fuqi, as nuk largon uri.” (El-Gashije, 2-7) Ndonjëherë i Lartësuari tregon se xhinnët dhe njerëzit i ka krijuar vetëm e vetëm që Atë ta adhurojnë, duke e realizuar attë me kryerjen e veprave të mira, e thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56)

Allahu, xh.sh., na njofton se veprat tona do të numërohen, shkruhen dhe rruhen. Thotë i Lartësuari: “Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf, 17-18) dhe “…Kurse ndaj jush kanë përcjellësit! Janë shkrues të ndershëm te All-llahu. Ata e dinë se çka punoni.” (El-Infitar, 10-12 )

I Lartësuari njofton se çdo njeri do të njoftohet me rezultatin e veprave të tij dhe se libra e tij në Ditën e Gjykimit do t’i jepet në krahun e djathtë ose të majtë: “Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë All-llahu është i mëshirshëm ndaj robërve.” (Ali Imran, 30) Po ashtu thotë: “Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El-Kehf, 49)

E ardhmja e njeriut, me fat ose e pafat, do të përcaktohet me kualitetin e veprave të tij, të mira ose të këqija. I Lartësuari thotë: “Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shpërblehen për veprat e tyre. E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Ez-Zilzal, 6-8)

Veprat tona në Ditën e Gjykimit do të vlerësohen me peshore dhe kandarë të drejtë. I Lartësuari thotë: “E kujt i peshojnë më rëndë peshojat (veprat e mira), ata janë të shpëtuarit. Ndërsa, atyre që u peshojnë lehtë peshojat (veprat e mira), ata janë që humbën vetveten dhe janë në xhehennem përgjithmonë.” [El-Mu’minun, 102-103) “Atë ditë peshimi (masa) është i drejtë. Atij që i rëndohen peshojat, ata janë të shpëtuar. Kujt i vijnë lehtë peshojat, ata e humbën vetveten, ngase i refuzuan argumentet Tona me të padrejtë.” (El-A’raf, 8-9)

Epërsia e njërës anë të peshores do ta përcaktoj fatin ose fatkeqësinë e përhershme. Kurse njeriu nuk do të shfrytëzoj asgjë përveç veprave të tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar. Dhe se mundi i tij më vonë (ditën e gjykimit) do të shihet.” (En-Nexhm, 39-41), dhe “Sot pra, askujt nuk i bëhet e padrejtë diçka dhe nuk shpërbleheni me tjetër vetëm për atë që vepruat.” (Jasin, 54) “Dhe ruajuni një ditë kur askush askujt nuk do të mund t’i kryejë asgjë, kur nuk pranohet për te (jobesimtarin) ndonjë ndërmjetësim dhe nuk pranohet për te kompensim, e as që do të ndihmohen ata (fajtorët).” (El-Bekare, 48)

Andaj, le të mos mbështetet njeriu në nderin dhe devotshmërinë e babës së tij, ose në devotshmërinë dhe nderin e kushëririt ose në autoritetin e tij ose në nderin e paraardhësit, sepse kë e ngadalësojnë veprat e tij, nuk mund ta përshpejtoj prejardhja e tij. Allahu në shumë ajete na njofton se Ai mbykqyr veprat tona, e thotë: “(Ne u patëm thënë): “O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.” (El-Mu’minun, 51) “…All-llahu përcjell gjithçka që veproni ju.” (El-Bekare, 149)

Allahut të Lartësuar i janë të njohura qëllimit të cilat fshihen në zemrat tona: “Ja, ata mbështjellojnë (armiqësinë në) gjokset e tyre që ta fshehin nga Ai, po ta dini se edhe kur mbulohen ata me petkat e tyre, Ai e di se çka fshehin dhe çka shfaqin. S’ka dyshim se Ai e di shumë mirë çka mbajnë zemrat (qëllimet) e tyre.” (Hud, 5)

Pra, jemi të obligueshëm që t’i rregullojmë edhe nijetin edhe qëllimet tona, dhe veprat tona t’i kemi në mend në të gjithë hapat tonë. Pastaj duhet ditur se afati i cili i është dhënë njeriut në këtë botë është i kufizuar dhe se çasti i vdekjes së tij është i caktuar, se në këtë botë njeriu i ekspozohet ngjarjeve dhe pengesave të ndryshme të cilat e pengojnë gjatë punës dhe veprimit, prandaj jemi të obligueshëm që ta shfrytëzojmë çdo moment të mbarë para se ai të kalojë. Allahu i Lartësuar thotë: “andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te All-llahu, e Ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheshit” (El-Maide, 48)

Muhammedi, a.s., ka thënë: “Tri gjëra janë që e ndjekin të vdekurin: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen prapë, ndërsa njëra mbetet. Kthehen familja dhe pasuria, kurse mbeten veprat e tij të mira.” (Muttefekun alejhi)

Para njeriut nuk ka moment tjetër për punë dhe vepra përpos jetës së tij të kësaj bote. Sot janë veprat, ndërsa nuk ka llogari, nesër është llogaria, ndërsa nuk ka vepra. Kurse jeta e njeriut është e shkurtër dhe fundi i jetës së tij është i fshehur, e nuk e di se në cilin moment do t’i vij fundit, e kur t’i vij nuk lejon t’i nënshtrohet. Përpos kësaj, ekzistojnë edhe probleme të tjera gjatë rrugëtimit të realizimit të veprave të mira, andaj njeriu është i obligueshëm që të ngutet me veprat e mira, para se ato të ndërpriten. Aty bëjnë pjesë: sëmundja, varfëria, pleqëria, sprovat dhe më në fund vdekja. Muhammedi, a.s., ka thënë: “Ngutuni me kryerjen e veprave të mira para sprovës, si pjesa e natës së errët, kur njeriu do të zgjohet si besimtar, ndërsa do të ngryset si pabesimtar, ose do të ngryset si besimtar, ndërsa do të zgjohet si pabesimtar, duke e shitur fenë e tij për të mirat e kësaj bote.”

Ata të cilët jetën e tyre të kësaj bote e shfrytëzojnë në vepra të mira, në Ditën e Gjykimit do t’u thuhet: “(E thuhet) Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.” (El-Hakka, 24) ndërsa atyte të cilët kohën e tyre e harxhojnë në zbavitje, lorja dhe gaflet, do t’u thuhet: “E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): “Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e Dunjasë dhe i përjetuat ato, sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Zotit, do të shpërbleheni me dënim nënçmues”.” (El-Ahkaf, 20)

Lusim Allahun, xh.sh., që të na ndihmojë që t’i pastrojmë nijetet tona, që t’i harmonizojmë veprat tona me Kur’anin dhe Sunnetin, të bëjmë vepra të mira, ndërsa t’i shmangemi të keqes. Amin!

_____________________
Autor:
Zekerijah ef. Çajlakoviq

Përktheu:
Mehas Alija

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!

HAPSIRE REKLAMUESE