Kalendari musliman ose era e hixhrës

Shkruan: Behxhet Jashari

Kalendari musliman ose era e hixhrës

Llogaritja e viteve në shoqërinë arabe

Para ardhjes së Muhammedit (s.a.v.s.) arabët e Gadishullit Arabik dhe më gjerë llogaritjen e viteve e bënin sipas ndodhive që për ta ishin më me rëndësi. Ata kanë përdorë kalendarin hënor. Ky kalendar – që është 11 ditë më i shkurtë se kalendari gregorian – nuk i pasonte sezonet (stinorët).

Vizita e Qabes në atë periudhë paganike, kur edhe bëhej adhurimi i idhujve, ka qenë më shumë se një festival i madh, dhe pasi kalendari hënor nuk pasonte sezonet, kjo vizitë është mbajtur në muaj të ndryshëm të çdo viti.

Kjo ka nënkuptuar se gjatë viteve të caktuara Haxhxhi (paganik) ka ardhur në kohë kur gruri nuk ka qenë gati për korrje dhe kështu nuk ka qenë në shitje. Në këtë mënyrë është bërë një çrregullim sa i përket këtij manifestimi pagan në Mekkën e atëhershme.

Për këtë shkak, arabët zbuluan një metodë për të tejkaluar këtë çrregullim duke shtuar një muaj në kalendar në vite të caktuara. Kjo metodë u quajt kabisa – kohe e vizitës së Qabes (paraislamike) dhe kështu u bë i ndryshueshëm. Njoftimi për datën e mbajtjes së këtij manifestimi religjioz pagan bëhej gjatë Haxhxhit paraprak. Kjo ishte detyrë e një njeriu që quhej Kalammas i cili i takonte fisit Beni Kinane – fis nga i cili Hashimi (464-546 erës së re) ishte pasardhës dhe i cili më vonë u bë kryeplak i fisit Kurejsh (fisi i Muhammedit, alejhis-selam).

Kalamasi ishte përgjegjës për të informuar se cili muaj duhet të pasohet nga muaji plotësues, pra muaji i trembëdhjetë. Të gjithë ata që e morën këtë detyrë për të njoftuar kohën e vizitës së Qabes quheshin Kalammasë.

Gjithashtu, në analet e historisë arabe përmendet edhe një ndodhi të cilën disa fise arabe e muarën si erë për njehsimin e viteve. Në të vërtetë bëhet fjalë për ‘plasjen e pendës së madhe’ në vendin e quajtur Ma’rib që gjendet 60 milje në lindje të Sanasë, rrënimi i së cilës shkaktoi vërshime të mëdha. Sipas kësaj ere mjaftë fise arabe edhe i bënin përgatitjet për sezonet bujqësore, përgatitjet për tregti etj.

Penda ishte e ndërtuar gjatë mbretërisë së Sabe’së. Populli i Sabe’së kishte një qytetërim mjaft të zhvilluar. Ata kishin zhvilluar shkrimin e tyre, kishin ndërtuar ndërtesa, kopshte dhe kanale të ndryshme…
Sipas kronistëve arabologë mbretëria e Sabe’së kishte zgajtur prej vitit 750 p.e.r. e deri në vitin 105 p.e.r.[1]

Gjurmët e kësaj pende të rrënuar thuhet se ende ekzistojnë. Është me rëndësi të theksojmë se edhe Kur’ani Fisnik përmend një gjë të atillë:

“Populli Sebe pati një begati në vendbanimin e vet: kishin nga të dy anët kopshte, nga ana e djathtë (e luginës) dhe nga ana e majtë. Hani (u thamë) nga begatitë e Zotit tuaj dhe falënderonju Atij. Qytet i mirë dhe Zot mëkatfalës. Po ata i kthyen shpinën, e Ne e lëshuam kundër tyre rrjedhën e pendës dhe dy kopshtet e tyre i shndërruam në dy kopshte me fruta të idhët, drunj të thatë dhe diçka pak bari të egër. Atë dënim ua dhamë atyre për shkak se nuk besuan, e Ne nuk dënojmë, përveç mohuesit.” (Es-Sebe’, 15-17)

Në arabinë jugore (aty kah Jemeni) ekziston një mbishkrim që data i përgjigjet vitit 542-543 të erës së re (pra në kohën e Ebrehas). Në të përshkruhet plasja e një pende të madhe. Kronistët pohojnë se fisi Benu Gassan ishte i pari që e kishte konsideruar këtë ndodhi si erë për llogaritjen e viteve, të cilët ishin shpërngulur në krahinën Hauran në Siri. Madje edhe sot në Siri ekzistojnë familje të cilët ardhjen në këtë vend e ndërlidhin me këtë ndodhi[2] . Kjo erë arabëve iu ndihmoi që të bëjnë bilancin e tyre ekonomik, që kishin të bëjnë me tregtitë – të suksesshme apo jo të suksesshme, si dhe me prodhimet e ndryshme bujqësore.

Një ndër ndodhitë që në analet e historisë islame zë vend të rëndësishëm dhe të cilën arabët e konsideruan si erë për llogaritjen e viteve, është edhe i ashtuquajturi ‘viti i elefantit’. Në këtë vit lindi i dërguari Muhammed (s.a.v.s.). Dy muaj para lindjes së tij mëkëmbësi i Abisinisë në Jemen që quhej Ebreha (i krishterë) dëshiroi që vizitorët të vizitojnë kishën e madhe që ai e kishte ndërtuar në Sana (Jemen), e jo Qaben në Mekkë. Nga ky fanatizëm, Ebreha organizoi ushtrinë e tij prej gjashtëdhjetë mijë ushtarësh dhe me 13 elefantë të mëdhenj me qëllim që t’a rrënojë Qaben në Mekkë. Me të arritur në vendin e quajtur Muheser, ndërmjet Muzdelifës dhe Minnes, elefantët ndalen dhe nuk kishin mundur të shkojnë më tutje. Në këto momente Allahu dërgoi një tufë shumë të madhe zogjsh të cilët kishin pamje të çuditshme. Ato gjuajtën gurë ose pjesë nga balta e pjekur mbi ushtarët dhe elefantët e Ebrehas. Numri më i madh i tyre mbetën të vdekur aty, ndërsa të tjerët ikën sikurse edhe Ebreha. Rrugës numri më i madh i ushtarëve u rraskapitën dhe vdiqën në shkretëtirë, ndërsa Ebreha u sëmur rëndë sa që i ranë edhe majat e gishtërinjve, e pasi që mbërriti në Sana vdiq i turpëruar e i poshtëruar.

Për këtë ndodhi të rëndësishme, Allahu i Lartëmadhëruar më vonë i rrëfeu edhe të Dërguarit të Tij – Muhammedit (s.a.v.s.):

“A nuk e ke parë se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit? A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar? Dhe Ai kundër tyre lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë! Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar! Dhe ata i bëri si gjeth i grimcuar (i përtypur)!”
(El-Fil, 1-5)

Kjo ngjarje ndodhi pesëdhjetë e pesë ditë para lindjes së Muhammedit (s.a.v.s.) që i përgjigjet fundit të shkurtit të vitit 571 miladijj. Kjo ngjarje ishte një mrekulli ku Allahu në mënyrë të çuditshme e mbrojti Qaben në Mekkë. Këtë ndodhi arabët e konsideruan më të rëndësishme andaj edhe e pranuan si erë për t’i njehsuar vitet, erë (epokë) e cila pati jehonë vetëm brenda Gadishullit Arabik. Ky vit edhe u quajt ‘era e elefantit’ ose ‘viti i elefantit – me siguri për atë shkak se Ebreha shfrytëzoi edhe elefantët për sulmin që kishte planifikuar drejt Mekkes.

KALENDARI ISLAMIK – ERA E HIXHRËS

Natyrisht, Allahu i Lartëmadhëruar, në Kur’anin Fisnik (duke iu drejtuar të Dërguarit të Tij, Muhammedit s.a.v.s.) përmendi gjithësinë, yjet, Diellin, Hënën (Hënën e re) dhe ua bëri me dije njerëzve se Dielli dhe Hëna shërbejnë për përcaktimin e kohës, për llogaritjen e kohës…
Ai në Kur’anin Famëlartë thotë:

“Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëzi dhe për haxh”. (El-Bekare, 189).

“Ai është Krijues i dritës së mëngjesit. Natën e bëri kohë pushimi, e diellin dhe hënën për llogaritje të kohës. Ky (rregull) është caktim i Plotfuqishmit, i Gjithëdijshmit”. (El-En’am, 96).

“Ai e bëri diellin shndritës, e hënën dritë dhe asaj (hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. All-llahu nuk e krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton”. (Junus, 5).

“Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj). Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dijeni se All-llahu është me ata që ruhen (të këqijave)”. (et-Tevbe, 36).

Gjatë jetës së tij, Muhammedi (s.a.v.s.) kishte përmendur nevojën për një kalendar të ri sipas së cilit myslimanët do t’i llogaritnin vitet dhe që do të konsiderohet kalendar mysliman. Ai e urdhëroi që të mos vazhdohet praktika e kabisas dhe refuzoi kalendarin Kalammasi[3] .
Pasi që Muhammedi (s.a.v.s.) ndërroi jetë (v. 632), kjo çështje u muar në shqyrtim. Në të vërtetë kjo çështje u zgjodh në kohën e kalifatit të Omer ibn Hattabit r.a. në vitin 638, në vitin e tretë të kalifatit të tij – pra, 17 vite pas hixhretit të Muhammedit (s.a.v.s.) në Medinë.

Para kalendarit Hixhrij vitet janë emëruar sipas ndonjë ngjarjeje të madhe që ka ndodhur gjatë atij viti dhe ajo është përdorë si sistem i tyre për t’i llogaritur vitet. P.sh. viti i parë i qëndrimit të Muhammedit (s.a.v.s.) në Medinë është quajtur “Viti i lejes për të udhëtuar”, viti i dytë është quajtur “Viti i urdhrit për të luftuar”, viti i tretë është quajtur “Viti i testmiit” dhe kështu me radhë. Edhe pse kjo mënyrë e llogaritjes së viteve kishte karakter lokal, prapëseprapë është refuzuar menjëherë pasi që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ndërroi jetë.

Edhe pse kalendari hënor ishte përdorur gjatë kohës së Muhammedit s.a.v.s., prapëseprapë asnjë vit nuk ishte caktuar të përdoret si fillimi i epokës islame. Historianët tregojnë se asnjë epokë kalendarike nuk është caktuar e as që është përdorur gjatë Kalifatit të Ebu Bekrit (r.a.), madje, kalendari Hixhrijj nuk është përdorë deri në vitin e katërt të Kalifit të dytë Omer ibn Hatabit (r.a.).
Transmeton Buhariu se në një rast “një shumë e të hollave (borxh) ishte paguar në muajin Sha’ban dhe iu ishte prezantuar Omerit (r.a.). Menjëherë pas kësaj Omeri ka pyetur se në cilin Sha’ban? Në të fundit, në këtë, ose në atë që vjen? Ofroni njerëzve diçka që mund ta kuptojnë”.
Mund të thuhet se kjo ishte periudha kur tanimë myslimanët e Medinës dhe ata të Mekkes si dhe më gjerë, dukshëm ishin stabilizuar dhe ishin forcuar, pothuajse në çdo aspekt. Periudha e halifatit të Omerit r.a. shënoi disa përparime të mëdha në skenën e kulturës dhe qytetërimit islam. Në një tubim të planifikuar, të cilin e kishte thirrur vet Omeri r.a. ishte parashtruar çështja e kalendarit mysliman. Në këtë tubim ku kishin prezantuar një numër i madh i sahabëve më eminent të Muhammedit a.s., Omer ibn Hattabi r.a. nga të pranishmit kishte kërkuar mendime dhe propozime rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje. Kronistët myslimanë tregojnë se Omeri r.a. kishte pyetur: “Nga cila ditë t’a llogarisim kohën (vitet)”?

Natyrisht, dolën disa propozime. Dikush propozoi lindjen e Muhammedit (s.a.v.s.), një tjetër propozoi ditën e fillimit të Shpalljes së Kur’anit etj. Ndër ato ishte edhe propozimi i Aliut r.a. i cili kishte propozuar që si erë e fillimit të llogaritjes së viteve në kalendarin mysliman të merret shpërngulja e Muhammedit (sal-Allahu alejhis ves-sel-lem) prej Mekkes në Medinë – Hixhreti.
Pyetjes së halifit Omer r.a., Aliu r.a. iu ishte përgjigjur: “Nga dita kur i Dërguari i Allahut u shpërngul prej Mekkes në Medinë duke e lënë përgjithmonë vendin ku adhuroheshin idhujt. Hixhra e ndau të vërtetën nga e pavërteta dhe kontribuoi që islami të shkëlqejë me një shkëlqim të plotë – le të jetë ajo fillim (erë) i llogaritjes së kohës (viteve)”.

Ky propozim u aprovua me konsensusin e të gjithë myslimanëve që ishin prezent. Kështu që 1 muharrem i vitit të shpërnguljes së Muhammedit (s.a.v.s.) prej Mekkes në Medinë (16 korrik 622), u muar si fillim i erës myslimane. Kjo erë është e njohur si era e hixhretit.

Kalendari mysliman është kalendar lunar (hënor) dhe përbëhet prej 12 muajve. Ato janë: 1. Muharrem, 2. Safer, 3. Rebiul evvel, 4. Rebiul ahir, 5. Xhumadel ula, 6. Xhumadel uhra, 7. Rexheb, 8. Sha’ban, 9. Ramadan, 10. Shevval, 11. Dhul ka’de dhe 12. Dhul hixhxhe. Çdo muaj fillon me lindjen e Hënës së re (neomenia) ose më saktësisht me paraqitjen e saj në horizont. Viti i ri mysliman fillon me 1 muharrem dhe ai ka 355 ditënetë, pra për 10 ose 11 ditënetë më pak se viti solar (diellor). Viti lunar nuk lidhet me ndërrimin e stinëve të vitit, sepse ai bazohet në ndërrimin e fazave të Hënës dhe jo në vitin tropik. Kalndari hixhrijj është mjaft i saktë, sa që gabimi prej një ditënate plotësohet vetëm kur të kenë kaluar 2.500 vjet[4] .

Theksuam se kalendari hixhrij është për 10 ose 11 ditë më i shkurtë se kalendari diellor. Kështu që muaji Ramadan bie në të gjitha stinët e vitit, dhe besimtarët myslimanë do të kenë mundësi të agjërojnë në çdo stinë. Pra, në Islam, njehsimi i vitit të ri mysliman bëhet sipas llogaritjes lunare (hënore) të vitit, d.m.th. sipas lindjes së Hënës së re. Është me rëndësi të përmendim se për kryerjen e disa detyrave fetare – siç është agjërimi i muajit Ramadan, dhënia e zeqatit (një herë në vit) dhe kryerja e haxhxhit në Mekkë – besimtarët myslimanë janë të obliguar që t’a përcjellin kalendarin hixhrijj (hënor). Do të thotë, kryerja e këtyre obligimeve fetare bëhet sipas pozitës së Hënës (p.sh fillimi i muajit Ramadan, i muajit të haxhxhit etj.). Mirëpo, kur është fjala për kryerjen e namazit (pesë herë në ditë), atëherë besimtarët janë të detyruar që këtë obligim fetar t’a kryejnë sipas zgjatjes së ditës, pra sipas pozitës së Diellit.

Kalendari Islam kohën e ndan në cikle prej 30 viteve. Në çdo cikël ka 19 vjet që kanë nga 354 ditë dhe 11 vjet që kanë një ditë shtesë, gjegjësisht 355 ditë.

Natyrisht, muaji hënor (lunar) pilonë me paraqitjen e hënës së re. Hëna konsiderohet e re kur ajo fillon ciklin e saj të ri rreth Tokës. Hëna kalon nëpër faza, fillon me hënën e re, kalon në gjysmë, dhe të plotë dhe sërish bën të njëjtin rrugëtim. Koha që hënës i nevojitet të kalojë prej hënës së re, në tjetër hënë të re, njihet si muaji sinodik, dhe zgjat mesatarisht 29.5 ditë. Megjithatë, pasi Toka po ashtu rrotullohet rreth diellit në të njëjtën kohë, aq sa hëna e kompleton një cikël rreth Tokës, vetë Toka ka kaluar të dymbëdhjetat e rrugës së saj rreth Diellit. Me qëllim që Hëna të kompletojë ciklin e saj në hënë të re, ajo duhet të kompletojë rrotullimin e saj dhe pak më shumë, që të kthehet në pozitën ndërmjet Tokës dhe Diellit sërish. Për shkak të dallimit të rrotullimeve të Tokës dhe Hënës, koha aktuale ndërmjet hënave të reja mund të sillet prej 29.27 deri në 29.83 ditë. (Hermit eclipse, 1995).

Dita dhe koha e çdo hëne të re mund të llogaritet saktësisht, mirëpo për të shënuar fillimin e Ramazanit në shumë shtete islame, hëna e re patjetër duhet të shihet me sy (pa mjet ndihmës).
Shikueshmëria e hënës së re varet nga disa faktorë, siç është lokacioni dhe përvoja e vëzhguesit si dhe sa i qartë është qielli në kohën e vëzhgimit. Zakonisht është vështirë të shihet hëna e re në ditën e parë të hënës së re. Hëna e re qëndron shumë poshtë në qiellin perëndimor pas perëndimit të Diellit dhe ka ndriçueshmëri të ulët të sipërfaqes së saj dhe është shumë e hollë.

Sipas ekspertëve në Observatoriumin e Marinës Amerikane, rekordi i shikimit të hënës së re me teleskop është 12.1 orë pas hënës së re; ndërsa për shikim me sy, rekordi është 15.5 orë pas fillimit të hënës së re. Këto janë vëzhgime të veçanta dhe se vëzhgimet e hënës së re kaq herët në muajin hënor nuk duhet të merren si norma.

Kalendari Islam, hënor në vend të atij diellor, ka një rëndësi të madhe për muajin e Ramazanit. Nëse kalendari i përdorur do të ishte diellor, myslimanët që jetojnë në një hemisferë do të kishin përparësi në agjërim në ditë më të ftohta dhe më të shkurta, ndërsa myslimanët tjerë që jetojnë në hemisferën tjetër do të duhej të agjërojnë ditë të gjata dhe të nxehta gjatë gjithë jetës së tyre. Mirëpo me kalendarin hënor, sezonet rrotullohen çdo 32 ose 33 vjet dhe vështirësia ose lehtësimi i agjërimit ndahet baras nga gjithë myslimanët anembanë botës. Ky kalendar po ashtu mundëson që Haxhxhi të kryhet në sezone të ndryshme.

Pasi që viti lunar mysliman (hixhrij) ka 354 ose 355 ditënetë (10 ose 11 ditënetë më pak se viti diellor), kurse viti solar (diellor) ka 365 ose 366 ditënetë (ashtu siç ka viti Gregorian), atëherë me kalimin e disa viteve ndërmjet këtyre dy kalendarëve krijohet një diferencë. Në të vërtetë për një periudhë 30 vjeçare dallimi do të jetë një vit. Nëse bëjmë llogaritjen e viteve diellore prej ditës së Hixhretit që merret 16 korriku 622 e deri më 15 mars 2002 (1 muharrem 1423 që është edhe viti i ri hixhrijj), atëherë do të vërejmë se kanë kaluar 1380 vite diellorë, e jo 1423. Pra, këto 1423 vjet janë vite hënore, pasi që llogaritja është bërë sipas erës së hixhrit (llogaritjes hënore apo lunare). Këtu vërejmë një diferencë prej 43 viteve.

Domethënia e hixhrës

Pse si erë u muar pikërisht shpërngulja e Muhammedit a.s. prej Mekkes në Medinë, pra hixhreti? Ç’farë është domethënia e hixhretit? Pse Muhammedi (s.a.v.s.) e zgjodhi Medinën për vendstrehim (hixhret), pasi që më afër Mekkes kishte edhe vendbanime tjera?

Natyrisht, shpërngulja e Muhammedit (s.a.v.s.) prej Mekkes në Medinë nuk ishte shpërngulje vetëm fizike, por ajo ishte një shpërngulje e përkohshme dhe ideore, sepse në Medinë gjeti fushë të lirë për veprim ideor. Në Medinë ai gjeti strehimin ideor, e jo vetëm atë fizik. Banorët e Medinës i ofruan qetësim dhe përkrahje të plotë për idealin islam. Në mesin e kësaj bashkësie Muhammedi (s.a.v.s.) vërejti sinqeritetin e pastër për përkrahje në çdo aspekt…

Medina ishte (dhe ende është) një qytet tërheqës me ambient dhe ajër të lehtë, ku edhe në mjaft vende ekzistojnë oaza, kopshte të bukura, madje edhe ka fryte… Medina edhe atëherë ishte e bukur, por bukuria iu shtua me ardhjen e Muhammedit (s.a.v.s.) dhe myslimanëve tjerë në këtë vend.

Nëse ia bëjmë një vështrim të shkurtë historisë së të Dërguarve të tjerë, do të shohim se, pothuajse një numër i madh i tyre, gjatë misionit profetik po ashtu përjetuan shpërngulje. Ibrahimi a.s. nga qyteti Ur (Irak) udhëtoi dhe u shpërngul në Egjipt, prej Egjiptit shkoi në Gadishullin Arabik (në Mekkë). Familja e Jusufit a.s., Jakubi a.s. prej Palestine u shpërngul në Egjipt etj. Të njëjtin provim e kaluan edhe Musau a.s., Luti a.s., Isau a.s… Mirëpo, hixhreti i tyre nuk ishte me karakter universal, që do të thotë, asesi nuk mund t’i barazojmë me hixhretin e Muhammedit (s.a.v.s.).

Pa dyshim, Hixhreti i Muhammedit (s.a.v.s.) në Medinë (në vitin 622) shënoi një kthesë vendimtare në historinë e myslimanëve dhe të Islamit në përgjithësi. Me shpërnguljen në Medinë myslimanët fituan në kohë dhe kështu mbërritën që një numër të madh të fiseve arabe t’i ftojnë në islam. Numri i pjesëtarëve të islamit u shtua. Medina u bë qendër e besimit dhe kulturës islame. Nga Medina niseshin delegacionet e ndryshme me mesazhin e da’ves (thirrjes islame) të urdhëruar nga Muhammedi (s.a.v.s.) drejt mbretërive dhe fiseve të ndryshme, në dhe jashtë Gadishullit Arabik.

Ndoshta është me rëndësi të përmendim se në periudhën kur Egjipti ishte djep i një qytetërimi të lartë, atëherë kur Alek¬sandria ishte qendër e vërtetë kulturore e shkencore, Medina ishte një vendbanim i vogël e i panjohur në shkretëtirën e Arabisë. Në fillim të shekullit VII, gjegjësisht pas shpërnguljes së Muhammedit (s.a.v.s.) në Me¬dine, ky vend u shndërrua në qytet nga i cili rrezatoi besimi Islam, u shpërndanë dituri të pastra, të cilat më vonë shërbyen për ngritjen e një kulture dhe qytetërimi fascinues islam. Këtu e shohim Medinën dhe xhaminë e Muhamme¬dit (s.a.v.s.) si një qendër të vërtetë të besimit islam dhe diturive. Nga Medina rrodhën formulat e mendimeve të drejta e të pastra për botën, individin, ahiretin, për të drejtën, për rregullimin shtetëror, marrëdhëniet ndërnjerë¬zore, sistemin e organizimit të bashkësisë, për paqen dhe rolin e njeriut në këtë botë…

Medina ishte qendra prej nga pasuan fitoret njëra pas tjetrës. Është me rëndësi të theksohet se vëllazërimi i fiseve të armiqësuar në Medine, dhe më pas vëllazërimi ndërmjet mekkasëve dhe medinasëve, ishte rezultat i hixhretit. Një ndër ato rezultate që dha hixhreti, dhe që në historinë njerëzore shënoi një faqe të re, pa dyshim ishte edhe përpilimi i kushtetutës së Medinës.
Hixhra ishte mur i cili ndau të vërtetën nga gënjeshtra. Hixhra ishte filtër përmes së cilit u pastruan mbeturinat e nacionalizmit arab. Myslimanët tanimë ishin bindë se në islam nuk zë vend ekstremizmi, diskriminimi, e as lokalizmi. E jo vetëm kjo, por me hixhretin fituan edhe jomyslimanët. Si? A nuk u zbatua drejtësia kur’anore dhe ajo e Muhammedit (s.a.v.s.) gjatë përpilimit të kushtetutës së Medinës, si dhe gjatë gjithë periudhës kur administronin myslimanët!? Sipas mësimeve islame të gjithë jomyslimanët kanë të drejtë në fenë dhe në kulturën e tyre.

Hixhreti ishte një akt historik ku shumë popuj myslimanë dhe jomyslimanë në praktikë vërejtën rezultatin fascinues që pasoi më vonë. Andaj hixhreti do të mbetet erë e vërtetë islame dhe ky kalendar nuk duhet ndryshuar.

_________________
[1] Filip Hitti, Istorija Arapa, f.50. Sarajevë 1973.
[2] Po aty, f.59.
[3] www.sq.wikipedia.org/wiki/Kalendari_islamik
[4] Dr. Ibrahim Gashi, po aty, f. 116.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!