Të flitet për dhe me Kur`anin nuk është temë e lehtë dhe e thjeshtë, e cila do të mund të përthekohet me pak fjalë e me pak ngjyrë të lapsit. Kur`ani është një libër i shenjtë të cilin sot e besojnë mbi 1.5 miliardë njerëz, në të gjitha pjesët e botës, kudo që jetojnë besimtarët e besimit islam. Edhe në vendin tonë por dhe në trevat gjithëshqiptare, pjesa më e madhe e bashkëfolësve janë pasues shpirtëror të këtij libri hyjnor të shpallur nga Allahu, përmes gjuhës së pejgamberit të tij, Muhamedit a.s.
Kur`ani është një libër, i cili nga pamja e jashtme duket sikur të gjitha librat tanë të rëndomtë, por që nga përmbajtja dhe kuptimi nuk i ngjason dhe nuk mund t`i ngjasojë asnjë libri tjetër në botë. Ai në momentet e para të shpalljes së tij, fillimisht është mësuar përmendësh nga besimtarët, ndërsa paralelisht është shkruar, renditur si dhe është materializuar në mjetet e kohës, përmes skalitjes në rrasa gurësh, në lëkura e eshtra shtazësh, lëvore drunjtësh etj, gjendje e cila e ka përcjellë atë deri në zbulimin e mjeteve të shkrimit bashkëkohor. Për dallim nga librat e tjerë të rëndomtë, Kur`ani, përveç që është shkruar vazhdimisht, është përcjellë edhe nga një element tjetër shumë i rëndësishëm, me atë të memorizimit. Dy elementet e sipërpërmendura kanë qenë dy shtylla bazë të cilat e kanë ruajtur deri më sot origjinalitetin e tij nga devijimi i mundshëm, qoftë edhe nga i më i vogli.
Memorizimi i Kur`anit nga mijëra besimtarë, edhe sot kudo në botë garanton që edhe në rastin ekstrem, për ndonjë x arsye, të zhdukeshin të gjitha librat që sot ekzistojnë, i vetmi do të ishte Kur`ani, i cili do të mund të rikthehej në autenticitetin e tij të mëparshëm.
Kur`ani nuk është poezi, prozë, dramë apo roman, gjini të cilat mund të mësohen e perceptohen për një çast, ditë apo javë ose edhe më gjatë. Gjykimi për dhe me Kuranin, nuk është e drejtë e një njeriu që nuk është njohës dhe studiues i tij i mirëfilltë.
Në momentin kur një njeri gjykon me vetëm një pjesë të tij, duke lënë anash, ose duke mos marr në konsideratë pjesët tjera si dhe kontekstualitetin e tij të tërësishëm, është ngjashëm me një njeri i cili kërcen në mes të detit pa zotëruar sportin e notit. Kur`ani në hegjemonizmin e tij i përngjanë nyjeve të trupit të njeriut, të cilat njëra me tjetrën janë të lidhura ngushtë, funksionimi i të cilave është i paimagjinueshëm në rastin e shkëputjes së njërës pjesë nga tjetra.
Lidhur me këtë që u përmend më lartë , vlen të theksohet shembull ilustrues i një burri që shpesh e hasim si tregim në librat e ekzegjezës kuranore, në të cilin thuhet se ai në një rast i thotë gruas së tij se është e divorcuar për aq kohë sa zgjatë periudha kohore e fjalës kur`anore “hine” – حين .
Qëllimi i fjalës kuranore “hine” është vështir të kuptohet pa kontekstin kuranor, prandaj gruaja e divorcuar, duke mos kuptuar qartë periudhën e shkurorëzimit, e shqetësuar kërkon ndihmën e sajë tek dijetarët muslimanë. Dijetari i parë, gruas së divorcuar, në pyetjen e saj për kohëzgjatjen e divorcit, i përgjigjet se është lëshuar nga burri i sajë për një kohëzgjatje që është sa një mijë vjet, duke argumentuar gjykimin e tij me fjalët e Zotit: هل أتى على الإنسان حين من الدر لم يكن شيا مذكورا (A i kalon ndonjë periudhë kohore njeriut… ( e periudhë të pacaktuar).
Dijetari i dytë ishte paksa më i butë në përkufizimin e kohës së divorcit të gruas së zemëruar. Ai i tha: Ti je e lëshuar për aq kohë, sa zgjat një vit, duke argumentuar gjykimin e tij po ashtu me fjalët e Zotit në Kur`an: توتى أكلها كل حين باذن ربها ( Druri – pema e jep frytin e saj në çdo kohë (d.m.th çdo vit).
Ndërsa dijetari i tretë ishte më relaksuesi për gruan e shqetësuar. Ai i tha asaj se ti je e lëshuar për aq kohë, sa zgjat një ditë e vetme, përgjigje kjo të cilën e mbështeti po ashtu në ajetin kuranor: فسبحان الله حين تمسون و حين تصبحون ( Atëherë le te jetë i lavdëruar Allahu sa herë që ju bini në mbrëmje dhe agoni në mëngjes ( do të thotë çdo ditë).
Gjykim i fundit sipas Kur`anit e lirojë gruan e merakosur nga hidhërimi i tepërt që kishte dhe ia riktheu shpresën për ribashkimin e sajë bashkëshortor.
Ky tregim nga shkenca e tefsirit dhe studimeve kur`anore është sinjali më i qartë dhe më eklatanti mbi faktin se Kur’ani është një tekst tepër i thellë, respektivisht një univers i papërthekueshëm deri në fund, kuptimin e të cilit e dinë vetëm ekspertët e mirëfilltë të tij, edhe pse as ata, asnjëherë nuk mund të konkludojnë se shpjegimi i tyre mund të jetë përfundimtar, qoftë edhe për një pjesë parciale të tij!
Kur`ani është një det pa brigje بحر لا ساحل له” ”, në të cilin, zhytësi sa herë që zhytet në thellësinë e tij, gjen margaritarë të rijnë të pa zbuluar më parë.
Vlen të theksohet se deri në ditët e sotme, mijëra e mijëra dijetarë i janë qasur studimit dhe analizës së Librit tonë të shenjtë, duke filluar që nga momentet e para të shpalljes, kurse për të janë shkruar tonelata librash dhe janë shterur mijëra litrash nga ngjyra, mirëpo asnjë nga dijetarët dhe komentatorët, edhe më eminentët, nuk kanë arritur të konkludojnë, në fund të punës së tyre të lodhshme, se e kanë arritur fundin e shpjegimit të tij dhe se për të tjerët nuk ka më vend për qasje studimi dhe analize të mëtutjeshme, qoftë për kohën tonë, apo për të ardhmen e afërt dhe të largët.
Injorimi eventual i këtij libri hyjnor – Kur`anit nga ana e kujtdo qoftë , pashmangshëm nënkupton mohimin e shkencës dhe të diturisë si dhe çdo gjë pozitive në jetën tonë, sepse kemi të bëjmë me një libër të stërmbushur me thirrje prosperuese dhe avancuese, si për individin ashtu edhe për shoqërinë mbarë, duke ftuar për lexim, arsimim, përparim e hulumtim në tokë e nën tokë dhe në kozmosin e gjerë, madje, Kur’ani, është edhe sfidues kur fletë në fushën e mjekësisë dhe gjeologjisë.
Gjithë kjo që u tha më lartë mbi vlerat e Librit tonë, vetvetiu shtron edhe pyetjen: Pasi që ky libër është i përsosur dhe i pa zëvendësueshëm, atëherë pse pasuesit e tij, jo rrallëherë në mediumet tona dhe në ato të shkallës ndërkombëtare, paraqiten si njerëz të egër, të vrazhdët, e të rrezikshëm për shoqërinë moderne, pastaj edhe të prapambetur, terroristë e gjakpirës?! Ku qëndron arsyeja e këtyre akuzave të çmendura? Pse gjithë kjo islamofobi, gati kudo në botë, për Kur`anin dhe për pasuesit e tij?!
E në këtë drejtim hapin më të skajshëm, së fundi e ka bërë edhe një prift i krisur në Amerikë. Ai kishte filluar t’i ftoj haptazi ithtarë të tij në kampanjë kundër Kura`anit, duke vendosur që të shpall edhe “Ditën ndërkombëtare të djegies së Kuranit” ( International day a burning of the Qur`an), në shenjë revolte ndaj Islamit dhe muslimanëve, të cilin hap kishin arritur t`a parandalonin në momentin e fundit njerëzit e mendjes dhe arsyes së shëndosh edhe nga vet komuniteti i tij.
Mirëpo a është faji tek ky Libër hyjnor për gjithë këto akuza të llahtarshme? Me kompetencë mund të sigurojmë lexuesit dhe të gjithë ata të cilët dyshojnë se faji i këtyre veprimeve të pamatura nuk është në Librin tonë, e as tek muslimanët të cilët gjykojnë dhe veprojnë drejtë me Kur`anin!
Nëse dikush akuzon muslimanët me cilësitë e lartpërmendura, ai sigurisht nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë asnjëherë elementin e vetëm mbështetës në Kuran, sepse, në asnjë mënyrë, teksti hyjnor nuk e inkurajon askënd që të jetë vrasës i njeriut të pafajshëm, kushdo që të jetë ai, pa marrë parasysh ngjyrën , kombin apo fenë të cilës mund t’i takojë dikush. Përkundrazi fjala e Zotit nxit njerëzit që të jenë solidarë, ndihmës dhe shpëtues të njëri tjetrit. Bile, shpëtimi i një njeriu, sipas porosive kura`anore, është sikur shpëtimi i tërë botës, ndërsa mbytja e një njeriu të pafajshëm, është sikur vrasja e tërë njerëzimit.
Kur`ani është, pikërisht, ai i cili na paralajmëron se të gjithë njerëzit, pa dallim, kanë një gjenezë të vetme të përbashkët të krijimit, duke na u drejtuar me fjalët: “O njerëz! Ne ju kemi krijuar juve (njerëzve) nga një mashkull dhe nga një femër – Ademi dhe Hava” يا أيها الناس إنا خلقناكم من ذكرو أنثى…. . Ky paralajmërim përndryshe është thirrja më e qartë e cila nuk lë vend për dyshimin edhe më të vogël rreth farës së përbashkët të të gjithë frymës njerëzore në botë. Asnjë akt i ulët, antinjerëzor, nuk mund t`i apostrofohet Kur`anit dhe mësimeve të tij!
Prandaj, nisur nga kjo, e tërë bota intelektuale, në rend të parë, dhe ajo e rëndomta, duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë musliman terrorist, siç edhe nuk mund të ketë terroristë muslimanë! Aktet terrorizuese të shkatërrimit në mas të njerëzve, nuk e kanë pasur dhe nuk mund të kenë asnjëherë mbështetje në Kur`an, sepse misioni kur`anor është integrimi e jo dezintegrimi, është respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin e jo urrejtja dhe racizmi.
Keqpërdorim të fesë ka pasur dhe mund të ketë përherë nga grupe të caktuara njerëzish, mirëpo ata nuk mund t`i bindin të tjerët edhe më të vetmin argument se veprimet e tyre të liga eventuale , i kanë të mbështetura në mësimet hyjnore të Zotit, sepse ato, asnjëherë, si të tilla nuk mund të jenë kundër qenies njeri! Mësimet e Kur`anit janë humanizuese e assesi dehumanizuese. Mirëpo është fakt i pamohueshëm se keqpërdorime dhe keqinterpretime të fesë nuk kanë ndodhur dhe nuk ndodhin vetëm tek muslimanët, por edhe tek të gjithë pjesëtarët e feve qiellore si dhe tek ato të shpikura nga njerëzit.
Nëse makina “Mercedes” është më e përsosura deri më sot, ajo nuk do të mund të fajësohet për ndeshjen e rastit, por vozitësi i saj i cili nuk është treguar i kujdesshëm. Pra, edhe ne, duhet të jemi pasues të drejtë e të sinqertë e të kujdesshëm të Kur`anit, e kurrsesi të mos e lejojmë veten që të gjykojmë me fjalën e tij nën ndikimin e emocioneve dhe frustrimeve të pakontrolluara, sepse kjo patjetër do të na qoj në shtrembërimin e udhëzimit të drejtë të Zotit, ndërsa në Ditën Gjykimit, pashmangshëm, kemi për të dhënë edhe përgjegjësi për devijimin e qëllimshëm apo të pakujdesshëm të fjalës së Allahut të Madhërishëm.
Vrazhdësia, përçarja mes njerëzve , urrejtja e të tjerëve , ksenofobia dhe racizmi, apo vrasja e njerëzve të pafajshëm, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk mund të kenë mbështetje në Kur`an dhe në fjalët e pejgamberit tonë, Muhammedit a.s.
Nëse, rastësisht, një prijës fetar, sot apo nesër, thërret të tjerët në njërën prej të këqijave të lartpërmendura, atëherë për të, pa hamendjen edhe më të vogël, mund të gjykohet se ai nuk e ka kuptuar fjalën dhe porosinë hyjnore të të Madhit Zot, apo se, definitivisht, është i nevojshëm për trajtim neuropsikiatrik !
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!