Etapat e zhvillimit të medh’hebit hanefi

Jusuf Zimeri

Sikur edhe çdo shkollë tjetër juridike edhe kjo shkollë ka kaluar nëpër etapat e saja të zhvillimit. Nëse me vëmendje e analizojmë funksionimin e shkollës juridike hanefite me lehtësi konstatohet se kjo shkollë ka kaluar nëpër tri faza kryesore që janë:

Etapa e parë
Etapat e formimit dhe zhvillimit të kësaj shkolle që përfshinë periudhën kohore prej Ebu Hanifes, nxënësve të tij e deri te vdekja e dijetarit të famshëm Hasan b. Zija El-Lu’luij në vitin 204. Imam Ebu Hanifja nuk kishte shkruar vepra me dorën e tij, sepse qëllimi i tij nuk ishte formimi i ndonjë shkolle apo doktrine të veçantë nga lëmi i fikhut, porse nxënësit e tij ishin ata të cilët rregullisht i regjistruan mendimet e Ebu Hanifes kur ai i prezantonte në mexhlisin e diturisë. Nxënësi që më së shumti i përkushtoi kujdes kësaj çështje ishte imam Muhamed b. Hasën Esh-Shejbani, i cili regjistroi dhe përpiloi veprat që në medh’hebin hanefi njihen me emrin “Dhahiru err-rrivaje”, e që janë gjashtë vepra: 1. El-Mebsut ose El-Asl, 2. El-Xhamiu Es-sagir, 3. El-Xhamiu-l-kebir, 4. Es-Sijeru’l es-Sagir, 5. Es-sijeru’l-kebir, dhe 6. Ez-Zijadat.

Çështjet e fikhut të cilat paraqiten në këto gjashtë libra të quajtura “Dhahiru Err-rrivaje” janë çështje të transmetuara nga themeluesit e medh’hebit, e ato janë Imam Ebu Hanifja, Imam Ebu Jusufi, Imam Muhamedi, ndërsa u bashkëngjiten edhe Imam Zuferi dhe Imam Lu’luij, porse në të shumtën e rasteve janë mendimet e atyre të treve. Roli, rëndësia, pozita dhe fuqia argumentuese e këtyre veprave janë të shkallës së parë në mbështetje, që nënkupton se nëse gjejmë një çështje të fikhut që kundërshtohet me mendimin që ekziston në “Dhahiru Err-rrivaje”, atëherë për bazë merret mendimi që është i regjistruar në këtë përmbledhje.

Etapa e dytë
Periudha e thellimit, rritjes dhe zhvillimit të kësaj shkolle që fillon me vdekjen e Lu’liut, në vitin 204., e deri te vdekja e imam Abdullah b. Ahmed b. Mahmud En-Nesefij, v. 710., ku përfundon periudha e ixhtihadit brenda medh’hebit. Kjo periudhë karakterizohet me përfundimin e dijetarëve më eminentë që konsiderohen themelues të medh’hebit, andaj çështjet e fikhut ku pajtohej mendimi i imam Ebu Hanifes me nxënësit e tij janë të regjistruara në gjashtë veprat e quajtura “Dhahiru Err-rrivaje”, e nëse kishte mospajtime mes imamit dhe nxënësve, çështja merrej sipas mendimit të imamit. Te dijetarët e mëvonshëm u ndërrua kjo bindje, sepse veprohej sipas thënies së imamit në raste të mospajtimit atëherë kur njëri prej dy nxënësve të tij, Ebu Jusufi apo Muhamedi, pajtohet me mendimin e imamit. Pra, në rastin kur në një mendim pajtoheshin dy nxënësit, e imami ndante mendim tjetër, atëherë mendim prioritar është i dy nxënësve, normalisht nëse është çështje që mund të ndryshojë përmes ixhtihadit.

Për këtë arsye veprimtaria shkencore e këtyre dijetarëve të medh’hebit hanefi, të kësaj periudhe, ndahet në tre lloje:

Lloji i pare:
Veprat në të cilat dijetarët bënin përpjekje për të nxjerrë mendimet më prioritare të quajtura “Muhtesarat”, pra vepra në forma të konspektit. Veprat më të rëndësishme të këtij lloji janë:
1. “Muhtesar Et-Tahavij”, (239-321);
2. “El-kafi lil Hakim esh-shehid”, në të janë bërë rezyme gjashtë librat e para;
3. “Tuhfetul Fukaha”, nga Semerkandij, (v. 540);
4. “Muhtesar el Kudurij”, nga Kuduriju (362-428) vepër kjo e cila njihet me emrin “Kitab” në medh’hebin hanefi;
5. “Bidajetul Mubteda” nga El-Merginani (511-593) në të cilën janë përfshirë Muhtesari i Kuduriut bashkë me veprën “el Xhamiu es-sagir”;
6. “El Muhtar”, nga Ebu Fadl Abdullah b. Mahmud b. Mevdud el Musilij;
7. “Kenzu Ed-dekaik”, nga En-Nesefiu;
8. “Vikajetu Err-rrivaje”, nga Sadru Esh-sheria.

Lloji i dytë:
Në llojin e dytë të këtyre veprave përfshihen veprat që konsiderohen si shpjegime të veprave të mëparshme të quajtura “Muhtesarat”. Veprat e tilla më të rëndësishme janë:
1. “El-Mebsut”, nga imam Serhasiu, në të cilën është shpjeguar “Muhtesar Tahaviju”;
2. “Bedaiu es-senai”, nga Alaudin el Kasani, në të cilën ka shpjeguar muhtesarin “Tuhfetul Fukaha” nga Semerkandi;
3. “El-Hidaje” nga Merginani, vepër kjo ku autori shpjegon veprën e vet “Bidajetul mubtedi”,
4. “El-Ihtijar li ta’lilil muhtar”, nga el Musilij i cili po ashtu shpjegon veprën e tij të quajtur “Muhtesar el Muhtar”.

Lloji i tretë:
Në këtë periudhë dijetarët ndeshen me ngjarje dhe risi që nuk ekzistonin më parë, andaj u detyruan të jepnin fetva për të zgjidhur problemet, kështu që në këtë mënyrë filluan të paraqiten vepra ku regjistroheshin këto fetva. Veprat më të njohura në medh’hebin hanefi që kanë të bëjnë me fetvatë janë:

1. Fetava Shemsul eimeti el Halevani;
2. Fetava el kubra nga Sadru Esh-shehid;
3. Fetava En-nesefije;
4. Fetava Kadiihan, dhe shumë të tjera.

Rangimi i tyre në fuqinë e argumentimit vjen sipas kësaj renditje, Muhtesaratet, shpjegimet e më pas fetvatë.

Etapa e tretë
Periudha e vendosmërisë, që fillon me vitin 710, dhe vazhdon deri më sot. Në dy etapat e para u vunë dhe u përforcuan themelet e medh’hebit hanefi, andaj nga shekulli i VIII H. e këndej dijetarët silleshin dhe mbështeteshin në veprat e mëparshme duke i sqaruar parimet dhe kriteret që ekzistonin në veprat e mëparshme. Nga veprat që janë më të njohura në këtë kohë është vepra “Hashijetu ibni Abidin”, i cili në detaje shpjegon edhe mendimin mbështetës gjatë dallimeve mes themeluesve të medh’hebit.

Rangimi i dijetarëve të medh’hebit hanefi

Dijetarët e medh’hebit hanefi për të ruajtur kontinuitetin e tyre dhe shëndoshmërinë e dispozitave juridike islame asnjëherë nuk ndaluan çështjen e ixhtihadit, porse këtë të drejtë nuk ia lanë në dorë të gjithkujt, por vetëm atyre që i plotësuan kushtet dhe kriteret e ixhtihadit. Andaj të gjithë dijetarët eminent të kësaj shkolle nuk ishin në kategorinë e muxhtehidinëve, edhe pse ishin njohës të mirë të rregullave dhe disiplinave të kësaj shkolle.

Dijetarët islam brenda medh’hebit hanefi siç potencon imam Muhamed Abdulhaj në veprën e tij “El-fevaid el behije fi teraxhimil hanfije”[1] ndahen në gjashtë kategori, dhe secila prej tyre, nga gjashtë kategoritë, ka kriteret e saja të veçanta. Kategoritë që rangohen dijetarët hanefi për kriter kanë përgatitjen shkencore të dijetarit dhe fuqinë intelektuale për përfitimin e dispozitave praktike të sheriatit Islam. Kategoritë e tilla janë:

Kategoria e parë
Në kategorinë e parë përfshihet grupi i dijetarëve – muxhtehidinë, që kanë aftësi ixhtihadi brenda medh’hebit, siç janë Imam Ebu Jusufi, Imam Muhamedi. Këto dijetarë kanë aftësi për nxjerrjen e dispozitave duke u mbështetur në disiplinat dhe rregullat që i ka vendosur imami. Kjo është kategoria më e lartë brenda medh’hebit hanefi me përjashtim të mësuesit të tyre Imam Ebu Hanifes , i cili është muxhtehid në Islam.

Kategoria e dytë
Dijetarët që kanë aftësi ixhtihadi në çështje të veçanta për të cilat nuk ka transmetim nga imami, siç janë, imam Hasafi, Tahaviu, Kerhiu, Serhasiu, Halevani, Bezdeviu etj. Me ixhtihadin e tyre ky grup i dijetarëve nuk mund të ndryshojë mendimin nga imami i tyre, porse bëjnë përpjekje për përfitimin e dispozitave në bazë të disiplinave të vendosura nga imami.

Kategoria e tretë
Grupi i dijetarëve që kanë mundësi të bëjnë “Tahrixh”, nxjerrjen dhe sqarimin e nocioneve të paqarta, duke e drejtuar atë në kuptimin e vërtetë, porse nuk kanë kapacitetin e gradës së muxhtehidit.

Kategoria e katërt
Kategoria e dijetarëve të cilët kanë aftësi dhe mundësi të bëjnë dallimin e më të fuqishmes nga e fuqishmja, duke u mbështetur në njohjen e transmetimeve, siç janë Kuduriu, Merginani, etj.

Kategoria e pestë
Kategoria e dijetarëve që janë imitues dhe që kanë mundësi të bëjnë dallimin mes të fuqishmes dhe të dobëtës, siç janë autorët e katër koleksioneve.

Kategoria e gjashtë
Janë ata njerëz që nuk i takojnë pesë kategorive të para dhe nuk dallojnë mes të dobëtit dhe të trashit, mes të majtës dhe të djathtës.

__________________
[1] Merginani, El Hidaje sherh bidajetul mubteda, 1/6.

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

2 Komente

  1. Jusuf Zimeri

    Alejhkum Selam

    I Nderuar Jetmir, ju faleminderit për përkujdesjen dhe mirëkuptimin, andaj vetëm desha që të sqarojë një gjë rreth artikulli.
    Titulli “Shemsul Eimme” është tutull që i adresohet Imam Serahsiut ashtu si thonë ju, andaj sa herë që në literaturën e fikhut hanefij të gjendet vetëm shprehja Shemsul Eimeti, nënkuptohet Sreahsiju, por megjithatë këtë titull e kanë bartë edhe dijetarë tjerë hanefij si, Shemsul eimeti ElHalevani, Shemsul eimeti El Kerdiu, Shemsul eimeti Ezerenxherij, Shemsul eimeti Mahmud El Evzexhendi, etj. Pra dallimi mes tyre është se te këta të tjerët patjetër me titullin të përmendet edhe emri i dijetarit, kurse te Serahsiju mjafton të përmendet vetëm tutulli dhe dihet për kend bëhet fjalë. Shpressoj të kem qenë i qartë
    Me nderime Jusufi.

  2. Jetmir Çela

    Es selamu alejkum,
    Me lejoni te pergezoj Jusuf ef. Zimerin per kontributin e madh ne ringjalljen (me plot kuptimin e fjales) e medh’hebit hanefi ne trojet shqiptare. Artikulli ishte mjaft i qarte, permbledhes dhe i dobishem per informacionin rreth perhapjes se medh’hebit hanefi, i cili eshte medh’hebi me i perhapur ne boten islame. E lexova me vemendje dhe doja te qartesohesha me shume ne lidhje me epitetin “shemsu-l eimmeh” qe ne artikull i adresohet El-Halevanit. Mesa di une, ne medh’heb me kete epitet emertohet Serakhsiu. Edhe nje here ju falenderoj dhe Allahu jua shperblefte me te mira.

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!