Ezani dhe ikameti (Pjesa e parë)

Jusuf Zimeri

Shprehja “Edhan“ në kuptimin gjuhësor do të thotë: Informim, kurse në kuptimin terminologjik të sheriatit islam do të thotë: Thirrje (Informim) e veçantë e muslimanëve për faljen e namazeve farze[1] dhe për hyrjen e kohës së tij.

Ezani[2] përveç asaj se tregon hyrjen e kohës së namazit, ai në vete përmban edhe elementet e besimit në njësinë e Allahut xh.sh. Kjo është thirrje në madhërimin e Allahut dhe në namaz, ngase me anë të ezanit argumentohet njësia e Allahut dhe mohohet politeizmi. Po ashtu në brendësinë e ezanit vërtetohet edhe pejgamberllëku i Muhammedit, alejhis-selam, dhe dëshmia e dërgesës së tij. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

المؤذِّنُونَ أَطوَلُ النّاسِ أَعنَاقًا يومَ القِيامة

Qafët më të gjata në Ditën e Gjykimit i kanë muezinët”.[3]

Dispozita e ezanit dhe ikametit është sunnet i fortë (sunneti muekkede) për meshkujt e jo edhe për femrat, dhe për namazet farze e jo në namazet nafile. Ezani dhe ikameti thirren pas hyrjes së pesë kohëve të namazit, ditën e xhumasë, pavarësisht se është fjala për namaz eda apo kaza vetmas apo me xhemat, në udhëtim apo në shtëpi. Këtë e vërteton hadithi Pejgamberi s.a.v.s. ku ka thënë: ”Kur të vijë koha e namazit, thirrni ezan dhe bëni ikamet, kurse më i madhi (më i vjetri) nga ju le të bëhet Imam.” [4]

Ikameti është më i vlefshëm se sa ezani, dhe gjatë këndimit të ikametit shpejtohet në lexim dhe nuk vendosen duart tek veshët.

Kushtet e ezanit

Kushtet ezanit dhe ikametit janë:

- Që të jetë ezani i vlefshëm kushtëzohet që tërë ezani të thirret brenda hyrjes së kohës, sepse jashtë kohe është i pavlefshëm. Nëse ezani thirret para hyrjes së kohës me përjashtim të namazit të sabahut, atëherë duhet përsëritur, kurse në namazin e sabahut lejohet më herët për shkak të zgjimit të njerëzve nga gjumi.

- Që fjalët e ezanit të jenë të radhitura sipas tekstit të ezanit, në mënyrë që mes tyre të mos ketë ndërprerje të gjatë, apo të fliten fjalë të tepërta.

- Ezani duhet të këndohet në gjuhën arabe, dhe nuk mund të lexohet në gjuhë tjetër për shkak të ligjësimit të ezanit në gjuhën arabe nga Meleku i cili ia mësoi muslimanëve ezanin.

- Personi i cili e thërret ezanin quhet “muezin” dhe duhet të jetë mashkull, musliman, i mençur, i devotshëm, ta njohë sunnetin e Pejgamberit s.a.v.s. të ketë zë tërheqës, të jetë i rregullt dhe i përpiktë në ezan, dhe më mirë është që të jetë vendas. Kurse ezani i fëmijës së papjekur psikikisht nuk vlen, por duhet që ky ezan të përsëritet. Gjithashtu e njëjta dispozitë e përfshinë edhe ezanin e të çmendurit.

Teksti i Ezanit

Teksti i ezanit sipas hanefitëve përmban 15 fjali, përveç ezanit të sabahut dhe ikametit që përmbajnë 17 fjali dhe është si vijon:

Allahu Ekber Allahu Ekber[5]

/Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi/

أللهَ أكبر ُالله أكبر
Allahu Ekber Allahu Ekber

Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi

أللهَ أكبر ُالله أكبر
Eshhedu en la ilahe il-la-llah

Dëshmojë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut

أشهد أن لاإله إلا الله
Eshhedu en la ilahe il-la-llah

Dëshmojë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut

أشهد أن لاإله إلا الله
Eshedu en-ne Muhammeden resulull-llah

Dëshmojë se Muhammedi është i Dërguari i Allahut

أشهد أنّ محمدا رسول الله
Eshedu en-ne Muhamm-meden resulull-llah

Dëshmojë se Muhammedi është i Dërguari i Allahut

أشهد أنّ محمدا رسول الله
Hajje ales-salah

Eja në Namaz

حي على الصلاة
Hajje ales-salah

Eja në Namaz

حي على الصلاة
Hajjea alel felah

Eja në shpëtim

حي على الفلاح
Hajje elel felah

Eja në shpëtim

حي على الفلاح

Në ezanin e sabahut shtohet


Es-salatu hajrun minen-nevmi

Namazi është më i mirë se sa gjumi

الصلاة خير من النوم
Es-salatu hajrun minen-neumi

Namazi është më i mirë se sa gjumi

الصلاة خير من النوم
Allahu Ekber, Allahu Ekber

Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi

ألله أكبر الله أكب
La ilahe il-lAllah

Nuk ka zot tjetër, përveç Allahut.

لاإلــه إلا الله

Gjatë këndimit të ezanit muezini të qëndrojë në këmbë, sepse urrehet ulja gjatë thirrjes së ezanit, me përjashtim nëse ekziston pengesë.

Është mirë dhe veprim i kërkuar zbukurimi i zërit, kurse duhet pushuar mes fjalëve për tiu përgjigjur ezanit. Në momentin kur ta këndoj “Haj-jeales-sala” është mirë të kthehet pak djathtas, kurse kur ta këndoj “Haj-jealel felah” të kthehet pak majtas qoftë edhe një herë. Nëse ezani thirret nga minarja, atëherë duhet të sillet në minare gjatë thirrjes së ezanit. Gjatë thirrjes së ezanit është mirë që duart të vendosen te veshët [6].

Gjatë thirrjes së ezanit nuk guxon të flasë fjalë tjera që nuk janë pjesë e ezanit, e nëse flet diçka atëherë duhet përsëritur ezanin.

Mes ezanit dhe ikametit pritet aq sa ka nevojë që xhemati të prezantoj në xhami, por duhet pasur kujdes në ruajtjen e kohës, kurse në namazin e akshamit pas ezanit hesht pak në këmbë sa të këndohet tre ajete të shkurta të kur’anit sepse këndimi i ikametit menjëherë pas ezanit është veprim i urrejtur (mekruh).

Atij që gjendet në qytet dhe i ka kaluar namazi i xhumasë pa u falur, për te urrehet thirrja e ezanit dhe ikametit për namazin e drekës.

Falësi që e falë namazin në një xhami në të cilën është falur namazi me xhemat urrehet leximi apo këndimi i ezanit dhe ikametit, me përjashtim nëse falet në xhaminë e cila gjendet rreth rrugës kalimtare e cila nuk ka as imam e as muezin të caktuar që nënkupton se aty nuk urrehet as ezani e as ikamti, por përkundrazi zbatimi i tyre është më prioritar.

Përgjigjja ndaj muezinit

Pejgamberi S.a.v.s. në hadithin e regjistruar te Imam Buhariu, me transmetim nga Abu Seid El Huderiu ka thënë:

إِذَا سَمِعْتُمْ النِّدَاءَ فَقُولُوا مِثْلَ مَا يَقُولُ الْمُؤَذِّنُ

Kur ta dëgjoni thirrjen (për namaz), thuani ashtu si thotë muezini[7]. Duke u mbështetur në këtë hadith, dijetarët e medhhebit hanefij sipas mendimit më të argumentuar (sepse ka edhe mendim tjetër brenda këtij medhhebi) janë të mendimit se, heshtja gjatë këndimit të ezanit ka dispozitën e Vaxhibit, që nënkupton se nuk guxon të flitet asnjë fjalë tjetër, përveç përsëritjeve të fjalëve të Muezinit. Pra është e preferuar që kur të fillojë këndimi i Ezanit të ndërpritet edhe leximi i Kur’anit nëse është duke u lexuar, e ngjashëm edhe format dhikrit. Kjo dispozitë shkoqitet me faktin se Ezani është ibadet (adhurim) me kohë të caktuar, andaj nëse nuk përfillet në kohën e vetë, ajo humbet nga vlera e saj, kurse leximi i Kur’anit është adhurim i cili nuk ka kohë të caktuar dhe sevapi i tij mund të arrihet në çdo kohë.

Përderisa dispozita e dëgjimit të Ezanit është Vaxhib, dhe preferohet ndërprerja e leximit të Kur’anit, s’ka dilemë se punët tjera siç janë muhabeti dhe fjalët e kota, apo edhe përshëndetja mes veti, patjetër duhet ndërprerë, gjatë thirrjes së ezanit. Andaj në kohën duke u thirrur ezani nuk jepet selam as nuk ka përshëndetje, porse secili që e dëgjon ezanin detyrohet ti përgjigjet thirrjes së muezinit.

Për dëgjuesin i cili dëgjon ezanin kërkohet që t’i përgjigjet fjalës së muezinit, duke i përsëritur të njëjtat fjalë që i shqipton muezini, me përjashtim në thënien e muezint “Haj-jeales-salah” dëgjuesi thotë

لاَ حَوْلَ وَ لاَ قُوَّةَ إِلاَّ بِالَّلهِ الْعَلِيّ العَظِيم

ِ(la hauvle ve la kuv-vete il-la bil-lahil atij-jil adhim), kurse kur dëgjon fjalën “Haj-jalel felah” dëgjuesi thotë

مَا شَاءَ اللَّهُ كَانَ وَ مَا لَم يَشَاء لَمْ يَكُنْ

(ma shaAllahu kane ve ma lem jeshau le mjekun) e po ashtu kur dëgjon fjalën “Es-salatu hajrun mine-nevm” në ezanin e sabahut dëgjuesi thotë:

صَدَّقْتَ وَ بَرَّرْتَ وَ بِالحَقِّ نَطَقْتَ.

Sad-dekte ve berete ve bil hak-ki natakte.

Ai i cili e dëgjon ezanin duhet që të ndërpret çdo veprim edhe nëse është duke lexuar Kur’an, apo duke lexuar diç tjetër. Pasi të kryhet ezani është mustehab që dëgjuesi të bie salevat mbi Pejgamberin S.a.v.s.. Pas Ezanit thuhet kjo lutje:

أَللَّهُمَّ رَبَّ هَذِهِ الدَّعْوَةِ التَّامَّةِ وَالصَّلاَةِ القَائِمَةِ آتِ محمدًا الوَسِيلَةَ وَ الفَضِيلَةَ وَابْعَثْهُ مَقَامًا مَحْمُوداً الَّذيِ وَعَدْتَهُ إِنَّكَ لاَ تُخْلِفُ المِيعَادُ

/Allahumme rabbe hadhihi ed-da’vetit-tammeti ves-salatil kaimeti, aati Muhammedenil vesilete vel fadilete veb’athhu mekamen mahmudenil-ledhi veadtehu inneke la tuhliful miiade/.[8]

Nëse në një vend thirren shumë ezanë, përgjigjet vetëm për ezanin e parë e jo edhe për të tjerët.

Edhe teksti i ikametit është ngjashëm me teksitn e ezanit, me përjashtim se pas thënies “Haj-jealel felah حي على الفلاحthuhet dy herë: Kad kametis-salatu, Kad kametis-salatu”

-VAZHDON-

________________
[1] Ezani nuk thirret për namazin e xhenazes, namazin e bajrameve, dhe namazin e vitrit.
[2] Shkaku i thirrjes së ezanit është hyrja e kohës dhe se hyrja e kohës është kusht për thirrjen e ezanit. Esenca e ezanit është në gjuhën arabe. Ezani është ligjësuar vitin e parë hixhrij, por thuhet edhe në vitin e dytë. Shkaku i këtij ligjësimi ishte konsultimi i sahabëve për një thirrje e cila do të jetë simbolikë dhe tregues për hyrjen e kohës së namazit dhe grumbullimin e xhematit. Për të gjetur një mënyrë për grumbullimin e xhematit për faljen e namazit kishte propozime të shumtë. Mirëpo Abdullah b. Zejdi i shqetësuar për shqetësimin e Pejgamberit s.a.v.s. për të gjetur një formë për bashkimin e xhematit për namaz, kishte shkuar në shstëpi dhe pasi kishte ra në gjumë kishte parë një ëndër ku thotë: Drisa isha në gjum, një njeri u soll reth meje e në dorë kishte një këmbanë, e unë i thash: O Zotri, a nuk ma shet këtë këmbanë ?Ai më tha: Çka do të bëshm me të? Me të i thirrim njerëzit për namaz! Ai më tha: A dëshiron të mësojë për një gjë më të mirë se kjo ? I Thash: po si jo. Tha: Thuaj: All-llahu ekber, All-llahu ekber, deri në fund të namazit. Pastaj u largua pak nga unë dhe më tha:E kur ta këndosh ikametin thuaj:All-llahu ekber, All-llahu ekber, e pas fjalës “haj-jealel felah” shtoje “kad kametis-salatu”. Kur u zgjova shkova te i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe e informova për ëndrrën, e ai më tha: Ajo është ëndërr e vërtetë. Çohu me Bilalin, tregoja atij ezanin e ai le ta thirrë sepse ai e ka zërin më të thekshëm se ti.  Pasi këtë e dëgjoi Omeri r.a. i kishte thënë Pejgamberit s.a.v.s.: O i Dërguari i Allahut, pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, edhe unë e kam parë të njëjtën që e ka parë Abdullahi. Pejgamberi s.a.v.s. tha: Falënderimi i takon Allahut.
[3] Muslimi, Ahmedi, Nisaiu etj.
[4] Mutefikun alejhi
[5] Fjalët e ezanit duhet  shqiptuar mirë dhe me kujdes, në mënyrë që shkronjën e fundit “r” e mbaron me sukun, e nëse e ngjet me fjalën tjetër atëherë atë e përfundon me fet’ha (e), sepse përfundimi i kësaj shkronje me zanoren “u” është në kundërshtim me sunetin.
[6] Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i kishte thënë Bilalit “Gishtat tu vëndoj te veshët sepse ato të ndihmojnë në ngritjen e zërit”. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. ka thënë: “Nuk e dëgjon ezanin e muezinin ndonjë nga xhinët e as nga njerëzit apo diçka tjetër, e vetëm se do të dëshmoj për te ditën e ringjalljes, dhe për te kërkojnë falje çdo send që është i thatë apo i njomë që e ka dëgjuar”. Imam Ahmedi.
[7] Buhariu
[8] O Zoti im, Zotërues i kësaj thirrje të lartë si dhe i këtij namazi që duam ta falim, të lutemi Ty, që Muhammedit Alejhis-selam t’i dhurosh virtyte dhe nderime të larta dhe bëre që në botën tjetër, të jetojë në atë gradë që Ti i ke premtuar Vërtetë Ti, nuk i ndërron premtimet.”

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!

HAPSIRE REKLAMUESE