Katër rekatë para xhumasëPyetja:
A janë të bazuara katër rekatë sunet para namazit të xhumasë?
Përgjigjja:
Transmetohet nga Xhebele ibn Sehim se ka thënë: “Ibn Omeri ka falur katër rekate para namazit të xhumasë me një selam, pastaj pas xhumasë, ka falur dy rekatë, pastaj katër rekatë.” (Mean’il-Athar, Tahavi, 1/ 335) Transmetohet nga Atai se ka thënë: “E kam parë Ibni Omerin se falë pas namazit të xhumasë. Lëvizte pak prej musalës në të cilën e ka falur namazin e xhumasë dhe i falte dy rekatë. Pastaj lëvizte edhe pak dhe i falte edhe katër rekatë.” (Ebu Davudi, nr. 1133).
***
Ulemaja e medhhebit hanefij mendon se distanca ndërmjet këmbëve në kijam (qëndrimit në namaz) duhet të jetë katër gishta. Bashkimi i këmbëve apo zgjerimi i tyre më shumë se katër gishta është mekruh sepse ky është qëndrim i njerëzve mendjemëdhenj e jo i atyre që falin namaz me përkushtim.
Kohëve të fundit, në shumë xhami ka ardhur deri te rritja e tendencës së komentimit të haditheve pa dije përkatëse për fikhun dhe parimet e tij. Këto lëvizje janë shfaqur me metodologjinë e tyre se i marrin hadithet në domethënien e tyre të jashtme të fjalëpërfjalshme pa kurrfarë tentimi ta kuptojnë kuptimin e vërtetë të këtyre haditheve…
As çështja e qëndrimit në namaz nuk është përjashtim. Ky grup ka shikuar në Sahih’ul-Buharij në kapitullin “Ngjitja e supeve me supe dhe këmbëve me këmbë në safë” dhe etherin nga Nu’man ibn Beshiri dhe Enesi r.a.[1] dhe madje pa kurrfarë tentimi që duke e përdorur intelektin e tij të hulumtojë interpretime të ndryshme për të cilat forma e këtyre haditheve është e hapur, ky grup kërkon nga njerëzit t’i ngjesin këmbët me këmbë dhe supet me supe deri sa të qëndrojnë në safë (rreshta).
Ulemaja e katër medhhebeve gjithnjë ka folur se ky perceptim nuk është korrekt…
Imam Sejjid Enver Shah El-Kashmiri e ka shpjeguar këtë çështje në komentimin e tij të Sahih’ul-Buhariut, të quajtur Fejd’ul-Bari.[2]Ai shpjegon se për njerëzit do të ishte e vështirë, nëse jo edhe e pamundur, që të ngjiten supe me supe dhe këmbë me këmbë deri sa qëndrojnë në safë duke e pritur namazin. Ata të cilët e kërkojnë këtë ngjitje, qëndrimin e tyre e mbështesin me komentimin e shkronjës ba, e cila përmendet në këtë hadith. Mirëpo, rregullin sipas të cilit thuhet se kuptimi themelor i shkronjës ba Ilsak – kontakti fizik, nuk duhet kuptuar në këtë kontekst, d.m.th. si kontakt të plotë fizik. Sepse, sikur të ishte ashtu, si do ta shpjegonim atëherë fjalinë: Merertu bi Zejd? A mos do të thotë kjo se kemi kaluar pranë Zejdit duke u ngjitur për të, respektivisht duke e prekur atë, apo, do të thotë: Kam kaluar pranë Zejdit?
Te çdo hadith i cili është i hapur për perceptim të ndryshëm dhe interpretim të llojllojshëm është e nevojshme të shikojmë në praktikën e as’habëve dhe selefi-salihëve të tjerë. Sikur të kishin shikuar në praktikën e tyre, do të bindeshin se askush nga ata nuk e ka vepruar atë që ata sot e bëjnë.
Imam Shah Enver El-Kashmiri thekson se ky interpretim nuk është miratuar nga medhhebet, por vetëm nga njerëzit e zakonshëm të cilët nuk mendonin mjaft.
Qëllimi i etherit, i cili ceket, është në të vërtetë që supet dhe këmbët duhet të jenë paralel në mënyrë që shejtani të mos mund të qëndrojë ndërmjet cilit do person dhe në mënyrë që rreshtat të jenë të drejtë. Kjo ndërkaq nuk do të thotë se këmbët duhet të kenë kontakt fizik. Këtë mendim e përfaqësojnë Imam Bedruddin El-Ajniu në komentin e tij monumental të Sahihut të Buhariut Umdet’ul-Kari[3] sikur edhe Imami Ibn Haxher El-Askalaniu në komentin e jashtëzakonshëm të tij të Buhariut me emrin Fet`h’ul-bari.[4]
Në veprën e tij Lami’u Dareri ala Xhami’il-Buhari[5] imam Mevlana Muhammed Zekerijja El-Kandehleviu thekson edhe disa shpjegime logjike që shkojnë në favor të argumentimit të sipërm. Ai, Allahu e mëshiroftë dhe shkallën më të lartë të xhenetit ia faltë, thotë se bashkimi i supeve dhe supe dhe i këmbëve me këmbë është i mundur vetëm nëse të gjithë xhematlinjtë janë të madhësisë së njëjtë dhe gjatësisë së këmbëve. Ndër të tjera, që kjo praktikë të futet në praktikë do të duhej për xhematlinjtë që një kohë të gjatë t’i barazojnë rreshtat para se të hyjnë në namaz, kurse kjo është e qartë se kundërshtohet me qetësinë e përkushtimin që kërkohet në namaz.
Pas theksimit të dëshmive të ngjashme, Imam Ahmed Zafer El-Usmani në Umdet’ul-Ahkamu[6] e tij thotë: “Madje edhe sikur ta pranonim se me sheriat kërkohet kontakti fizik i supeve dhe këmbëve në rreshta, do të vinim deri te pyetja: A është e nevojshme ngjitja e supeve dhe këmbëve në çdo pjesë të namazit apo vetëm në disa pjesë? Nëse do të thoshim se është e nevojshme gjatë tërë namazit, duhet të shtrohet pyetja: Si është kjo e mundur gjatë uljes në namaz? E nëse, do të thoshim se ngjitja fizike e supeve dhe këmbëve është e nevojshme në disa pjesë të namazit, do të shtrohej pyetja: Në cilat pjesë kërkohet kjo që e flisni dhe në cilat nuk kërkohet dhe në bazë të çkalit pohoni se kërkohet ngjitja në disa pjesë deri sa në disa pjesë të tjera nuk kërkohet? E nëse thonë se për shkak të vështirësisë së ngjitjes së nyjeve dhe supeve në fazën e uljes nuk kërkohet, ne atëherë këtë të njëjtën ua themi për fazën e qëndrimit të këmbë (kijam), sepse po këtë vështirësi ne i hasim në këtë fazë. Mund ta provoni dhe të bindeni edhe vetë…
Transmetohet në Fet’h’ul-bari nga Enesi r.a. se ka thënë: “Sikur ta kishim bërë këtë (ngjitjen e këmbëve me këmbë) me ndonjë person, ai do të ikte nga ne sikur gomari i egër.” [7] Kjo qartë tregon në atë se Enesi r.a. nuk e ka bërë këtë pas vdekjes së Pejgamberit të Zotit që do të thotë se ky nuk është veprim që kërkohet me sunetin e Muhamemdit a.s. Sepse, sikur kjo të ishte sunet nga Pejgmaberi i Zotit a.s., këtë nuk do ta lente nga dashuria për të dhe nga frika nga reagimi i as’habëve të tjerë.
Po ashtu, njerëzit nuk i kanë dashur disa gjera dhe kanë folur kështu për disa gjera vetëm nëse këto gjera nuk janë prej gjerave normale në namaz, d.m.th. nga gjerat që janë praktikuar në namaz gjatë jetës së Muhammedit a.s.
***
Pyetja:
A është i detyrueshem leximi i besmeles para Fatihasë edhe ne rekatin e dytë? A është i detyrueshem leximi i besmeles ndërmjet Fatihasë dhe sures?
Përgjigjja:
Ajniu në komentin e Hidajes thotë: “Kurse nga Ebu Hanife gjithashtu transmetohet që musaliu (namazliu) do ta lexojë besmelen në fillim të çdo rekati. Ky është transmetim i Ebu Jusufit nga Ebu Hanife.” Në veprën Kunjet’ul-Fetava thuhet: Më së miri është të lexohet në fillim të çdo rekati sipas mendimit të të gjithë dijetarëve tanë pa mospajtim në mesin e tyre.
***
Pyetja:
A lejohet të lexohet duaja (lutja) për të vdekurin mbi varr? Si do të kthehet? A lejohet të lexohet duaja te varri i Pejgamberit a.s. sepse shohim se policët saudiasë këtë nuk e lejojnë?
Përgjigjja:
Imam El-Ajniu në komentin e Hidajes thotë:
“Në Xhevami’ul-Fikhu thuhet:
‘Dhe do të vizitohet varri pas kësaj (varrimit) dhe nuk do të ulet vizituesi dhe kur ta lexojë duanë për të dvekurin do të kthehet drejt kibbles. Po këtë do ta bëjë edhe te varri i Pejgamberit të Zotit.’ Kjo përzgjedhje është edhe e Ez-Zaferaniut nga Shafiu”. (El Binaja, 3/ 305)
***
Transmetohet nga Vail ibn Huxheri se ka thënë: “Kam falur me Pejgamberin e Zotit dhe se e kam dëgjuar kur ka thënë Gajr’il-magdubi alejhim ve’led-dal-lin, se Amin e ka thënë në heshtje.”[8]
Transmetohet nga Ibrahim En-Nah’iju se ka thënë: “Imami në vete do t’i shqiptojë pesë gjera: subhaneken, eudhun, bism’il-lahin, aminin dhe All-llahumme rabbena lek’el-hamdu.”[9]
Transmetohet nga Ebu Vaili se ka thënë: “Aliu dhe Abdullah ibn Mes’udi nuk e kanë thënë me zë bismil-lahin, eudhun dhe aminin.”[10]
Transmetohet nga Hasan El-Basriu se ka thënë: “Semure ibn Xhundub dhe Imran ibn Husejn e përkujtuan hadithin e Pejgamberit të Zotit dhe ka thënë se e ka mbajtur në mend se Pejgamberi i Zotit i ka pasur dy pauza në namaz, në të cilat nuk ka shqiptuar asgjë: pauza pas tekbirit fillestar (deri sa në vete pejgamberi e lexonte subhaneken) dhe pauza pas Fatihasë (deri sa në vete e lexonte aminin). Por, Imran ibn Husejni e ka mohuar këtë hadith dhe se për këtë i shkruan letër Ubejj ibn Ka’bit, me ç’rast e kanë pyetur për këtë hadith. Pas këtij rasti Ubejji ua kthei përgjigjen: “Në mënyrë korrekte e ka mbajtur në mend Semurre.”[11] (Ebu Davudi, Ahmedi dhe Darekutni; Ibn Haxher El-Askalaniu thotë: senedi i këtij hadithi nuk është hasen por sahih).
Transmetohet nga Ebu Vaili se ka thënë: “Omeri dhe Aliu nuk e kanë folur me zë bismil-lahin as aminin.”[12]
Transmetohet nga Vail ibn Huxheri se ka thënë: “E kam parë Pejgamberin e Zotit në namaz dhe e kam parë fytyrën e tij, nga ana e majtë dhe e djathtë deri sa lexon: “Gajr’il-magdubi alejhim ve’led-dal-lin” dhe thoshte amin, duke e zgjatur, në mënyrë që të na mësonte se atë duhet shqiptuar pas fatishasë.”[13]
Sa i përket hadithit për leximin e aminit me zë, të gjithë ata janë përcjellë në mënyrë që Pejgamberi të na mësojë shqiptimin e tij pas fatihasë, sepse nga transmetimet të cilat përcillen nga Aliu dhe Abdullah Ibn Mes’udi, Ibrahimi e të tjerë shohim se suneti i Pejgamberit të Zotit, të cilit më vonë, kur e kanë mësuar se duhet ta shqiptojnë aminin pas fatihasë, i janë përmbajtur as’habët më të mirë të Pejgamberit të Zotit, për shqiptimin e aminit në vete.
***
Shqiptimi i nijetit sipas shumicës së dijetarëve të katër medhhebeve është gjë e lavdëruar, pa marrë parasysh kjo a është në lidhje me nijetin për namaz, abdest apo haxh, sepse në këtë është konfirmimi i gjendjes së zemrës.
Ibn Abidini thotë: “Nijeti është vepër e zemrës me të cilin njeriu, pa menduar, e di se në cilin namaz është nëse do të pyetet për këtë. Nëse njeriu do të mendojë, nijetin nuk e ka korrekt. Shqiptimi i nijetit është i lavdueshëm dhe ky është mendim i zgjedhur kurse ndodh në të kaluarën dhe të tashmen. (Sikurse thotë: E kam bërë nijet apo E bëjë nijet). Disa thonë se ky është sunet, ndrëkaq kjo nuk do të thotë se Pejgamberi a.s. këtë e ka bërë por do të thotë se ky është sunet i Selefi salihit, i cili shqiptimin e nijetit me fjalë e ka konsideruar të lavdëruar. Në El-Muhit thuhet: “Do të thotë: Allahumme inni uridu en usal-lije salate… (dhe e përmend namazin të cilin dëshiron ta falë) fe jessirha li ve tekabbelha minni. Thuhet në El-Mebsut, Hidaje dhe El-Kafije se kjo është e mirë kur njeriu dëshiron ta forcojë qëllimin e tij.” (Hashija Ibn Abidin, 2/ 92, Dar’ul-alem’il-Kutub, Rijad, 2003).
Imam Kemal ibn Humam thotë, pasi i përmendi fjalët nga El-Hidaje: “Shqiptimi i nijetit është i mirë për shkak të konfirmimit të nijetit (synimit).” (Fet`h’ul-Kadir, 1/ 128).
Ed-Dusuki El-Maliki thotë: “Është e lëvdueshme për atë që nuk mund të përqendrohet ta shqiptojë nijetin…”. (Hashijjetu ‘ala sherh’il-Kebir, Ed-Dusuki) .
En-Nevevi Esh-Shafi’i thotë: “Nuk është obligim të shqiptohet nijeti, sepse ai është vepër e zemrës, por nëse i bashkon këto dy gjera do të bëhet edhe më mirë, për të cilën gjë u pajtuan të gjithë.” (El-Mexhmu’, En-Nevevi).
El-Behuti El-Hanbeliu thotë: “Shumë dijetarë të mëvonshëm e konsiderojnë shqiptimin e nijetit të lavdueshme që të unifikohen veprat e zemrës dhe gjuhës.” (Keshaf’ul-Kina’, Mensur ibn Junus El-Behuti El-Hanbeli, 1/87, Dar’ul-Fikr, 1982).
Imam Vehbi Sulejman Gavoçi El-Albani thotë: ”Ibn Kajjim El-Xhevzijje thotë: “Nuk është konfirmuar se Pejgamberi e ka shqiptuar nijetin te tekbiri i pare, as me transmetim autentik as të dobët. Ndërkaq, disa nga dijetarët e mëvonshëm i lejojnë fjalët e nijetit, sepse me këtë ringjallet zemra dhe ndërpritet dyshimi. Ata dijetarët e parë, të cilët thonë se shqiptimi i nijetit është sunet nuk mendojnë në sunetin e Pejgamberit të Zotit, por në praktikën e disa dijetarëve për shkak të ndryshimit dhe preokupimit të zemrës me problemet e kësaj bote pas tabi’inëve.” Këtë e transmeton Shurunbulali në veprën Merak’il-felah. Tahtavi në Hashijen e tij thotë se në veprën El-Bahr qëndron se nga tërë kjo mund të përfundohet se kjo është risi e mirë kur njeriu dëshiron ta forcojë vendimin e tij. (Multeka’l-Ebhur, Ibrahim El-Halebi, fq. 88).
Mund të përfundojmë nga citatet e cekura se shqiptimi i nijetit, edhe pse nuk është e konfirmuar me sunet, është çështje e konfirmuar, e mirë dhe e rekomanduar dhe assesi nuk mund të jetë haram. Shqiptimi i nijetit është risi e mirë të cilën duhet pasuar të gjithë muslimanët të cilët e kanë dëgjuar hadithin të cilin e transmeton Xherir ibn Abdullah El-Bexhliu r.a. se Pejgamberi i Zotit ka thënë: “Kush e fut në islam një risi të mirë, për të do të shpërblehet dhe do ta ketë shpërblimin e çdonjërit që do ta veprojë pas tij, me atë që nga shpërblimi i tij nuk do të merret asgjë, ndërsa kush në Islam e fut një risi të shëmtuar, për atë do të ndëshkohet dhe do ta bartë mëkatin e të gjithë atyre që do ta veprojnë pas tij, kurse nga mëkatet e tyre nuk do të merret asgjë.” (Muslimi, hadithi nr. 1017; Tirmidhiu, hadithi nr. 2675; Ahmedi, 4/ 357; Nesaiu, 5/ 75, Ibn Maxhe, hadithi nr. 203).
_________________
[1] Buhari, br. 725, str. 86
[2] Sejjid Enver Shah El-Kashmiri, Fejdul Bari, 2/ 301, Dar’ul-kutub’il-ilmijjeh, Bejrut, 2005.
[3] Umdetul Kari, Bedruddin El-Ajni, 5/ 377, Dar’ul-kutub’il-Ilmijje, Bejrut, 2001.
[4] Fet`h’ul-Bari, Ibn Haxher El-Askalani, 2/ 611, Daru Tajjiba, Rijad, 2005.g.
[5] Lami’ id Dareri ala Xhami’il-Buhari, Muhammed Zekerijja El-Kandehlevi, 1/ 279, Karaçi
[6] Umdetul Ahkam, Ahmed Zafer El-Usmani, 1/ 290, Darul Ulum, Karaçi, 1421.H.g.
[7] Fethul Bari, Ibn Hadžer El-Askalani, 2/ 612
[8] Sunen, Darekutni, 1/ 334; Musned, Ebu Davud Et-Tajalisi, Hakim, 2/ 232 ku thotë: Ky hadith është sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, – kurse me të është pajtuar edhe Dhehebiu.
[9] Atharu Sunen, 1/ 99; Abdurrezak në Musannef me sened sahih.
[10] Mu’xhem, Taberani, 9/ 262.
[11] Ebu Davud; Ahmed; Darekutni; Ibn Hadžer kaže da je sened ovog hadisa Sahih
[12] Taberi; Tehzibul asar; Dževheru Nakji, 1/ 130
[13] Kitabul Esmai Vel Kuna, Hafiz Dulabi; I’lau Sunen, Et Tehanevi, 2/ 252
Përzgjedhja dhe përkthimi:
Nexhat Ibrahimi
(Zeriislam / Breziiri)
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!
o trimi,po nese eshte duke u falur muslimani vet,pa xhemat ateher a duhet te hapen kembet,?
po thuaj se fitneja wahabiste munohet ti fus lloj lloj obligime ne fe
Trimi, ju falenderojme per shenimin. Ju lutem, lexone edhe njehere ceshtjen e ngjitjes se kembeve dhe besojme se do ta kuptoni me mire. Per ne eshte shume e qarte.
we selamu alejkum.spom pelqen kjo me hapjen e kembeve 4 gisht kur dim se pejgamberi s.a.v.s ka thene te mbeshtesim krahet ne namaz,edhe bashkimi i kembeve ose mbushja e safit me bashkimin e kembeve eshte prej plotsimit te namazit sa kemi ndegju ne,mos u ngutni o musliman me keto fetva ALLAHU ju shperbleft.