Historia e fshehtë e poezisë

Ilhan Berk

Poetët janë njerëz të ishullit. Bëjnë ishuj ku do të jetojnë për jetë e mot. Ka ditë kur në to ndalen anije, por ka edhe ditë kur ndalet vetëm një. Syri i poetëve është te e nesërmja e ishullit të vizituar rrallë.

Kjo, jo pse s’i kushtojnë rëndësi të sotmes, por sepse të nesërmen s’e ndajnë nga e sotmja.

*

Gjendja natyrore e poezisë është përleshja.  Këtë mund ta quajmë edhe arsye ekzistence. Mu për këtë, themi se çdo poezi duhet të bëjë luftë mejdani për jetë a vdekje.

*

Të gjithë poetët punojnë për më të mëdhenjtë. Sikur që të gjithë këpucëtarët punojnë për më të mirët…

………………………………………………..

*

Poezia e fshin mezokohën.

*

Çdo poezi e mirë është edhe përkryerësi edhe ngathtësi.

Për arsye se s’mund të përsëritet.

*

Në poezi çdo fjalëze i jepen domethënie të shumta, si vargmalet.

Ky është kuptimi i thënies: “Poezia shkruhet me fjalëza!”

Më e rënda është të jetosh jetën e poezisë, shkruarja vjen gjithherë më vonë.

*

Poezia është fetus.

*

Imazhi është gjë e krijuar. Ekziston me poetin. Për këtë arsye çdo poet ka mënyrën e veçantë të përdorimit të imazheve, një çelës imazhesh. Një çelës drynin e të cilit vetë e ka bërë dhe të cilin vetë e hap dhe e mbyll.

………………………………………..

Nëse është shkruar e ka dalë në faqe të tokës një poezi kjo do të thotë se në botë diç ka ndryshuar.

*

Disa poetë ndonëse kanë vdekur që moti, vazhdimisht ringjallen.

Kështu e kuptojmë se jetojnë ose kanë vdekur.

Disa i bën të mëdhenj heshtja (trysnia) e tmerrshme që kanë pasqyruar.

………………………………………..

Poeti e mbars botën duke e prurë belin e gjuhës.

*

Të shkruash për të çiftëzuar dhe për të plakur botën dhe shumë gjëra në të; për të mos lënë pas vetes asgjë të re… Këtë kuptim ka shkrimi.

*

Të gjithë poetët shkruajnë me kuptimet e para, pra me fëmijëritë e tyre:

Me fjalëza që s’shtihen në dorë…  

Erdhe, vure një natë, shkove!

(Titull poezie, thua?)

Nga turqishtja:
Dr. Ali Pajaziti

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!