Shpallja e Kur’anit është akti më revolucionar në mbarë historinë e njerëzimit. Ky është kontakti mes Qiellit dhe Tokës, Madhështisë dhe thjeshtësisë, të Plotfuqishmit me të dobëtin, të Amshueshmërisë me përkohshmërinë… Njeriu vetëm pas Shpalljes bëhet i rëndësishëm, ngase ai fillon të qenit dikush, sepse është në lidhje me Atë i Cili di gjithçka, udhëheq me çdo gjë, dhe është Sunduesi Absolut.
Edhe pse njeriu është i pajisur me kualitete të larta shpirtërore dhe fizike, ai prapëseprapë nuk është në gjendje të njohë qëllimin final të ekzistencës së tij, dhe mu për këtë i Madhërishmi nëpërmjet Shpalljes ia zbulon atë. Gjithsesi se njeriu duhet ta lexoj Shpalljen, të meditoj dhe çdo ditë të mendoj e bëjë përsiatje rreth saj. Pa këto elemente nuk do ta njohë atë. Duke u nisur nga kjo, fjalët e para të Shpalljes janë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoi (gjithçka). E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh. i Cili me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El-Alek, 1-5)
Në Ramazanin e vitit 610 p. K. këto fjalë mbushën shpellën Hirâ afër Mekës. Këto ishin një rikthim për njerëzimin. Pas Shpalljes së tyre njeriu nuk është më ai që ishte… Pas Shpalljes beduinët që ishin simbol i prapambetjes dhe analfabetizmit, bëhen pishtarë të dijes dhe zhvillimit, ndërtues të një kulture dhe qytetërimi mahnitës.
Përgjigjja e vetme në pyetjen se si është e mundur të ndodhi një gjë e tillë qëndron në kontaktin e Qiellit me Tokën, mesazheve universale dhe realizimit tokësorë. Ndaj për këtë, të gjithë ata që analizojnë jetën e gjeneratës së parë, të cilët ishin bartësit e asaj kulture dhe qytetërimi grandioz, janë të një zëri se burimi i vetëm nga ku u frymëzua ajo gjeneratë ishte dhe mbeti Kur’ani, Fjala e Allahut, ndërsa Sunneti dhe tradita e Profetit s.a.v.s. ishin manifestim i atij burimi. Duke u mbështetur në këtë, gruaja fisnike e Profetit s.a.v.s., Ajshja r.a. kur u pyet për jetën dhe moralin e tij, shumë thjeshtë u përgjigj: “A nuk e lexon Kur’anin?; Morali i tij ishte vetë Kur’ani!”[1]
Frymëzimi i gjeneratave të më vonshme nga një burim i përzier dhe i turbullt rezultoi me gjendjen aktuale në të cilën ndodhen myslimanët sot. Nisur nga kjo, jemi të detyruar të rikthehemi në burimin e pastër dhe në bazë të këtij burimi të pa turbulluar të formojmë personalitetin islam. Natyrisht se kjo nuk do të thotë që të hedhim burimet tjera islame. Burimi i parë: Kur’ani Fisnik – duhet të jetë kriteri kryesorë dhe pikënisje për pranimin e burimeve tjera dhe qëndrim të drejtë ndaj tyre. Shenjë në këtë rrugë është shëmbëlltyra e gjeneratës së parë të myslimanëve (selefu-salih).
Duke analizuar jetën e kësaj gjenerate do të vijmë në përfundim se përfaqësuesit e saj nuk e kanë lexuar Kur’anin me të vetmin qëllim: atë të arsimimit dhe fitimit të njohurive të reja, e as që e kanë lexuar me qëllim zbavitje duke lexuar disa ajete të tij, përkundrazi, sahabët e Profetit s.a.v.s. duke lexuar Kur’anin nuk kanë dashur vetëm të ngritin nivelin e tyre kulturorë… Motivi i tyre, gjegjësisht nxitja themelore e tyre ishte që ata të mësojnë se çfarë kërkon Kur’ani prej tyre – që më pas të njëjtën ta zbatojnë në jetën e përditshme. (Shefik Kurdiç, 1996: 159-167).
Ibn Kethiri në hyrjen e Tefsirit të tij përcjell një transmetim të Abdullah ibn Mes’udit r.a. ku thuhet se myslimanët e parë ishin shumë të kënaqur me mësimin e dhjetë ajeteve dhe nuk mësonin më tej derisa të njëjtët nuk i praktikonin dhe zbatonin në jetën e tyre të përditshme. (Ibn Kethiri, 2000).
Padyshim se ndjenja e leximit të Kur’anit duke synuar zbatimin, gjeneratës së parë i hapi horizonte të panjohura, kënaqësi dhe njohuri të reja, gjithsesi se të njëjtat nuk do të ishin hapur nëse ata do t’i afroheshin Kur’anit me ndjenjën e studimit, hulumtimit dhe afirmimit intelektual.
Nisur nga kjo, martiri i Islamit Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) nënvizon se Kur’ani Fisnik ëmbëlsinë e tij ia dhuron vetëm atij që i afrohet me ndjenjën e njohurive që në vete përmbajnë veprimin praktik. Kur’ani, siç thotë Kutubi nuk është shpallur që të jetë libër dhe burim i kënaqësive intelektuale, letrare dhe artistike, apo rrëfimeve dhe ngjarjeve historike – edhe pse e gjithë kjo gjendet në ajetet e tij – por ky Kur’an është shpallur që të jetë program jetësor. (Sejjid Kutub, 17-18).
Sahabët e ndershëm, mjaft shkëlqyeshëm i kuptuan fjalët e të Madhërishmit: “Ky është një Kur’an, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” (El-Isra, 106)
Në ajetin e sipërpërmendur në mënyrë eksplicite tregohet se Islami nuk është teori që merret me paragjykime, por kod i sjelljes që për qëllim ka realitetin konkret dhe zbatimin në përditshmëri. Gjenerata e parë e myslimanëve kështu e kuptoi Kur’anin dhe në këtë mënyrë i kuptonte mesazhet e tij. Megjithatë, gjeneratat e mëvonshme, për fat të keq, Kur’anit iu afruan vetëm e vetëm për kënaqësi intelektuale, shpirtërore, iu qasën me qëllim të hulumtimit dhe studimit. Dhe nga këtu fillojnë anomalitë në gjeneratat e mëvonshme, siç janë: ndenja se Kur’ani i shpallet tjetrit e jo atij personalisht; kënaqja me dëgjimin e Kur’anit nga lexues të veçantë me zërin e tyre melodik; deri te reduktimi total i leximit të ajeteve kur’anore për të vdekurit…
Ky është një rast i shkëlqyer për të analizuar sjelljen tonë ndaj Kur’anit, ndërsa në rastin konkret ndaj sures Jasin. Gjithsesi se me ndryshimin e sjelljes sonë ndaj Kur’anit do të vijë edhe deri tek një transformim në personalitetin tonë.
Sjellja jonë ndaj Kur’anit, në të vërtetë duhet të jetë me përgjegjësi të plotë, shumë ndryshe nga sjellja jonë ndaj gjërave tjera. Leximi dhe mësimi ynë i Kura’nit duhet të ketë një meditim të veçantë që do të duhej të rezultojë me transformim të rëndësishëm në të gjitha aspektet e jetës. Për këtë Hasan El-Basriu r.a. lexuesit e Kur’anit i ndanë në tre kategori:
- “Të parët e konsiderojnë si mall, ai për ta është pasuri dhe burim i të ardhurave jetësore;
- Të dytët e lexojnë drejtë, por nuk i respektojnë normat e tij. Ata me ndihmën e Kur’anit rrëmbejnë paratë e udhëheqësve dhe janë të privilegjuar në shoqëri. Numri i tyre është rritur, inshAllah Zoti i shfaros nga Toka!; dhe:
- Të tretët e lexojnë Kur’anin duke menduar rreth mesazheve të tij. Kur’ani për ta është ilaç për shërimin e zemrave të tyre. Të tillët Allahu i Madhërishëm do t’i ndihmoj dhe do t’i shpërblej pa masë. Pasha Allahun vlera e këtyre lexuesve është shumë më e madhe se ari i pastër.” (Jusuf Ramiç, 1989: 17-18)
Shpresoj që t’i takojmë kategorisë së tretë apo të mundohemi t’i kënaqim kriteret e saj. Dhe në fakt kjo më nxiti të merrem me komentimin e sures Jasin, e cila në vete përmban mesazhe të shkëlqyera që ne ndoshta aspak, apo fare shumë pak i vërejmë. Leximi i kësaj sureje vetëm për të vdekurit siç duket na i ka verbuar sytë dhe na i ka zënë veshët, ashtu që është e pafalshme që shumë pak e shfrytëzojmë në zgjidhjen e enigmave të jetës…
Për shkak se i Dërguari i Islamit, Profeti ynë Muhammedi s.a.v.s. këtë sure e definoi si zemra e Kur’anit[2] – zemra është organi kryesorë i organizmit – me të drejtë mund të konstatojmë se një gjendje e këtillë e Ummetit rezulton pikërisht për shkak të lënies anash të zemrës së tij dhe mos interesimit për të.
Me qenë se isha angazhuar gjatë Ramazanit të vitit 2008 në xhematin “El-Hajr” në Bon të Gjermanisë – i cili për nga numri nuk i kalon as njëqind, por ka një brez të ri me një zemër të madhe: Kanë blerë një qendër islame të veten. I nxitur nga ky akt madhor, ndjeva nevojë që të trajtoj zemrën, e meqë surja Jasin definohet si zemra e Kur’anit, pikërisht këtu, në mesin e këtij xhemati fillova të mendoj për shkrimin e një komenti rreth Zemrës së Kur’anit – sures Jasin.
Pikërisht zemrat e xhematit të Bonit dhe afrimi i tyre i sinqertë dhe i përzemërt i Islamit zgjoi tek unë ndjenjën që të filloj me këtë punë. Këtë projekt e fillova në Bon dhe falënderimi i qoftë Allahut e përfundova në Zenicë.
Autor: Prof. dr. Shefik Kurdiç
Përktheu: Arsim Dauti
___________________
* Kjo është pjesa hyrëse e librit të Dr. Shefik Kurdiçit, Komentar Jasina, Bon – Zenicë, 2009. Libri është përkthyer në shqip nga Arsim Dauti dhe pritet që së shpejti të del në shitje.
[1] Hadithin e shënon Muslimi në “Sahih-un” e tij “Kitabu salati-musafirin”; 18 / “Babu xhamii salatil-lejli ve men name anhu ev merita”; nr. 746. Kjo është vetëm një pjesë e një hadithi të gjatë.
[2] Në faqet në vazhdim do të përmendim hadithe të Muhammedit s.a.v.s. që kanë lidhje me këtë definicion
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!